MENU
klinika

Dokumentet amerikane: Raporti sekret, 10 gusht ‘48

Ambasadori grek i kërkoi SHBA-së ndërhyrjen e rusëve…

07.08.2020 - 11:44

       Publikohet për herë të parë dokumenti tepër sekret i Departamentit amerikan të Shtetit, që hedhin dritë mbi veprimtarinë diplomatike të SHBA-ës në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së në 1948-ën, për të ndaluar qeverinë komuniste të Tiranës të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, në ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Greqisë dhe ndihmat ushtarake që ajo i jepte gueriljeve komuniste të gjeneralit Markos Vafjadhis.

Si dhe notat e protestës që Tirana zyrtare paraqiste pranë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku ajo ankohej se po ndërhynin në punët e brendëshme të saj.

Për pesë vjet me rradhë, nga 1945-sa e deri në ‘49-ën, kohë në të cilën zgjati lufta civile në Greqi e cila u zhvillua ndërmjet forcave qeveritare (ELLAS) të kryeministrit Caldaris dhe atyre guerilje partizane komuniste (EAM) të komanduara nga gjenerali Markos Vafjadhis), qeveria komuniste e Tiranës e kryesuar prej Enver Hoxhës, jo vetëm që u përzie në punët e brendshme të Greqisë, por ajo i dha një përkrahje dhe ndihmë të madhe forcave komuniste greke të gjeneralit Markos, të cilat konsistonin në: teknikë e pajisje ushtarake, ushqime, veshmbathje etj.

Jo vetëm kaq, por gjatë atyre pesë viteve, territori shqiptar dhe portet e saja u bënë bazat kryesore ku shkarkoheshin me mijra ton mallra ushqimore dhe teknikë luftarake, që vinin këtu nëpërmjet vëndeve komuniste të Europës Lindore, të kryesura prej Bashkimit Sovjetik. Ndihma të cilat ishin të destinuara për forcat guerilje komuniste greke të gjeneralit Markos Vafjadhis.


Telegrami i Zëvëndëssekretarit të Shtetit për Gerald Dreë në Selanik. I Kufizuar. Washnington, 2 prill 1948. 86. Balcam 131 për Z. Dreë.

Departamenti është plotësisht dakord me përpjekjet për të siguruar veprime të vazhdueshme të UNSCOB-it lidhur me protestat shqiptare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (referohuni telegramit Combal 127) Me ambasadën greke kemi biseduar sipas pikëve që u kërkuan. Ne mendojmë që komunikimi që i bëri pala shqiptare Sekretarit të Përgjithshëm më 17 mars, na jep rastin që UNSCOB-i, t’i kundërpërgjigjet drejtpërsëdrejti qeverisë shqiptare duke vënë në dukje se ai komunikim pasqyron mungesën e sinqeritetit nga ana e qeverisë shqiptare si dhe duke nxjerrë në pah të gjitha përpjekjet pajtuese të UNSCOB-it dhe intrasigjencën shqiptare. Deklaratat që do të bëjë UNSCOB-i mund të përfshijë dhe një aluzion ndaj kandidaturës së Shqipërisë për antarësi në OKB si dhe të pasqyrojë mospërputhjen midis qëndrimit shqiptar ndaj UNSCOB-it dhe qëndrimit kooperues e bashkëçpunues që kërkon Karta. Departamenti është tepër i intersuar për të dhënat mbi veprimtyarinë ushtarake në Shqipëri dhe rekomandon që deklarata e UNSCOB-it të përfshijë të dhënat e mësipërme për të bërë çfarëdo efekti. Ky problem të shtrohet në vija të përgjithshme si vijon: “UNSCOB-i është tepër i shqetësuar për të dhënat që flasin për veprimtarinë ushtarake që zhvillohet në Shqipëri në përgatitjen për mbështetjen në shkallë të gjërë të gueriljeve greke. UNSCOB-i shpreson me sinqeritet se këto të dhëna nuk qëndrojnë sepse po të ishin të vërteta, UNSCOB-i do të jetë i detyruar të drejtojë urgjentisht vëmëndjen e OKB-së për pasojat serioze që mund të sjellin veprime të tilla. Ne sugjerojmë që ky komunikim të transmetohet si drejtpërsëdrejti ashtu dhe nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm dhe t’i jepet publicitet i gjërë.

(Dërguar Selanikut, Tel. Nr. 86 për Komitetin e Ballkanit. Nr. 131: përsëritur Beogradit Nr. 148, Londrës 1146, Parisit 1074, Moskës 346. (LOVETT)

I njohur gjithashtu si Telegrami Nr. 131, datë 31 mars, ora 4 pasdite nga Selaniku: protestat shqiptare kishin të bënin me “provokacionet greke” dhe kishin për qëllim të informonin Sekretarin e Përgjithshëm dhe opinionin publik

(501.BB Balkan 13-3148).

Shënim: Gerald A. Drew-Zëvëndëspërfaqësues i SHBA-së në UNSCOB

(Komiteti Special i OKB-së për Ballkanin)

Asambleja e OKB-së: Shqipëria të mos lejojë gueriljet greke në tokën e saj

“501. BB Balkan 18-948: Telegram Sekretari i Shtetit drejtuar Zotit Artur W. Parsons në Athinë. Sekret. Washington, 9 gusht, 1948. Balcom 197. U sugjerojmë që t’i rekomandoni UNSCOB-it t’i drejtojë menjeherë një notë të drejtpërdrejtë Shqipërisë në përputhje me orientimet e mëposhtëme: UNSCOB-i ka mbajtur shënim për faktin se Ushtria Greke është angazhuar në operacione ofensive kundër forcave guerile të vendosura shumë afër kufirit shqiptar. Në rast të arritjes së suksesit nga Ushtria Greke, ka të ngjarë që disa, ose të gjitha këto forca mund të përpiqen të shpëtojnë duke kaluar kufirin për në Shqipëri. Në ushtrim të funksioneve të tij, në përpjekje për të zhvilluar marradhëniet e fqinjësisë së mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe në frymën e Asamblesë së Përgjithshme të datës 21 tetor 1947, e cila i bëri thirrje Shqipërisë që të mos ndërmarrë asnjë veprim që të shkojë në ndihmë të gueriljeve. UNSCOB pret që Shqipëria ose të mos lejojë kalimin e gueriljeve që kërkojnë të hyjnë në Shqipëri, ose t’i çarmatosë apo t’i internojë këta guerilje në përputhje me parimet e njohura të së drejtës ndërkombëtare”. Në qoftë se skuadrat e vëzhguesëve të UNSCOB-it kanë raportuar ndërkohë për raste të kalimit në Shqipëri të gueriljeve që marrin arratinë, atëhjere n atë notë të bëhet aluzion për këtë fakt. Një notë e tillë do të bënte që ta vinte para përgjegjësisë Shqipërinë në rast se forcat e arratisura të ktheheshin përsëri në Greqi. Një notë e kësaj natyre mund t’i transmetohet direkt qeverisë shqiptare dhe një kpje t’i dërgohet Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për informim.

(Marshall)

Ky mesazh iu dërgua edhe ambasadës në Greqi me numër 1131)
Qeveria e Tiranës: SHBA-ja po na bën presion

Lidhur me përpjekjet e SHBA-së për të bërë presion mbi vëndin tonë për të ndërprerë ndihmën internacionaliste për lëvizjen partizane në Greqi, vlejn të përmënden dy dokumente të kapitullit në fjalë.

Me një memorandum të datës 18 gusht drejtuar dy funksionarëve të Drejtorisë për Çështjet e Evropës Jugore, Leonard I. Cromie i Drejtorisë për çështjet e Greqisë, Turqisë dhe Iranit, në Departamentin e Shtetit theksonte se: “Me 10 gusht, ambasadori grek i bëri një vizitë Lovettit (zëvëndëssekretar i shtetit) dhe kërkoi që SHBA:
a) ose të kërkojë ndërhyrjen e rusëve tek shqiptarët për të arritur çarmatosjen dhe internimin e gueriljeve të arratisur.
b) ose t’u bëhet shqiptarëve një kërkesë direkte trepalëshe, SHBA-Angli-Francë, nëpërmjet ministrit francez (në Tiranë) po për të njëjtin qëllim”. Zoti Cromie bënte të ditur se Departamenti i Shtetit i kishte dhënë udhëzim zotit Parsons që të propozonte në UNSCOB që të bëhej një demarsh po në këtë frymë, si rezultat i të cilit u arrit rezoluta e UNSCOB-it e datës 12 gusht. Ai shënonte gjithashtu mendimin që zotëronte në Departamentin e Shtetit se ky veprim do t’i kënaqte grekët; por më 17 gusht, ambasadori grek mori takim me z. Jernmegan dhe paraqiti një kerkesë tjetër për një demarsh drejtpërdrejtë trepalësh. (808.00/8-1848)
“501. BB Balkan/9-248: Telegram
Sekretari i Shtetit drejtuar ambasadës në Francë

Sekret. Washington, 2 shtator 1948. Urgjente. 3425.

Ndonëse Departamenti është dakord që të bëhet pranë Tiranës demarshi trepalësh i propozuar (Telegrami i Departamentit Nr. 3358. datë 28 gusht) ai duhet të tregohet i rezervuar porsa i takonb një demarshi të mëtejshëm të mundshëm ndaj Moskës. Megjithse, me sa duket, në Athinë, tashmë ka dalë në shesh çështja, Departamenti sugjeron që çështja e demarshit në fjalë të mos publikohet deri sa të merret përgjigjia shqiptare ose të kalojë një kohë e nevojshme për përgjigjien me qëllim që të rritet sadopak mundësia për një përgjigjie të favorshme nga Shqipëria. Departamenti është i mendimit se ky demarsh nuk duhet të drejtohet në mënyrë të ngushtë e specifike në çarmatosjen dhe internimin e gueriljeve greke në Shqipëri, sepse një anim i tillë mund të presupozonte një njohje të gueriljeve, si palë ndërluftuese, nga e cila do të lindte nevoja e gjetjes së detyrimeve specifike sipas të drejtës ndërkombëtare për çarmatosjen dhe interninmin e tyre. Përkundrazi, ai demarsh duhet të jetë i përgjithshëm dhe me synimin që të arrijë në atë që Shqipëria të ndërrmarrë hapat e duhura në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, për të penguar shpërthimin e ekspeditave të armatosura nga territori i Shqipërisë kundër qeverisë greke. Kemi frikë se demarshi, siç është formuluar në projekt-udhëzimet franceze (telegrami i ambasadës Nr. 4424, datë 25 gusht), do të sillte si rezultat thjesht një përgjigjie ekuivoke të Shqipërisë sikurse ajo tashmë është duke i çarmatosur dhe internuar gueriljet greke.

Për të parandaluar një përgjigjie të tillë, ministri francez mund t’u referohet pretendimeve shqiptare të bëra lidhur me këtë çështje në notën e Shqipërisë të datës 24 gusht drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, të OKB-së dhe emisionit të po asaj dite të Radio Tiranës që përmëndte çarmatosjen dhe internimin e 1322 gueriljeve që kishin kaluar kufirin kohët e fundit. Ndërsa të pranojë mundësinë që disa guerilje në fakt janë çarmatosur dhe internuar, ai mund të theksojë se ka të dhëna që flasin për lëvizje të gueriljeve kohët e fundit nga Gramozi për në Shqipëri, numri i të cilëve i takon në mënyrë të ndjeshme shifrat e përmëndura në notën shqiptare dhe në emisionin e Radio Tiranës, numër ky që ndoshta arrin në 5.000 vetë, dhe se ka të dhëna të sigurta që një numër i madh prej tyre janë futur përsëri në Greqi në pika të tjera kufitare. Për shembull rreth 1.200 vetë llogariten të kenë arritur në rajonin e Vicit nëpërmjet shqipërisë. Vëzhguesit e UNSCOB-it kanë vënë re personalisht se në rrugën Bozhigrad-Bilisht, paralel me kufirin në Shqipëri ka patur një trafik të madh e jo normal gjatë natës dhe me 21 gusht ata kanë qenë vetë dëshmitarë të një sulmi të fuqishëm të shpërthyer nga gueriljet nga territori shqiptar kundër forcave të Ushtrisë Kombëtare Greke ne territorin e Greqisë, megjithëse posta kufitare shqiptare ndodhej afër vendit të ngjarjes. Ministri francez mund të përfundonte duke thënë se nën dritën e fakteve të tilla Shqipëria do të bindte opinionin botëror se, siç pretendon, ajo nuk ndërhyn në punët e brendshme të Greqisë, duke lejuar, siç ka barë vazhdimisht Greqia, UNSCOB-in të bënte inspektimin e rajonit, në përputhje me kërkesën e veçantë të Aamblesë së Përgjithshme në trajtimin e çështjes së kufijve të Greqisë. Departamenti është më se i mendimit se Ministri francez duhet t’i vërë në dukje qeverisë shqiptare se demarshi i saj në emër të SHBA-së, Anglisë dhe Francës bëhet për të dhënë mbështetjen e plotë diplomatike tre qeverive në punën e organeve të OKB-së që merren me rastin e Greqisë dhe se ai pasqyron pozitën e fortë që do të mbajnë të tre qeveritë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1948 për të përkrahur UNSCOB-in. Departamenti e kupton se ky propozim ndryshon disi nga pozita angleze (Tel. i ambasadës Nr. 4423, datë 26 gusht) dhe e vlerëson objektivin taktik të Anglisë për të sugjeruar që të hiqet referenca për UNSCOB-in.

Megjithatë Departamenti mendon se do të ishte një gabim i madh nga pikëpamje e strategjisë diplomatike të tregosh se të quajturit “vende satelite” ka bërë që Fuqitë Perendimore të lëkunden në mbështetjen për OKB-në si instrument i paqes. Në rast se shqiptarët e hedhin poshtë propozimin për një inspektim nga ana e UNSCOB-it, gjë që pritet, ministri francez në Tiranë është e nevojshme t’i pyesë ata në se kanë ndonjë propozim tjetër konstruktiv për të bërë, për të arritur verifikimin objektiv të veprimeve shqiptare. Kuptohet që ky propozim të bëhet në përputhje me detyrën e OKB-së për ruajtjen paqes. Është e kuptueshme që ministri francez duhet t’i lihet dorë e lirë në formulimin e demarshit dhe sugjerimet e mësipërme nuk synojnë ta detyrojnë Ministrinë e Jashtme të Francës, t’i përmbahet një formulimi të caktuar të udhëzimeve. Përkundrazi, këto sugjerime janë më tepër me qëllim që të theksohet me tepër mënyra e paraqitejs së çështjes nëpërmjet këtij demarshi, i cili, sipas mendimit të Departamenit, ose do të sjellë si rezultat një veprim të favorshëm nga ana e Shqipërisë, ose, çka është më e mundshme, të na sigurojë një demonstrim të qartë para opinionin publik të refuzimit shqiptar për të lejuar një hetim të plotë të sjelljes dhe veprimeve të Shqipërisë. Lutemi diskutimi mi sa sipër urgjentisht me Ministrinë e Jashtëme të Francës dhe Foern Ofisin e Anglisë dhe na njoftoni për veprimet e ndërrmara. Nëqoftë se e konsideroni të nevojshme për të rregulluar hollësirat, sugjerojmë që të caktoni me ta rrugët e komunikimit me departamentin për çështjet e lartpërmëndura ./Memorie.al