MENU
klinika

Studimet

Polifonia shqiptare në lupën e akademikëve të huaj

10.08.2020 - 06:11

Polifonia jonë është një nga mjetet kulturore që na bën krenar që jemi shqiptar, pasi është kënga e shpirtit tonë, e stërgjyshërve tanë që e kanë kënduar e trashëguar deri në ditët tona. Sot do të japim një pasqyrë të gjerë se çfarë është kënga polifonike shqiptare, cilat janë studimet që janë kryer për të dhe si këndohet ajo.

Duke u bazuar në dokumentet që na vijnë prej arkeologjisë sonë muzikore, ajo çfarë vlen që të përmendet është gjetja e një unaze të shekullit të XV para erës së re, në gurin e së cilës është gdhendur figura e Panit brinoc me këmbë dhie, duke i rënë një vegle frymore me dy tyta të bigëzuara. Nga këto dëshmi provohet gjithashtu edhe ekzistenca e instrumenteve polifonikë që prej fillimit, që në ndërtim si p.sh tipi i fyellit të dyfishtë që dokumentohet në Shqipërinë Jugperëndimore, në Apolloni, që në shek. VI – V p.e.re dhe në luginën e sipërme të Vjosës në shek. IV-III p.e.re etj. Gjithashtu theksohet fakti se ekzistenca e polifonisë sot tek arbëreshët në Itali, provon se në shek. XIV – XV, kohë kur ata emigruan, polifonia ishte një realitet muzikor i pranuar nga të gjithë në Shqipërinë e Jugut.

Ende, në pamundësi të dokumentimit të fenomenit sonor të polifonisë sonë në kohët e vjetra, mund të themi se ekzistenca në folklorin muzikor polifonik e disa gjinive si. p.sh në këngën polifonike me origjinë mitologjike apo në “vallet rituale”, mund të provojë se polifonia ka qenë bashkëudhëtarja muzikore e përhershme e gjinisë. Në këtë tip kënge të bien në sy, si një shtresim i lashtë me prejardhje mitologjike, një varg thirrjesh që sjellin jehonën e praktikave ritualo – magjike, të lashta.

Si shembull mund të përmendim të tilla formula stereotipe të fillimit të këngëve: “Oj lia oj”, / Vaj lia vaj/ Vaj duduk vaj! etj. Këtu një vend të posaçëm do t’i kushtonim edhe baladave por dhe këngëve historike të cilat këndohen dhe vallëzohen në polifoni. Ndër më tipiket kemi këngën e Dhoqinës, e cila gjendet në një zonë të gjerë që përfshin Durrësin, Gramshin, Pogradecin (gjurmë të saj i gjejmë në Korçë), Përmetin, Libohovën, Gjirokastrën, Beratin, Fierin, Vlorën, Sarandën, Çamërinë si dhe këngët polifonike “Skënderbeu trim me fletë” dhe ajo e “Gjorg Golemit”.

Ajo që duhet të përmendet dhe duhet theksuar është që polifonia deri para viteve 1940 nuk ka pasur mundësi që të studiohet, madje fare mirë mund të themi se njerëzit nuk e dinin akoma që ky burim tradite kishte vlerat që ka sot, pasi ata jetonim me të, e kishin aty, nuk ishte e veçantë për ta.

Megjithëse pa ekzistencën e punimeve të mirëfillta mbi polifoninë popullore, ka ekzistuar një interes i përgjithshëm rreth këndimit muzikor shqiptar me shumë zëra, i shfaqur në punime të ndryshme, qofshin këto letrare, të arteve pamore apo dhe të fushave të tjera të dijes, i cili me sa kemi mundur ne të hulumtojmë deri më sot, datohet qysh në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVIII.

Ky interesim buronte dhe ishte i lidhur me faktin se “… Shqipëria mesjetare kish një pamje të një vendi të ashpër malor, të një zone tipike “strehimi e reliktesh”, ku ruheshin tipare arkaike të kulturës lëndore e shpirtërore e të organizimit shoqëror”.

Një të dhënë të rëndësishme për konstatimin e të kënduarit polifonik në jug të Shqipërisë na i jep Evlija Çelebi Sejjahatnamesi, në udhëpërshkrimet e tij të viteve 1660 – 1664. Ai shkruan se “… gjirokastritët kanë edhe një zakon tjetër të çuditshëm: vajtojnë njerëzit që kanë vdekë deri shtatë a tetëdhjetë vjet përpara. Çdo të Diellë gjith far’ e fisi i të vdekunit mblidhen në një shtëpi dhe bajnë përshpirtje për të ndjerin tue mbledhë vajtuese me pagesë të cilat qajnë e vajtojnë me dhimje të madhe, me za të naltë e të mallëngjyeshëm tue derdhë lot si rrëke. Në këtë ditë në qytet nuk mund të qëndrojë njeriu nga poterja e zhurma e vaktueseve. Unë e pagëzova Gjirokastrën ‘qyteti i vajtimit’.”

Përveç kësaj kemi një fjali të vetme të shkëputur nga vepra e Marie Wortley – Montagu, “Letters and Works”, në të cilën ajo pas vizitës në Shqipëri më 1817, shkruan për shqiptarët se: “Ata të gjithë janë të veshur dhe të armatosur me paratë e veta, ca burra zakonisht lakmitarë, të veshur në pëlhurë të pastër të bardhë, duke mbajtur pushkë tepër të gjata, të cilat i mbajnë mbi supe sikur të mos ndjenin peshën e tyre, me prijësin që ia jep një këndimi të ashpër, jo të pakëndshëm, dhe me të tjerët, që përbëjnë korin”.

Nga veprat e F.C. Pouqeville “Voyage en Moree, a Constantinople, en Albanie (pedant les annees 1789 – 1801), kemi këtë konstatim për vallen e kënduar polifonike kur thotë se “… këta banorë të maleve Akroqerame e bashkojnë këtë valle me këngë, që vijnë që nga shekujt famëmadhë të Skënderbeut dhe e përdorin për të qortuar qullosjen e osmanllinjve”. Në veprën tjetër “Voyage de la Grece”, të botuar më 1826, veç të tjerash, ai shpjegon efektin që i la këndimi i një kënge të dëgjuar pranë Lukovës me fjalët: “… shqiptarët këndonin me një zë aq të fortë sa të çponte veshët”, që ne mendojmë se nuk është gjë tjetër veçse këndimi së bashku në grup i një kënge polifonike.

Konstatim të polifonisë gjejmë edhe në veprat letrare me karakter autobiografik. Xhorxh Gordon Bajron (1788 – 1824), në veprën e tij “Çajld Haroldi”, mes të tjerash jep edhe këtë poezi mbresëlënëse të ndërtuar mbas dëgjimit dhe efektit sugjestionues të valles së kënduar polifonike:

Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,

darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe ;

Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,

Ju muar mentë fare nga ajo pamje ;

Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,

Përcjellësit ia nisën këngës tyre ;

Çdo Palikar e flaku tutje shpatën

Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,

Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.

Vlerësime më të përgjithshme për këndimin polifonik të jugut kemi edhe nga Henry Holland, në veprën e tij “Travels in the Ionian isles, Albania, Thessaly during the years 1812 – 1813” . Një e dhënë mjaft interesante për konstatimin e iso – polifonisë në gjysmën e parë të shek. XIX, na vjen edhe nga udhëtimi në Shqipëri, e konkretisht në Janinë, në periudhën shtator tetor të vitit 1830 i anglezit Benzhamin Dizrael (1804 – 1881), më pas kryeministër i Anglisë për rreth 12 vjet. Në një nga letrat që i dërgon nga Janina të atit ndër të tjera ai shkruan: “… një natë Mehmet Aga solli një grup këngëtarësh të cilët kënduan me iso një balladë për vrasjen e Veli Beut dhe rebelëve të tjerë”.

Studimi i parë mbi polifoninë tonë popullore është shkruar nga studiuesi Ramadan Sokoli në vitin 1959, me titullin “Polifonia jonë popullore”, fillimisht botuar më vete, e më pas si një pjesë e librit të tij “Folklori Muzikor Shqiptar”, Tiranë 1965. Megjithëse gjithçka përfshihet atje është veçse disa faqe, piketat e para të studimit të polifonisë sonë popullore u ngulën me këtë vepër. Me pak fjalë aty jepet shtrirja gjeografike e të kënduarit polifonik, veçoritë e ndërtimit të shumëzërëshit, shkallët pentatonike të polifonisë jugore dhe të dhëna të tjera me interes rreth saj, së bashku me disa transkriptime të muzikës popullore polifonike. Në këtë botim mbi folklorin muzikor shqiptar, në pikëpamje të klasifikimit, polifonia zë vendin qendror, dhe trajtohet krahas dukurive të tjera të folkut tonë.

Nga pasqyrimi në letërsinë shqiptare i dukurisë së polifonisë, do të përmendja romanin “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë ku “… gjejmë të pasqyruar jo vetëm riprodhimin e një prej dukurive më domethënëse të etnomuzikës shqiptare, të polifonisë në vajin e grave, por dhe shpjegimin e gjendjes muzikore me një tjetër “partiturë”. Më poshtë kemi një skemë të përafërt grafike të linjave muzikore të 4 vajtojcave:

Vajtimi i vajtojcave Karakteristikat vokale

Zëri I (këndon) zë i dridhshëm

Zëri II (këndon) zë akoma më i dridhshëm

Zëri III (këndon) ligjërim

Zëri IV (këndon) vajtim

Pas polifonisë së plotë me të katër zërat, vijohet me një ndërlikim të formulës, e cila qëndron në marrëdhënie më specifike fillimisht mes zërit të I e atij të III e tipit marrje-prerje; pastaj një diafoni e ndërprerë në mes të zërave IV dhe të I (“… duke ndërprerë njëra tjetrën”), të cilave u shtohet edhe zëri i III, e më tej përfundojnë së bashku për të filluar përsëri. Prirja për të “notizuar” dukurinë e polifonisë popullore, nuk mbetet me kaq.

Duhet thënë se këngët polifonike labe në grupe të ndryshme kanë edhe interpretime e stile të ndryshme.

Ja disa nga karakteristikat e stilit bënçor-Tepelenë: Duhet zotëruar frymëmarrja e gjerë dhe e thellë e melodisë së marrësit; Kontrapunkti aktiv që mbart dhe sjell zëri i dytë; Ritmika e përzierë dhe e pasur muzikore; Pasuria dinamike shoqëruar nga begatia e shndërrimeve agogjike të saj.

Ndërsa duke kaluar në interpretimin e këngës labe të stilit tragjasiot –Vlorë spikat melodia e folur, recitative, dominuar nga përmbajtje me shprehje të theksuara epike; Ritmika shumë e aksentuar; Dinamika e zhdërvjellët; Regjistri qendror i tingëllimit zanor; Harmonia zanore – modet mbi të cilët zhvillohet melodia, i përket tipikës popullore; Kontrapunti i ngjeshur i zërave, etj. Dukuri dhe veçori të tjera shpalos stili piluriot – po i Vlorës, i cili shquan për pika të përbashkëta me zërin e parë dhe të dytë të stilit bënçot –Tepelenë; për vibrimin vërtet karakteristik dhe plot larmi ngjyrash të zërit të tretë; zotërimin e një modaliteti, harmonie të qëndrueshme, si të zërit të tretë, po ashtu edhe atij të katërt, të isos.

Iso – ja e cila, për hir të së vërtetës, në këngën polifonike shqiptare, labe e toske me dialektet, nëndialektet e stilet që paraqitet ka pasur, ka dhe do ta ketë përjetësisht për qëllim të: sigurojë, të garantojë logjikën e mbështetjes modale të linjave muzikore të grupit vokal, grupit polifonik– racionalitetin harmonik – të polifonisë kontrapunktistike; një ritmikë këmbëngulëse dhe të vendosur; interpretimin vokal të këngës gjithnjë në regjistrin e lartë të tingëllimit; veçanërisht hapësirë e pafundme, e tejskajshme, e asaj natyre dhe e atij karakteri kaq spontan, improvizues të zërit të parë; të zotërimit të një fantazie, aq të “çuditshme” mahnitëse e po kaq mjeshtërore, pasuruar nga një endje filigrane e stërholluar e stilit polifonik të Skraparit.

Një shkollë e madhe interpretuese, nga e cila duhet të drejtojnë sytë e mendjes e të rimarrin interpretuesit e rinj, është i paharrueshmi, interpretuesi i shkëlqyer, fenomenali, bilbili i Skraparit Demir Zyko dhe grupi i tij.