MENU
klinika

Intervista

Në kavaletin e Dastid Milukës

13.08.2020 - 06:22

Dastid Miluka është dashuruar që në moshë të vogël me pikturën. Një dashuri që do ta drejtonte drejt imazhit për të vendosur rrugën e të ardhmes së tij. Do të shkëlqejë në kompeticionet artistike, jo vetëm në Shqipëri por dhe në botë. Pikturat e tij kanë një bashkëbisedim mes ëndrrës dhe reales dhe kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve të artit, herazi. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Krijimet e tij vijnë si një teatër personazhesh që bëjnë një lojë mes fantazisë dhe realitetit. Paradë botësh të kundërta, ngjyra, dritë dhe lëvizje janë bota imagjinative e këtij artisti që prej vitesh jeton në Bruksel. Ndër punët e tij më të famshme mund të përmendim « Puthja », « Në plazh », « Kthim në shtëpi », « Pianistja », etj. Për t’u njohur me krijimtarinë e tij më të zgjedhur artistike por dhe botën e brendshme të këtij artisti dhe konceptet e tij mbi jetën i kemi drejtuar pyetsorin e konica.al…

Cili piktor do donit të ishit në jetën tuaj?

Jeta e çdokujt, ashtu si dhe jeta e një artisti është e veçantë dhe unike. Ashtu siç dhe piktorët janë të shumtë në numër dhe nuk do dija jetën e kujt do të zgjidhja më parë për ta jetuar. Kam përshtypjen se më tepër do zgjidhja një jetë që është akoma e mistershme. Ndaj jam i sigurt se do zgjidhja jetën time.

Cila ka qenë aventura më e çmendur që keni bërë?

Të them të drejtën nuk mendoj se jam rasti tipik i aventurierit. Në fakt dhe kjo është relative, pasi dihet që shkon sipas natyrës së njeriut. Ka njerëz që quajnë aventurë eksplorimin e pyjeve të Amazonës, por ka të tjerë që quajnë aventurë dhe ekplorimin e qytetit ngjitur. Ka të tjerë që quajnë aventurë hedhjen me parashutë, por ka dhe që quajnë të tillë një arratisje fundjave në breg të detit. Kjo varet nga koncepti i gjithësecilit. Në rastin tim aventurat që kam bërë, nuk janë fare të çmendura.

Ka pasur në jetën tuaj ringjallje si Feniksi. Përshkruani një moment të tillë…

Çdo ditë që perëndon për mua është një fund dhe çdo mëngjes që lind është një ringjallje.

Me cilën prej elementëve të fashinos suaj çmendni një femer ose anasjelltas?

Vërtet që ka shumë elemente që bëhen më të rëndësishme se të tjerat, kur vjen fjala tek ajo se çfarë mund të na tërheqë më tepër tek dikush. Tek çdonjë nga ne janë të mirë përcaktuara që më parë dhe na paraqiten në mënyrë natyrale. Nga faktorët e dukshëm mund të jetë një shikim, një buzëqeshje apo një fjalë, por mënyra është e përcaktuar së brendshmi. E gjitha mendoj se qëndron tek kombinimi i mirë i elementeve por dhe tek ajo që është e përcaktuar që në ndërtimin tonë të brendshëm. Me këtë dua të them se nuk mund të pëlqesh dhe të jesh i pëlqyer nga të gjithë, apo anasjelltas.

Nëse hapni sirtarin e kujtimeve tuaja çfarë do veçonit?

Patjetër që kujtimet e fëmijërisë janë ato më të bukurat dhe më të veçantat. Është periudha kur çdo gjë ekplorohet për herë të parë ndaj dhe shijet janë dhe mbeten unike dhe më vonë kur rritesh.

Nëse do rimishëroheshit, çfarë do dëshironit të ishit?

Gjithmonë kam ëndërruar të di se si mund të ishte të jetuarit në qiell, ndaj për këtë do doja të kisha zgjedhur për të rilindur shpend. Më duket një gjë interesante të kesh krahë dhe të fluturosh qiejve.

Kush është njeriu që ju bën të shkoni në ishujt e parajsës?

Në ishujt e parajsës më çon vetëm vetja ime dhe një biletë avioni.

Tre epitete për veten…

Perfeksionist, kurioz, ëndërrimtar
Raporti me dashurinë sot. A keni pasur dashuri të mëdha?

Me dashurinë jo gjithmonë raporti është i lehtë. Është një fjalë e lehtë në dukje, aq e vështirë është është në kuptim dhe perceptim. Mendoj se raportet me të rregullohen me kohë apo të paktën kjo ka ndodhur me mua. Është një proces i tërë, i cili të çon nëpër gjendje dhe situata komplekse por në brendi është esenca e vertetë e jetës. Me kohë të mëson të vlerësosh dhe gjërat e vogla në dukje por aq të rëndësishme për të tërën. Të mëson që nuk është diçka posedohet por që është dhe lihet e lirë pasi vetëm në liri merr frymë. Tashmë e kuptoj si ndjenjë e cila me gjerësinë e saj krijon mundësi të pafundme dhe kjo është esenciale për mua si krijues.

Cila është filozofia e jetës suaj?

Bëj më të mirën dhe ndaje me të tjerët.

Plakje apo rini e përjetshme. Çfarë do ëndërronit?

Mendoj se çdo periudhë e jetës ka të veçantën e saj. E preferoj mënyrën e jetës të ndarë në etapat e saj. Një rini e përjetshme do ishte e mërzitshme..

Cilën prej komendamenteve të Biblës urreni?

Nuk urrej asnjërën prej tyre, pasi nocioni i urrejtjes është i huaj për mua por mund të them që më duket jo më aktual dhe pa sens komandamenti i dytë : “Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.”

Mendoj se duhet rivlerësuar, pasi nuk përbën më asnjë kuptim kjo urdhëresë.
Kush prej piktorëve të mëdhenj ju çmend?

Janë të shumtë piktorët, të cilët kanë qenë inspirim për mua dhe kjo që në moshë të vogël. Mendoj se kam marrë prej tyre elemente të cilët kanë bërë të mundur formimin tim si i tillë. I vlerësoj dhe i përulem me respekt të gjithë piktorët pa përjashtim, të cilët kanë dhënë dhe sakrifikuar çdo gjë nga vetja për të na dhënë sot këtë gral të pazëvëndësueshëm jetësor që është arti.

Si e percepton botën një piktor si ju?

Të bukur deri në mrekulli dhe të vuajtur deri në dhimbje.

Bukuria ju tërheq tek një femër apo diçka tjetër?

Mendoj se femra ka shumë karakteristika që e bëjnë atë tërheqëse. Gjithsesi unë do veçoja tre të tilla që më duken esenciale:bukuria, inteligjenca dhe kompasioni me idenë time dhe mendoj se këto përbëjnë trinomin perfekt.

Në sytë e një piktori çfarë përmasash merr bota?

Është e vogël por aq e madhe dhe e mbushur me një univers të tërë. Mund të gjendet këtu çdo gjë dhe atë që imagjinata më e hazdisur mund të bëj të ëndërrosh. Çdo gjë ekziston këtu rreth e përqark në këtë botë të vogël e të mrekullueshme. Gjithçka varet nga mënyra se si e shikon dhe e percepton atë.

Ndjeshmëria si artist deri në ç’caqe shkon. A ju ka dëmtuar ndonjëherë në jetën personale?

Është e vërtetë që ndjeshmëria për artistin është lënda përbërëse e tij, ashtu siç është gjaku për trupin. Gjithsesi mund të them, se aq sa është e rëndësishme për pjesën e krijimtarisë, po aq mund të ketë efekt të kundërt në jetën personale. Gjithsesi artistët janë të destinuar të bashkëjetojnë me gjendjet e tyre emocionale, duke i pranuar ato ashtu siç janë.
Në rrugëtimin tuaj si artist në cilën prej punëve tuaja nuk keni për të thënë më asgjë?

I konsideroj të mbyllura të gjitha punimet, të cilat janë të përfunduara. Mendoj se çdo punim vjen me një histori të vetën dhe kjo histori është e gjitha e thënë në momentin që vendos mbi punim penelin me ngjyrën apo vijëzimin e fundit.

Me cilën prej punëve tuaja jeni dashuruar më shumë?
Me ato punime të cilat nuk janë krijuar ende.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit