MENU
klinika

Analiza

Kostoja e lartë e një euroje të fortë

08.08.2020 - 08:56

Duke pasur parasysh performancën e tyre të mirë gjatë krizës së COVID-19 dhe performancën e keqe të homologëve të tyre amerikanë, liderët europianë që po kërkojnë një rol më të fortë global për euron mund të jenë gati ta realizojnë dëshirën e tyre. Por mund të mos kalojë shumë kohë para se ata të pendohen për këtë.

Nga Daniel Gros

Europa po përjeton një krizë “të mirë”. Pavarësisht dëmit që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 dhe recesionit, përgjigja e saj ka minimizuar dëmin dhe forcuar besimin në ekonomi. Megjithatë, edhe ky lajm pozitiv përmban rreziqe.

Bashkimi Europian ka bërë një punë shumë më të mirë për të frenuar përhapjen e infektimeve dhe vdekjet nga COVID-19 sesa, le të themi, Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, reagimi i tij për çështjet ekonomike ka qenë shumë më i mirë nga sa pritej, me të gjitha vendet anëtare që ndërmarrin veprime të forta për të bindur firmat që të mos largojnë nga puna punëtorët. Si rezultat, papunësia nuk është rritur ndjeshëm.

Nëse rimëkëmbja ekonomike e BE-së është aq e fortë sa aktualisht duket e mundshme, firmat duhet ta kenë të lehtë të rifillojnë prodhimin me të njëjtën fuqi punëtore që kishin para krizës. Ndërkohë, masat e fuqishme fiskale po mbështesin kërkesën.

Tani, investitorët në të gjithë botën po e shohin me një tjetër sy BE-në. Në vend që ta konsiderojnë bllokun si një rast shporte ekonomike dhe politike – një grup ekonomish me rritje të ngadaltë që nuk mund të rrinë dot pa u përleshur me njëri-tjetrin – ata kanë filluar të vlerësojnë politikëbërjen e saj të ngadaltë, por të fortë, përgjithësisht të bazuar te shkenca. Niveli relativisht i ulët i borxhit publik në shumë vende ndihmon gjithashtu.

Kjo nuk do të thotë që investitorët presin mrekulli nga ekonomia e BE-së. Por ajo po vepron shumë më mirë sesa shumë vende të tjera. Për shembull, në SHBA papunësia është rritur shumë, PBB-ja u kontraktua me 9.5% në tremujorin e dytë të vitit 2020 – performanca më e keqe e ekonomisë që nga viti 1947 – dhe politikëbërja ka qenë tepër e njëanshme dhe e çrregullt. Pra, siç i thonë asaj fjalës së urtë, në tokën e të verbrit, njeriu me një sy është mbret.

Fondi i BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia i dakorduar së fundmi prej 750 miliardësh eurosh (886 miliardë dollarë) – që përfshin emetimin e parë në shkallë të gjerë të bonove europiane – ka forcuar edhe më tej reputacionin e saj, duke qetësuar shqetësimet për kohezion të monedhës së përbashkët. Përhapja e rrezikut për obligacionet qeveritare në vende si Italia, Spanja dhe Portugalia ka rënë – një zhvillim që duhet t’i ndihmojë ata të përballojnë krizën.

Por një pasojë kyçe e rritjes së besimit te BE-ja – shtimi i presionit mbi kursin e këmbimit të euros – mund të kompensojë përfitimet e shpërblimi me rrezik më të ulët. Kursi i këmbimit ka tendencë të ketë një ndikim të fortë, të menjëhershëm në rritjen ekonomike në Europë. Për shembull, forca relative e euros në fund të vitit 2017 kontribuoi në një ngadalësim të rritjes ekonomike në dy vitet pasuese. Sot, monedha është edhe më e fortë sesa ishte në vitin 2017: gjatë javëve të fundit, kursi mesatar i ponderuar i saj është rritur me 5%.

Problemi qëndron në faktin se eurozona është një ekonomi shumë e hapur, me eksporte mallrash dhe shërbimesh që llogariten në rreth 30% të PBB-së. Në SHBA, kjo shifër është vetëm 12% e PBB-së. Tregtia është gjithashtu më pak e rëndësishme për ekonominë në Japoni dhe Kinë, duke nënkuptuar që eurozona është më e “globalizuara” nga katër ekonomitë më të mëdha në botë.

Ky kombinim i hapjes dhe varësisë nga eksporti nënkupton se eurozona mund të jetë në telashe serioze nëse euro vazhdon të rritet. Ata që kërkojnë një rol më të fortë ndërkombëtar për euron duhet të kenë parasysh: ndërkohë që një zhvendosje e tillë mund të jetë e dëshirueshme nga pikëpamja gjeopolitike, implikimet ekonomike janë më pak të prera dhe të thata. Për një ekonomi shumë të hapur si Eurozona, ato sigurisht përfshijnë disavantazhe të konsiderueshme.

Situata është disi ndryshe për SHBA-në, pjesërisht për shkak të rolit global të dollarit. Ndërkohë që një monedhë e fortë dëmton konkurrencën e eksportit dhe punësimin, brishtësia e ekonomisë amerikane ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit është e kufizuar, sepse kjo ekonomi nuk është dhe aq e hapur.

Siç tregojnë studimet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbizotërimi i dollarit amerikan në faturat tregtare – e ashtuquajtura Paradigma Dominuese e Valutës – gjithashtu bën një ndryshim të madh.

Për shkak se shumica e eksportuesve në botë faturojnë në dollarë, çmimet e tyre të eksportit mbeten relativisht të qëndrueshme, edhe kur kursi i këmbimit të monedhës së tyre vendase përballë dollarit ndryshon. Si rezultat, as këto ekonomi dhe as ekonomia amerikane nuk duket se përfitojnë ndjeshëm nga një zhvlerësim i monedhës vendase në planin afatshkurtër, ose nuk vuajnë ndjeshëm nga vlerësimi i tij.

Eksportuesit nga Europa përbëjnë përjashtim. Për shkak se ata priren të faturojnë në euro, eksportet europiane bëhen më pak konkurruese kudo kur euroja rritet kundrejt dollarit. Ndërkohë që një zhvlerësim i dollarit nuk e ndihmon ekonominë amerikane, ai dëmton Europën. Sa i përket një zhvlerësimi të euros, përfituesit kryesorë mund të jenë ekonomitë në zhvillim, por vetëm ato që eksportojnë produkte industriale. Eksportuesit e mallrave thjesht pësojnë një rënie në të ardhurat nga eksporti.

Për vite me radhë, politikëbërësit e BE-së po kërkojnë një rol global më të fortë për euron. Duke pasur parasysh përgjigjen e tyre pozitive ndaj krizës së COVID-19, ata mund të jenë gati të arrijnë dëshirën e tyre. Por mund të ndodhë që shumë shpejt ata të kuptojnë se çdo e mirë ka edhe të këqijat e saj.

Project Syndicate-Birn