Operacioni Forca e Ligjit vazhdon punën me të njëjtin intensitet në të gjithë territorin e Republikës.
Këtë herë, OFL ka zbritur në Fier dhe kërkon që të plotësohet formulari i deklarimit të pasurisë nga 4 të dënuar për prodhim e trafik të lëndëve narkotike.
Ata janë: Gentian Jakupi banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Edmond Golloshi, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë;
Vladimir Golloshi, banues në Fier, i dënuar në Greqi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Enver Brahushaj, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.