MENU
klinika

Njoftimi

Kosova hap kufijtë me Shqipërinë, Serbinë dhe M. e Veriut

15.08.2020 - 10:43

Qeveria e Kosovës ka vendosur ditën e sotme hapjen e kufijve me vendet fqinje, edhe pse situata e koronavirsuit në Kosovë nuk është shumë e mirë.

Mësohet se me anë të këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë do të lejohet të hyjnë në territorin e Kosovës.

Por në vendimin e qeverisë së Kosovës nuk është e saktësuar nëse këta qytetarë do të duhet të kryejnë testin në kufi apo do të duhet të kenë bërë testin para se të hyjnë në Kosovës.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe Ligji për Festat Zyrtare.

Njoftimi i qeverisë së Kosovës:

Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së. Sipas proceduarave përkatëse, të gjitha institucionet e lartcekura i kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, nëpërmjet së cilës krijohet baza ligjore për shënimin e Ditës së Egjiptianëve më 24 qershor, si ditë memoriale.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Gjithashtu, mendimi i Qeverisë është proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Qeveria ka marrë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së të cilat kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës por e konsideron si jo të plotë për të përmirësuar procesin dhe procedurat e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se kjo nismë legjislative duhet të adresojë të gjitha çështjet që janë identifikuar si parregullsi gjatë monitorimit të proceseve zgjedhore nga organizatat monitoruese ndërkombëtare dhe vendase.

Është miratuar edhe vendimi për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

Është shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Koncept Dokumenti analizon situatën e krijuar pas riorganizimit të Qeverisë së Kosovës dhe shuarjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Duke vlerësuar se procesi i integrimeve evropiane për shtetin e Kosovës është jetik dhe duke pasur parasysh nevojën e koordinimit të zbatimit të marrëveshjeve të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, rekomandohet organizimi i Agjencionit për Integrime Evropiane.