MENU
klinika

Historia

Në kërkim të pellazgëve me plis

12.08.2020 - 06:23

“Kam hallet e mia se m’ka humb qeleshja”, thotë teksti i një kënge të vjetër popullore. Por a e dini origjinën e plisit apo qeleshes siç njihet ajo rëndom sot? Që nga lashtësia, ekzistojnë shumë artefakte antike, ku personazhet janë me plis në kokë…por a është e njëjtë ajo, me origjinën e lashtë të plisit tonë, autentik shqiptar? (Në videon bashkëngjitur, një prodhim i “Pathe”, tregohet punimi i qeleshes -plisit apo qylafit – nga disa artizanë në Shqipërinë e vitit 1937).

Sipas Pashko Vasës (1825-1892) tek “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”: “Një gjë marrim ne përsipër: Gjithçka sa kemi sqaruar në lidhje me historinë, është e bazuar mbi logjikën e fakteve … Në qoftë se do të merren me to njerëz të tjerë, më të zotë dhe më të ditur se ne, ata do të jenë të shoqëruar në punën e tyre nga bekimet tona më të zjarrta”.

Në gjenezën e plisit, sipas entomologjisë, duhet të shohim dhe botimin e John Wilkes në veprën e tij “Ilirët” (Split, në vitin 2001), ku përmend ndër të tjerash se në urnat dhe relievin e varreve në Livna, në mes të Dalmacisë “shihen në mesin e kapelave të ngushta, edhe kapela e njohur e Ballkanit (qeleshja shqiptare) që shfaqet në relievin e Zenicës”.

Në mes të Beogradit dhe si simbol i kryeqytetit të Serbisë, ngrihet madhështore kolona “Fitimtari i Kosovës” (e përuruar më 07.10.1928) kushtuar, sipas medias serbe, fitores së Fushë-Kosovës mbi turqit. Statuja shpreh forcën ushtarake (kolona, trupi nudo i mashkullit dhe shpata) si dhe mbrojtjen hyjnore (shqiponja). Modeli i monumentit e ka origjinën tek tradita e Pellazgëve të lashtë, të cilët ngrinin shtylla të gurta pas çdo fitoreje. Këtë fakt na e dëshmon e Diodorit (Diodorus Siculus, shekulli i I-rë para Krishtit) i cili pohon se, “Faraoni Sheshoshi (Sesostri) ndërtoi shtyllat në formën e organeve gjenitale të burrit në rastin e popujve luftarak, duke besuar se mençuria e shpirtit të çdo populli do të shfaqet qartë në brezat pasardhës, nga pjesa kryesore e trupit. Por natyra jo-sllave e këtij monumenti, e dëshmon mbulesa e kokës, origjina e së cilës, lidhet me mitet Pellazge dhe në të gjitha format e saj historike, ka qenë karakteristikë e veshjes tradicionale të Shqiptarëve, deri në ditët e sotme”.

Në një rikthim pas, në albumin e librit “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, tregohet një skulpturë e Odisesë me qeleshe në kokë. Në po atë libër është edhe statuja e një bariu me fustanellë, qeleshe dhe një dash mbi supe, – e datuar si e shekullit të III-të para Krishtit. E kjo mbulesë tradicionale e kokës (sot e përdorur vetëm nga meshkujt) në shqip emërtohet “qeleshe”, “plis” apo “qylaf”. Emërtimi “qeleshe” tregon se, materiali i përdorur është leshi i bagëtisë, që sipas legjendave popullore është e trashëguar që nga periudha Ilire, ku qeleshja punohej prej leshit të shkelur (i shtypur me këmbë) të deles.

Nga dokumentet e kohës vërejmë se, “Në vitin 1715, feldmarshalli prusian Schulenburg, i këshillonte autoritetet veneciane që ta bazonin ushtrinë e tyre tek elementi shqiptar: edhe në rast se do duhej të rekrutonin ushtarë nga kombësi të tjera, këta duhet të mbanin kapele shqiptare”. Ndërsa studiuesi Orhan Rexhepi nga Presheva, vëren se, “Veshjet e luftëtarëve të ruajtura në rasat e Mikenës dhe në poçeri, janë po ato veshje të sotme kombëtare shqiptare, me fustanella dhe plis”.

“Pileusi (Plisi) ndryshonte nga të gjithë kapelet e tjera, si në formë edhe në ngjyrë. Kapelja e Flamenëve, ishte me majë të mprehtë si forma e piramidave; por pileusi u shëmbëllente kapeleve që venë priftërinjtë në mes të Hebrenjve. Kjo paraqitet nga Shën Hieronimi: Kjo veshje e fisshme (genus) është plisi i rrumbullakët, siç paraqitet në pikturat e Uliksit.” (Epist. faqe 515)

Edhe sot, ndonëse jo brenda territorit administrativ shqiptar, por në Kosovë (komuna e Klinës), njihet “Dita e plisit”. Ideatori dhe organizatori i saj, aktori Ismet Krasniqi thotë se, “plisi i bardhë, është identitet i shqiptarëve”, duke synuar ta fusin atë, në trashëgiminë jo-materiale të UNESCO-s.

Sipas Krasniqit, “plisi ka ekzistuar në fotografi të vjetra, si në dyluftime, në kishën e Deçanit apo në afresket e kishave të hershme, janë gjurmët e plisit që mbanin në kokë formën origjinale të plisit. Në Shqipëri është lënë në harresë plisi, ashtu sikundër edhe xhubleta apo veshjet e tjera popullore, në dallim nga viset e Kosovës, ku trashëgimia popullore është ruajtur dhe po ringjallet”.

Papa Klementi XI
Më tej ai përmend një fakt historik ku thotë se, “Në fillim të shekullit XVIII-të u zgjodh papë Klementi XI-të, që kishte prejardhje shqiptare, i fisit Kelmend. Me iniciativën e tij, më 1703 u mbajt një Konsilium i Peshkopëve të Shqipërisë, ku u mor vendimi që literatura kishtare të përhapej në gjuhën shqipe. Kapuçi i bardhë që ne shqiptarët e quajmë plis, qeleshe ose qylaf, i bërë nga lesh deleje i shkelur, konsiderohet si kësulë tradicionale e jona. Për plisin ekzistojnë tek ne gojëdhëna të shumta e të ndryshme, në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e tij”.

Manastiri i Deçanit. Sipër, shqiptarë me plis para Manastirit në fillim shekulli. Poshtë. Një nga afresket…me plis
Sot, njihen veçse pak mjeshtër të prodhimit të saj në Shqipëri, ndër ta dhe Ndriçim Guna, qeleshepunuesi në pazarin shekullor të Krujës. Sipas tij, “Gjatë Luftës së Dytë Botërore dyqani u shkatërrua, pasi mbetën vetëm mjetet që mundën të shpëtohen. Në vitet e mëvonshme kur Enver Hoxha vizitoi Krujën mësoi se, babai im akoma i ruante mjetet e përdorura në prodhimin e plisit, e dërgoi babain tim në një mjeshtër plisi në Tiranë. Babai im kështu kishte mësuar përsëri traditën tonë familjare të ardhur nga gjyshërit, por që për shkak të luftës kishte pësuar ndërprerje. Ai bëri shumë përpjekje që unë ta vazhdoj këtë profesion. Sot ndjehem mirënjohës ndaj tij”.

Guna pohon se, prodhimin e plisave si një profesion të ardhur prej gjyshërve, e bën prej shekujsh. “Mjetet që nevojiten për prodhimin e plisave i përdorim për një kohë për më shumë se njëqind vjet. Këta mjete më japin jetë mua dhe profesionit tim. Djali im është akoma shumë i ri. Siç dihet të rinjtë e ditës së sotme nuk duan që të merren me këta punë të vështira. Por unë, sado që ishte e vështirë, ia mësova këtë profesion atij. Tani më ndihmon mua.”

Historia e Plisit

Fjala “Plis” në gjuhën shqipe emërton një copë dheu, që shkëputet kur hapet brazda për mbjellje apo ndonjë punim tjetër . Kur filloi të punohej toka dhe të mbilleshin bimët e egra, që shënoi lindjen e agrikulturës (afro para 7-8000 vjetësh) dhe vendbanimeve të përhershme, atëherë ka lindur edhe hyjnizimi i dheut. Etruskët e Tarkuinës (Tarquinia, Itali), një fis pellazg, e shikonin fatin e tyre tek plisi i një toke të punuar në orët e para të mëngjesit. Siç pohon albanologu Hahn (Johann Georg von Hahn,1811-1869) : “Pellazgët e kohës para-historike, ishin bujq të mirë, mjeshtër të zot dhe tek ata kulti fetar ishte mjaft i zhvilluar“. Është interesant një e dhënë e Hahn-it : “Më duket se kam këndue te një vjershëtor i vjetër, se krijesa e parë e botës asht delja, e cila ka dalë nga Toka”.

Në objektet arkeologjike shohim artefakte që ju blatoheshin Perëndive, që mbanin mbi kokë një copë dheu-Plisin. Për ta bërë më të qartë simbolin mitik, kjo pjesë lyhej më bojën e zezë. Me këtë “shenjë” dëshmonin përkatësinë e fisit të tyre “të lindur prej dheut” pra, prej fiseve pellazge. Forma konike si e fëmijëve të Zeusit, binjakëve Dioskurë apo e Aleksandrit të Madh, është ruajtur tek shqiptarët e sotëm të zonës së Labërisë dhe Çamërisë (Molosia e lashtë). Në skulpturën e Perëndisë tokësore Serapi, Plisi (dheu) është i zbukuruar me bimë; tek Perëndësha Astarte, copa “e dheut” ka formën cilindrike, e cila është forma e qeleshes më e përhapur tek popullsia shqiptare. Sot e gjejmë si mbulesë të kokës, po në ngjyrë të zezë edhe tek priftërinjtë e Kishës ortodokse.

Vendosja e copës së dheut mbi kokë, ishte një ide e njeriut primitiv që e praktikonte mbi artefaktet prej balte, të cilat liheshin në altarë apo vende të shenjta. Praktikisht, njeriu e vendosi mbi kokë shumë më vonë, në kohën kur mësoi ta përpunojë leshin e deles (kur filloi artizanati) gjithmonë për të treguar origjinën e tij, hyjnore. Gjurmët më të lashta të përdorimit të qeleshes, janë gjendur në mijëvjeçarin e III-të para Krishtit.

Si përfundim, sipas historianes Fatbardha Demi: “Qeleshja në zanafillë, ka shërbyer si simbol fetar dhe administrativ, fakt që e dëshmojnë objektet arkeologjike. Emërtimi Plis, është i periudhës para-historike dhe përcakton kohën e hyjnizimit të Tokës dhe krijimin e mitit të origjinës dhe të ringjalljes, së njeriut. Këto mite, shprehin një fazë të re në besimin e lashtë ku krahas forcave të natyrës, që mbizotëronin deri atëherë në mitet e para, u ndërfut edhe figura e njeriut. Miti para-historik i origjinës, mbijeton edhe sot tek emërtimi plis i qeleshes dhe emri Arban-Arbëresh (i banun/i bërë nga Ara) të shqiptarëve. Në gjuhën shqipe “Tokës së punuar” i thonë – Ara, ku rrënja “ar” tregon natyrën hyjnore të saj. Edhe emri pellazg, dëshmon mitin e lashtë dhe në shqip do të thotë :”Të lindur nga dheu” (Spiro Konda). “Ky fakt”, krahas shumë të tjerave sipas Demit, “pohon se shqiptarët e sotëm e kanë origjinën prej banorëve të parë evropianë – fiseve Pellazge”.