MENU
klinika

Kur regjimi i masakroi

Kur Prishtina kishte fisnikë dhe fisnikëri!

03.08.2020 - 06:04

Brenda katër netëve në fundnëntor të vitit 1944 në Prishtinë, partizano-çetnikët serbë rrethuan kryeqytetin e Kosovës dhe masakruan rreth 350 shqiptarë. Ishin kryesisht anëtarë të familjeve fisnike në Prishtinë.

Masakra ishte e përgjakshme dhe i ngjau Natës së Bartolomeut. Për gjysmë shekulli nuk është shkruar për të. I ngjau masakrës së policisë sekrete ruse në pyllin e Katinit në Poloni në prill të vitit 1940. Rusët masakruan rreth 22 mijë oficerë dhe intelektualë polakë, që ishin antikomunistë dhe elitë ushtarake e intelektuale e Polonisë.

Masakra kundër fisnikëve shqiptarë në Prishtinë u mbulua nga masakrat e radhës. Pak ditë më vonë ndodhi rezistenca e Brigadës së Shaban Polluzhës në Drenicë, e cila përfundoi me masakër. Në këtë hark të shkurtër kohor, ndodhën masakra tjera si në Tivar, Gjilan, Tetovë, në të cilat u masakruan mijëra djemë të rinj shqiptarë. Pas masakrave të fisnikëve shqiptarë, masakrohej edhe djelmëria shqiptare.

Kur u masakruan fisnikët e Prishtinës, regjimi komunist familjeve të tyre ua konfiskoi edhe pronat. Familjarët që shpëtuan gjallë migruan kryesisht në Turqi, Evropë dhe në Amerikë. Për gjysmë shekulli veçse u përshpërit për ta. Veç ndonjë të afërmi të mbetur në Prishtinë, nuk kishte as kush t’i vajtonte.

Deri tash për këta fisnikë është shkruar pak dhe nuk është bërë asgjë. Shkrimtari i ndjerë Maksut Shehu, shkruajti romanin “Qielli pa pëllumba”. Personazhet e romanit janë fisnikët prishtinas dhe u botua nga shtëpia botuese “Koha” në vitin 2010. Romani doli në dritë falë shkrimtarit, Ibrahim Berisha i cili e ruajti dorëshkrimin dhe u botua nën kujdesin e tij.

Është në nderin e Kryetarit të Prishtinës dhe të Asamblesë komunale, që të ngrejnë një memorial përkujtimor për 350 anëtarët e familjeve fisnike në Prishtinë. Respekti për Prishtinën, shprehet vetëm kur respektohen fisnikët e saj, të cilët dikur Prishtinës i falën shkëlqim e fisnikëri.