MENU
klinika

Nga Kushtetuta te turizmi

Përplasjet mes Presidentit Meta dhe Kuvendit

12.08.2020 - 08:15

Presidenti Meta dekretoi dje ligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, që u miratua në Kuvend në seancën e datës 29 korrik. Por me gjithë dekretimin dhe shpalljen publike të këtij ligji, Presidenti Meta ka shprehur disa rezerva. Sipas tij, do duhej të kishte përcaktime më të qarta në procedurën e deklarimit të pasurisë. RAma Meta-Kuvendi

Kujtojme se përplasja mes Presidentit Ilir Meta dhe maxhorancës socialiste, që kulmoi pranverën e këtij viti më 2 mars, kur ai doli në shesh bashkë me mijëra qytetarë kundër asaj që ai e quajti maxhoranca që po bën grusht shteti, përtej retorikës politike, është luajtur edhe në fushën e dokumenteve zyrtare.

Janë me dhjetëra ligjet që Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend gjatë vitit 2019 dhe 2020.

Që nga ligjet që prekin kompetencat e tij kushtetuese, tek ato që ndërhyjnë në kodet rregullatore të vendit, Meta ka gjetur mangësi në shumë nisma ligjore që Kuvendi ka miratuar në periudhën pasi është larguar opozita e bashkuar (PD dhe LSI).

Nëse në vitin e shkuar, dy çështjet që përballën më fort Presidentin Meta dhe Kuvendin kishin të bënin me zgjedhjet lokale dhe procedurat për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, në gjysmën e parë të 2020-ës, përplasjet kanë qenë për çështje më “soft”.

Disa ligje me qëllim rregullimin në sektorin e turizmit dhe disa të tjerë në fushat e ekonomisë, janë kthyer nga Meta me arsyetime të ndryshime, që nga cenimet e pretenduara për liritë e investimit e deri te përdorimi i fjalëve të huaja në formulimin e neneve të ligjeve.

Por, të gjithë këto ligje, me përjashtim të dyve, ai për mediat dhe tjetri për kompetencat e Presidentit në betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nuk janë pranuar nga maxhoranca, që i ka rrëzuar njëri pas tjetrit në Kuvend.

Vlen të theksohet se në këtë periudhë “lufte” mes Kuvendit dhe Presidentit, “paqe” është bërë vetëm për ndryshimet në Kodin Penal për përballimin e pandemisë dhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që ishin produkt i marrëveshjes së 5 qershorit mes PS-PD-LSI.