MENU
klinika

"O djem do vemi në Vlorë"

Kuçi i Labërisë mori pjesë me pesë çeta në Luftën e Vlorës

08.08.2020 - 15:21

*Dalan Buxheli

Vitet kalojnë, por ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë gjithmonë jetojnë e shkëlqejnë brez pas brezi duke na mbushur me krenari. Kështu ndodhi dhe me epopenë e Luftës Kombëtare të Vlorës, 100-vjetorin e së cilës po e kujtojmë dhe festojmë këtë vit.

Rreziku që i është kanosur vendit tonë kurdoherë ka tronditur zemrën e çdo shqiptari në periudha të ndryshme të historisë. Fillimshekulli i kaluar, sidomos në dy dekadat e para ka qenë një periudhë zhvillimesh dramatike, aq sa fatet e këtij populli e këtij vendi ishin në fije të perit. Populli shqiptar u trondit thellë nga memorandumi i 9 dhjetorit 1919, i fuqive të mëdha për copëtimin e ri të Shqipërisë që u mbajt i fshehtë. Duke pare se nuk kishin asnjë mbrojtje tjetër për këtë qëllim, atdhetarët panë se ishin pjekur kushtet për thirrjen e Kongresit të Lushnjës një nga ngjarjet më madhore të historisë sonë Kombëtare të shekullit XX. Kongresi mori vendime historike dhe pohoi pavarësinë e plotë të vendit, u shpreh kundër çdo mandati apo protektorati të huaj mbi sovranitetin e shtetit shqiptar.

Përgatitja e Luftës së Vlorës filloi me përfundimin e Kongresit të Lushnjës, më 28 janar 1920, dhe zgjati deri në prag të fillimit të kryengritjes së armatosur, më 4 qershor 1920. Kryengritja e armatosur kërkonte prej popullit shqiptar që të bënte një punë serioze përgatitore të gjithanshme. Kryengritja kundër pushtuesve italianë, shtronte përpara popullit zgjidhjen e një sërë detyrash aktuale dhe jetike për atdheun, brenda dhe jashtë vendit. Më 23 maj 1920 kryeministri Sulejman Delvina pohonte se qeveria që drejtonte, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe “jep fjalën e nderit se kurrë nuk ka me kursye me ba dhe një therori për shpëtimin e Vlorës”. Qeveria Delvina mendoi të mos angazhohej zyrtarisht në këtë luftë. Ai mendonte se lufta ishte e popullit të krahinës të pushtuar prej italianëve. Ndihmën qeveria e Delvinës e dha nëpërmjet popullit duke e mobilizuar që në periudhën përgatitore të saj. Masat e qeverisë ishin mobilizimi i popullit, ndihmat aktive të tij në periudhën përgatitore që ishin mjaft të dukshme. Këto u vërtetuan edhe gjatë zhvillimit të luftimeve ku frontit nuk i munguan gjërat më të domosdoshme të luftës si ushqimet, veshmbathja, fishekët dhe armatimi.

Mbas kongresit të Lushnjës sipas vendimeve dhe udhëzimeve te tij, u formua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” ku bënte pjesë dhe major Ismail Haki Kuçi nga Kuçi për organizimin dhe drejtimin e luftës popullore për çlirimin e Vlorës. Erdhi në Kuç antari i këtij komiteti, patrioti Halim Xhelo,i cili u takua me parinë e Kuçit. Populli e priti me gëzim e krenari thirrjen e bërë, ai tregoi gadishmëri të plotë, si gjithmonë për të luftuar pushtuesit. Halim Xhelua njoftoi aty vendimin e Barçallasë për çlirimin e Vlorës me luftë dhe të tërë krahinave, nën pushtimin italian. Ai i bëri thirrje popullit të Kuçit që edhe këtë herë, të tregonte atdhetarizmin e lart e trimërinë që kishin treguar, në luftërat e gjata për liri e pavarësi. Atje u bisedua sërish, edhe për masat e përgatitjes së kryengritjes së armatosur dhe u krijua një komision, i kryesuar nga major Ismail Haki Kuçi, për regjistrimin e përgatitjen e luftëtarëve. Në një mbledhje të veçantë, paria vendosi thirrjen në një mbledhje të gjerë gjithë popullin në vendin e quajtur Grabove. Në këtë mbledhje foli patrioti Arif Mehilli, i cili u parashtroi të pranishmëve vendimet e komitetit për të organizuar luftën kundër pushtuesve italianë dhe nevojën e domosdoshme të pjesëmarrjes të kuçiotëve në këtë luftë. Dy ditë më vonë, në fillim të muajit qershor, paria dhe gjithë populli i fshatit u mblodhën në vendin e quajtur Gjibuf, ku u bënë regjistrimet, me baza vullnetare të luftëtarëve që do të shkonin në këtë luftë. U regjistruan 109 luftëtarë, midis të cilëve ishte edhe Rrapo Buxheli, im atë, bashke me gjyshen Qeno Buxheli, e cila është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë (Historiku i Kuçit, viti 1969).

Pas regjistrimit të vullnetareve, u bë organizimi i 5 çetave vullnetare te Kuçit. Komandant të çetave u caktuan Meto Peçi, Arshi Saraçi, Rrapo Aliu, Jaho Gjoliku e Sefedin Meçe. Me 3 qershor çeta e Kuçit, dëboi nga fshati karabinierët italianë. Mbas këtij aksioni, më daten 4 qershor u nisën për në Luftën e Vlorës. Gjatë rrugës në drejtim për në Kotë, u bashkuan me çetat e Kallaratit, Bolenes, Vranishtit, Terbaçit e Bratajt. Rrethuan e sulmuan forcat italiane në Gjorm, të cilat pas 2-3 ore qëndrese u detyruan të dorëzohen. Pasi kryen me sukses këtë aksion, i cili ngriti edhe me shumë moralin dhe besimin në fitore, u nisen në drejtim të Kotës. Mbas një nate luftimesh të ashpra që arriti në përleshje trup me trup, vullnetarët u hodhën mbi tela me gjemba, zaptuan llogoret e armikut, zunë shtabin e garnizonit italian dhe çliruan Kotën. Në këto luftime luftëtarët e çetave të Kuçit u shquan për akte trimërie.

Me asgjësimin e garnizonit italian në Kotë, çetave të Kuçit u caktua nga shtabi që të zinin vijën e parë të frontit të Cedrishtës, qafen e Qishbardhës, Kalanë e Kaninës dhe qafen e Koçiut (gropa e derrit). Në këto luftime të përgjakshme bashkë me çetat e Kuçit, ka qene prezent disa here dhe ka drejtuar sulmet Ismail Haki Kuçi, qe ishte njëkohësisht anëtar i komitetit drejtues të luftës së Vlorës dhe shef operativ. Për trimërinë e shqiptarëve në luftën e Vlorës, patrioti Halim Xhelo do të shkruante poezinë e njohur:

Evropa shkruajnë e thonë,

Ç`është kështu si dëgjojmë?!.

Bëhet dyfek në Vlorë,

Shqiptarët po luftojnë,

Me një mbret dyzet milionë!

Zunë jesire na thonë,

Zunë jesire Italinë.

Për këtë luftë në gazetën “KOHA”, të asaj kohe, në artikullin me titull “Ditë historike-2 shtator 1920”, midis të tjerave shkruhej: PO! Është edhe kombëtare dita e 2 shtator 1920, se në këtë ditë do të festohet çlirimi i Vlorës, i asaj Vlore historike ku pas 500 vjetësh u ngrite flamuri i Skënderbeut. Duhet një mendje e hollë që të përshkruajë rendësinë e këtij festimi kombëtar, në të cilin merr pjesë i gjithë kombi shqiptar, se Vlora ka qene dhe është zemra e shpirti i Shqipërisë”.

Kjo fitore e madhe, e ndezi shpirtin liridashes dhe vulosi ne fitore besimin. Netë e ditë të tëra nuk pushoi se kënduari kënga:

O djem do vemi në Vlorë;

Dyfek e flamur në dorë,

Na thërret Ismail Qemali,

O djem trima stralli,

Na dërgon porosinë,

Hidhni në det Italinë.

Një grusht luftëtarësh prej 4000 vetësh u vunë përballe një ushtrie të rregullt, të stërvitur e të armatosur gjer në dhëmbë, me artileri tokësore, detare, autoblinda e avionë u shpartallua nga orteku popullor i luftës për liri.

Luftimet e ashpra që zgjaten rreth dy muaj, pushtuesit të ndodhur në dorën e tyre të hekurt, u mbyllen brenda qytetit dhe ndodheshin aty të kapitulluar..

Me 2 shtator trupat dhe flota italiane u larguan dhe më 3 shtator forcat vullnetare hynë triumfalisht ne Vlorë, duke bërë festë për tre ditë me radhë. Në atë epope të ndritur është edhe kontributi i çetave me luftëtarë të Kuçit.

Gjatë Luftës së Vlorës, trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Lufta e Vlorës, 1920 është ngjarje historike e rëndësisë kombëtare, vendimtare për kohën mbi fatin ekzistencial të trojeve shqiptare. Po aq e rëndësishme qe dhe për qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar.