MENU
klinika

"Arti i katastrofës, jo si ai për katastrofën"

Luljeta Lleshanaku: Pasojat e pandemisë në kulturë, afatgjata

06.08.2020 - 17:31

      Ndërsa humbjet për kulturën, gjatë pandemisë, llogariten rreth 90 për qind, poetja Luljeta Lleshanaku flet për pasoja afatgjata prej mungesës së artit. Ajo sugjeron ndërhyrje të menjëhershme, duke u fokusuar në prodhim dhe jo në promovim. Duke e konsideruar kulturën, jo si luks, por si nevojë të domosdoshme, a kusht parësor për shoqëri të ndërgjegjshme, ajo sjell shembuj nga perëndimi, për një qasje mbështetëse që do ta shpëtonte nga honi i mbylljes.

“Pasojat e pandemisë në kulturë janë afatgjata. Nuk bëhet fjalë për një sezon, mund të shkojnë disa muaj e një vit. Në këtë mes Gjermania ka ndërmarrë masa duke dhënë deri në 50 milionë dollarë për mbështetjen e organizatave të kulturës. Nuk është vetëm Gjermania, por ajo ka qenë më e ndjeshmja aq sa lexova një artikull ku thuhej se ‘Gjermania i bëri me turp të gjithë’ me ndihmën për kulturën”, – thotë ajo.

Ndërsa përmend shtete si Kanadaja, ajo argumenton se Shqipëria, një ndërhyrje të tillë e ka të domosdoshme

“Shqipëria është një vend i vogël, pa mundësi të tilla të mëdha e nuk mund të krahasohet. Por, pa ndërhyrje, Shqipëria do ketë vakum, një gropë të madhe në kulturë”, – thekson poetja. Që heshtimi kulturor të mos zëvendësojë sezonet e gjalla artistike, ajo propozon takimet virtuale, si një metodë alternative, vetëm për aq kohë sa masat anti-COVID e kërkojnë.

“Duhet zgjidhje për kulturën që të mos bllokohet. Sigurisht festivalet ‘online’ janë një zgjidhje. Unë vetë, në muajin qershor mora pjesë në Festivalin e Poezisë në Berlin, që ishte planifikuar ndryshe e u bë ndryshe, duke ju përshtatur pandemisë. U bë një takim virtual”.

Sa i takon krijimtarisë në këtë kohë, ajo bën një dallim që e gjen me vend.

“Ka një gjë interesante, që duhet thënë: arti i katastrofës është ndryshe nga arti për katastrofën. Artit i nevojitet distancë, që të prodhojë ide. Unë shkrova një poemë për festivalin e Berlinit, duke e nisur mbi karantinën, një lloj ditari. Por, që tani e shoh se ka diçka që i mungon, është distanca kohore që duhet të kesh me një ngjarje, për të prodhuar ide mbi të. Sepse ky është qëllimi i artit, idetë, ai nuk ka për qëllim, të jetë vetëm deskriptiv”.

Duke vlerësuar situatat e kësisojta, si një brerore që, po aq sa ushtron presion edhe shërben si shtrat e nxitje letrare, poetja, vëren edhe qasjen e përkorë që mveshi audiencat e njerëzit e letrave në karantinë.

“Ne pandemi, poetet u ngritën mbi egon vetjake. Postuan poetë e shkrimtarë shumë të mirë dhe arritën në atë mision të artit, që është komunikimi. Kam lexuar autorë që kisha kohë pa i lexuar dhe kam parë të postohen, poezi dhe prozë shumë e mirë”, – tha ajo.

E pyetur mbi politikat kulturore që do të ishin urgjente për Shqipërinë, pas një sezoni artistik të djegur e një tjetri që mbetet në dilemë, ajo i vë rëndësi prodhimit, para promovimit.

“Është e domosdoshme të investohet në prodhimin e kulturës. Të gjenden grante dhe rezidenca për artistët, që të arrijnë të krijojnë shkëputjen e të merren me art. Promovimi është i rëndësishëm pasi të jetë krijuar,.. e për të krijuar e prodhuar, duhen kushtet për artistët”, – vëren Lleshanaku.

Me qasjen për kulturën si luks e për artistët si bizhu, dëmi që i bëhet shoqërisë në terma afatgjata, është tejet i madh. Kultura është kultivim i mendjes e një mendje e pakultivuar, ndjell katastrofa.

“Ministrja gjermane e Kulturës, kur njoftoi për grantin që iu dha artistëve dhe organizatave, u tha se artistët, janë të domosdoshëm dhe vitalë për këtë situatë. Ne vetë, gjatë kësaj kohe të vështirë, ngushëllimin e kemi gjetur tek arti dhe letërsia. Sepse kemi në një anë vdekjen e në një anë mbijetesën, është pra, një situatë e vështirë”.

Lleshanaku është një prej poeteve më në zë në vend, me botime të shumta në gjuhë të huaja dhe me çmime që e veçojnë në Perëndim.