MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

Pse Berisha është tipik gërr-mërri me Ben Blushin dhe jo me Sandrin?

12.08.2020 - 19:14

Nga Frrok Çupi

Para se Maria Mercader, gazetare e CBS, të jepte shpirt nga koronavirusi, kishte mbajtur shënime si po i mbylleshin ditët e jetës. Dhe në fund tha: ‘Oh, sa shumë tesha ka kjo gardëroba ime… Ç’i dua të gjitha këto? Po pse kaq shumë rraqe mbledh njeriu?!’. Gazetarja jetëgjatë e CBS, e mbylli jetën e rrethuar nga simptomat dhe shumësia e gjërave të kota.

Ne kemi rrethe rrotull pikërisht ‘teshat e kota’ dhe simptomat e një epoke që po vdes, fatmirësisht. Po vdes epoka e këtyre që kanë grumbulluar gjithçka për vete, e kanë lënë popullin cullak pa mjete jetese dhe pa dinjitet, i kanë marrë pronën, i kanë cof të drejtën, i kanë vënë zjarrin dhe e kanë poshtëruar…, dhe tani ja ku janë në flluskën që quhet ‘epokë’ e tyre.

Simptomat nisin në krye të flluskës:

Njësoj si Maria, rrethuar nga tesha pa fund, kemi për shembull, presidentin e Republikës. Mblodhi, mblodhi, mblodhi…., para, toka, vila, flori, miniera, fabrika, pallate…, pa punuar kurrë dhe tani nuk ka as shansin më të vogël që ta mbledhë ‘gardërobën’ e kotësive. Në radhë të parë vetë presidenti i del tepër kombit. Një tepricë e asaj natyre që e nxjerrin jashtë kombet, qytetet, lumenjtë, dhe vetë organizmi i njeriut i nxjerr jashtë tepricat natyrshëm. Presidenti ka mbërritur në simptomën ‘as i gjallë as i vdekur’. Parlamenti që e ka zgjedhur, e ka nxjerrë jashtë si tepricë, por ai bën si trim që nga qymezi i presidencës. Parlamenti e ka shpallur Presidentin një dhunues të Kushtetutës, mijëra herë më rëndë se dhunuesi i gardianit ndaj të burgosurit. Kur dhunon kushtetutën e Republikës të pret ‘vdekja legale’. Prokuroria e Përgjithshme po vonohet që të marrë presidentin të pandehur për krimin e dhunës ndaj ligjit themeltar të shtetit të kombit. Epoka e keqe e një presidenti- tepricë, po vdes, fatmirësisht.

Ka kohë që ka vdekur ‘lloji i teshave të kota’, si te gardëroba e Maria Mercader. Kishte mbetur vetëm Meta, prej llojit të tij. Kam një tregim për miqtë, çfarë më ndodhi kur dikush më kishte hyrë në shtëpi e kishte vjedhur çfarë i nevojitej. Ndodhi para disa vjetësh. Kur e solli policia për të dëshmuar provat, vjedhësi ishte një djalë aq i ri sa mund ta quaje edhe fëmijë, diku te 13 vjeç, nga Babru e Tiranës. Këtë punë bënte ai, të atin që e kishte bërë këtë më parë, e kishin burgosur. Ngjitej nëpër pallate deri në katin e dhjetë, si një spiderman. Gazetarët e kronikës patën rastrin ta njohin e intervistojnë… Mirëpo ku është ai tani? Askund. Shpresoj që të jetë diku, por nuk është më ai ‘hajduti i famshëm’. Edhe djaloshi 13 vjeçar e la një ditë vjedhjen, sepse nuk mbahet jeta me vjedhje. Kjo është kategoria, pra, kategoria që tani nuk është. Kjo është edhe simptoma se epoka e Ilir Metës ka vdekur. Nuk shtyhet jeta me vjedhje, grabitje, vrasje, mashtrime, dhunime…

Kjo ‘epokë’ kishte vdekur me kohë, por se kush e mbajti gjallë si Makbethi. Makbethi vriste për fronin e mbretit, ndërsa këtu kanë mbajtur gjallë ‘epokën Meta&LSI’ për të mbajtur pushtetin. Por edhe kjo ka mbaruar. Nuk e bazoj këtë lajm të mirë vetëm në faktin se aleatët tanë Perëndimorë po ngrenë drejtësinë dhe po kositin barin e keq, por sepse vetë natyra njerëzore i nxjerr jashtë tepricat. Vite më parë, ish- presidenti Berisha kishte bërë parashikimin e papritur se ‘Ilir Meta do ta mbyllë jetën prapa hekurave të burgut’. Sikur Iliri, që atë ditë të kishte shkuar në punë të vet pasi u kap në vjedhje të mëdha publike, siç bëri edhe djaloshi nga Babru, atëherë sot do të ishte harruar bashkë me epokën.

Po në ç’planet mund të transferohen këta të kategorisë së ‘tepricës’. Ne jemi kombi i vetëm në botë që ende kemi në krye të shtetit njerëz që nuk kanë punuar kurrë më parë, dmth., para se të kapnin kreun. Kemi edhe njerëz të pasur pa fund teksa nuk kanë punuar asnjë ditë. Kush mund të thotë çfarë profesioni ka Ilir Meta? Nuk ka… Po Monika e tij? Nuk ka… Po Luli, ç’profesion ka, vallë?… Askush nuk i ka parë kurrë të ushtrojnë zanat a të bëjë një punë. Nuk ka komb në botë që vë në krye atë që më parë nuk e kanë thërritur ‘mjeshtër’, e jomë ta kenë gjetur në rrugë….Simptoma e vdekjes së epokës së tyre është e qartë.

Jemi të rrethuar më shumë me simptomat e ikjes së këtyre se sa me simptomat e gripit të tmerrshëm vdekjeprurës. Nuk i dalloni, vallë, kur simptomat janë të thjeshta, madje vetëm me një të teshtitur?! Po është shumë e thjeshtë: Pse po teshtin politika tani për televizionet? Arsyet të dërgojnë te vdekja e epokës: E para se vetë televizionet, duke shërbyer mafie e politikë, po vdesin. E dyta, se vetë epoka në ikje po kapet me thonj pas mjeteve publike. Ish presidenti i Republikës dhe njeriu që ka shënjuar jetën e njeriut të shkretë, Dr. Sali Berisha, është kapur pas drejtorit të Top Channel. Pse është tipik gërr- mërri i tij me Ben Blushin dhe jo me Sandrin? As me Benin, në fakt, por me vajzën e tij, ende të pa rritur. Media po shkruan se ish- presidenti po hakmerret ndaj Blushit sepse ky ka publikuar afera korruptive të të birit. Nuk e kam të qartë, por kjo mund të jetë arsyeja. Ndërsa në sensin e ‘vdekjes’ së një epoke, e shikoj tjetërkund simptomën: E shikoj te fakti që një brez i ikur gjuan nga frëngjitë e brezit në të ardhur. Çfarë është kjo, veçse konfirmim se ‘epoka vdiq’, tjetra nis të vijë?!

Aq më shumë që simptoma e luftës personale që nga kreu i shtetit paska qenë këtu mes nesh si virusi korona, dhe paskemi jetuar në flluskën e vdekur.

Unë po e provoj me veten time, po e provoj si herën e parë kur vdiq një epokë tjetër. Kjo ishte në vitin 1997 kur e mësuam të vërtetën se shteti ishte një mafioz i gjallë që desh të bluante qytetarët e vet. Shteti ngriti piramidat financiare, grumbulloi në duar të veta gjithçka kishte njeriu këtu, lau edhe paratë e veta të kontrabandës, dhe hapi depot e armëve. Thashë  se do të them një gjë nga vetja ime: Edhe atëherë, si sot, presidenti i vendit më akuzoi si ‘poliagjent’. Njësoj si presidenti i sotëm që më quan ‘agjent’. Domethënë u ka ardhur ngordhja përsëri, njësoj si u erdhi në vitin 1997…

Po atëherë epoka e tyre vdiq në sytë e popullit, por u ringjall në kulisat e politikës. Kush i mbajti në fuqi ata që dogjën vendin atëherë? Kjo është pyetja që shtrohet edhe sot: Mos vallë këta po mbajnë njëri tjetrin edhe kësaj here, edhe pse kundër ligjësive të vdekjes?!

Nuk më duket se  mund ta bëjnë. Jo pse ne jemi të fortë përballë rrezikut tonë, por sepse ata janë dekompozuar shumë. Vdes edhe epoka, siç vdes qyteti, vdesin autorët, vdes Roma, vdes lumi- nuk mund të ndodhë ndryshe. Kështu ndodh me gardërobën e kotësive.