MENU
klinika

Nga Gëzim Basha

Rekuiem që nuk do të doja ta shkruaja për Arben Bajon

11.08.2020 - 21:00

Na iku Arben Bajo!
Kur miku ynë i përbashkët, skulptori Artan Marku më shkroi “Beni na la…” bota këtë Gusht u bë më e ngushtë!
Jemi rritur bashkë në Shtëpinë e Pionierit të Gjirokastrës dhe në studion magjepse të profesorit tonë të shtrenjtë, Stefan Papamihali, i cili besoj ka dalë ta presë Benin në ahiret e parajsës!
Katër vjet shokë bange dhe dhome në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” të Fierit, ku Arbeni ndriti mbi këdo me talentin dhe energjinë për punë.
Zia për Arben Bajon është e pashmangshme por po aq i pashmangshëm është celebrimi i jetës së tij si një nga artistët më të mëdhenj të artit figurativ Shqiptar.
Arbeni i ra pash më pash ferrit shqiptar duke na mundësuar atë që duket krejt e pamundur, plastikën e imazheve. Ashtu si Bodleri, Arben Bajo—ky poet i madh i formës—pa me syrin e mprehtë të artistit Lulet e së Keqes, harmoninë disharmonike të deformimeve njerëzore, viktimat e mjerimit, ato stalagmite dhimbjesh që zgjaten në formë skeletesh e prehen mbi poltronë.
I injoroi me finesë estetike skemat e klasicizmit anakronik të skulpturës (sonë) tradicionale, u bë skulptori më i ndjeshëm shqiptar prej kohës kur Odise Paskali modeloi Lypsin e tij.
Statujat e Arben Bajos nuk ngrijnë në poza statike, ato kanë një dinamikë pauzash spontane ku ndihet fuqishëm lëvizja: Tina Turner duke kënduar, Vaçe Zela me kitarë në dorë…heronjtë e tij marin volum duke mbetur të brishtë e meditativë: At Zef Pllumi apo Hil Mosi.
Krahasojini krijimet e Ben Bajos me mjerimin skematik të heronjve muskulozë si ngritës peshash, të mbështjellë me kapota sovjetike, dhe në atë kontrast do të gjeni postmodernistin e parë të madh Shqiptar në artin e modelimit të volumeve.
I përdori me elegancë, si askush tjetër, edhe elementet e karikaturës, gjëja më e veshtirë në skulpturë. “Duke parë nga afër Balzakun e Rodenit,” mu kujtove ti, i thashë në një nga bisedat tona të fundit ku e lamë të takoheshim së shpejti në atelienë e tij.
Dje nuk iku një artist premtues siç lexova në një eulogji, por një premtim i përmbushur!
Lamtumire, Vella!