MENU
klinika

Mjeshtri i fjalës

Shuhet simboli i gazetarisë televizive italiane, Sergio Zavoli

05.08.2020 - 11:37

      Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare, Sergio Zavoli, mjeshtri i gazetarisë televizive italiane. Ai që vuri themelet e programeve historike, si ”La notte della Repubblica’, ishte komentator në radio, si edhe president i RAI-t, gjatë viteve 1980-’86.

Lindur në Ravenna në 1923, Zavoli ishte bashkuar me RAI-n, më 1947-ën, si gazetar i radios. Po ashtu, ai pati transmetime mjaft të suksesshme si TV7, AZ apo Controcampo.

Zavoli ishte gjithashtu, redaktor i ”Mattino di Napoli” (1993-94) dhe nënshkroi si kolumnist, për revista të ndryshme si: ”Oggi”, ”Epoca” dhe ”Jesus”.

Senator nga 2001 deri në 2018, në 2009-ën, ai u zgjodh kryetar i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e RAI-t.

Ai ka shkruar ese, të tilla si: ”Udhëtimi rreth njeriut” (1969), ”Lindja e një diktature” (1973) dhe ”Nata e Republikës” (1992).

 

Ai gjithashtu, botoi ”Dhjetë vjet të jetës sonë: 1935-1945” (1960); ”Njëzet vjet të tjerë të jetës sonë: 1945-65” (1965); ”Fëmijët e labirintit” (1974); ”Socialisti i Zotit” (1981); ”Romancë” (1987); ”Me këtë ritëm” (1993); ”Një vështrim i kujdesshëm” (1995); ”Dosja e kancerit” (1999); ”Dhimbja e padobishme” (2002); ”Ditari i një kronisti” (2002); ”Çështja: eklipsi i Zotit dhe historia” (2007).