MENU
klinika

Konfirmimi nga Honda

Operohet sërish Marquez, mungon në Çeki

04.08.2020 - 13:43

Marc Marquez ndalet sërish! Kur u duk se gjithçka po shkonte drejt normalitetit, kampioni i botës merr një tjetër goditje. Spanjolli i është nënshtruar një tjetër operacioni në krahun e tij të djathtë, duke shtyrë për një kohë të pacaktuar rikthimin e tij në pistë.

Lajmi është njoftuar edhe përmes faqes zyrtare të skuderisë Honda, që konfirmon se Marquez do të mungojë edhe në Çmimin e tretë të këtij sezoni në Moto GP. Në garën e Çekisë, vendin e 26-vjeçarit do e marrë piloti testues i motorrave Honda, Stefan Bradl.

Vitin e kaluar, ish kampioni i Botës në Moto 2 garoi në katër pista, me rezultatin më të mirë që ishte një vend i 10-të. Një lëvizje që tregon qartë objektivin e Hondës për të zvogëluar distancën me ndjekësit, pasi duhet thënë se Marquez nuk ka marrë pikë në 2 garat e para.

E gjitha kjo për shkak se në garën hapëse të këtij sezoni në Jerez, spanjolli humbi kontrollin e motorrit, duke pësuar thyerje në 3 zona të kockës lidhëse të shpatullës me bërrylin. Kalendari i ngjeshur mund ta detyrojë Marquez që të humbasë shumë Çmime të mëdha, me doktorët që nuk japin ende një kohë rikthimi. Gara e Çekisë do të mbahet të dielën e 9 gushtit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN