Komuna e Mitrovicës dyshohet se është përfshirë nga një skandal, pasi akuzohet se ka dhënë një tender për blerjen e 30 mijë prezervativëve.
Denoncimi ka ardhur nga ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, Fehmi Ferati. “Kryetari i komunës më të varfër të Kosovës me më së shumti raste sociale e që premtonte 15.000 vende pune e thoshte me mburrje se “Nuk di t’i le Nënat me qajtë për bukën e gojës” e që i ka ble me buxhet komunal në kohë pandemie 30 mijë kondoma e që premtonte mrekullira në qytetin që është zbrazur më së shumti nga të rinjët, paska paralajmëruar padi kundër meje! Të shohim cila padi po arrinë e para në procedurë!!!”, ka shkruar Ferati.
Por kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri i ka hedhur poshtë akuzat. Megjithatë për këtë çështje ka folur drejtoresha e Shëndetësisë në komunë, Erseka Hasanaj Barani, e cila ka pranuar se pasur një porosi për 30 mijë prezervativë, por kjo faturë nuk është paguar. “Pas kërkesës nga njësia kërkuese e barnatores qendrore dhe menaxherit të kontratës për funizim me medikamente për trajtim parenteral/ampular dhe orale, si dhe material tjetër medicial i nevojshëm për funskionimin dhe ofrimin e shërbimeve ndaj pacientëve në QKMF, hyjnë edhe shërbimet parandaluese si planifikimi familjar. Për shkak të një planifikimi më afatgjatë në bazë të situatës epidemiologjike të krijuar nga virusi COVID-19, ka ardhur edhe kërkesa nga QKMF për material të nevojshëm për institucionin bazuar nga kërkesat e qytetarëve.
Pas furnizimit nga OE me medikamente dhe material shpenzues, është vërejtur një lëshim teknik tek artikulli (prezervativ). Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe Drejtoria për Shëndetësi ka marr masa të menjëhershme dhe ka anuluar sasinë e porositur nga njësia kërkuese, konretisht e artikullit (prezervativ). Kryetari menjëherë ka themeluar një komision dhe ka kthyer të gjithë artikullin tek OE dhe është bërë minusimi i asaj asaj shume, menjëherë pas pranimit të faturës. Pra, nuk është bërë asnjë pagesë e asaj fature deri më sot dhe nuk do të kryhet asnjë pagesë për atë artikull pasi që është kthyer.
Përndryshe, për informimin tuaj, parandalimi i shtatzanive të padëshiruara, parandalimi i aborteve, parandalimi i sëmundjeve seksuale transmisive dhe shëndeti riprodhues i gruas, janë dhe mbeten prioritet i Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, shëndeti i gruas është një nga objektivat kryesore të Drejtorisë për Shëndetësi. Ku në vazhdën e anagazhimeve ka qenë sjellja e aparaturës së Mamografisë, nënshkrimi i marrëveshjes për lansimin e programit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës, e shumë aktivitete të tjera edukative për shëndetin e gruas në përgjithësi. Dezinformata të tilla keqadashëse, shqetësojnë qytetarët dhe janë tendencioze, andaj kush do që do përgjigje dhe fakte rreth kësaj dezinformate, i ftoj të ndjekin procedurat zyrtare dhe të marrin informatat e duhura nga institucionet përgjegjëse e jo të dalin me informata të tilla pa hulumtime paraprake” shkruan ajo.