MENU
klinika

“Vaji i popullit është kënga”

Romët: pa shtet, pa çati… në liri!

02.08.2020 - 13:25

      …Radha është për të bërë dush, ishte justifikimi i zakonshëm për t’i futur të burgosurit e kampit në dhomat e gazit, për ekzekutim…

Atje ku truri nuk funksiononte më… ku njerëzit ndaluan së menduari normalisht… ku vrasjet me bomba, me armë zjarri, pushkatimet, mbytjet me tortura dhe eksperimentet e gjalla në fushën medicionale, ishin bërë të zakonshme…

Në Aushvic të Polonisë, në Kampin “Birkenau”, atje, ku 75 vite më parë kishte ndodhur gjenocidi që tronditi botën – krimi më i urryer i shfarosjes së planifikuar ku rreth 6-të milion të pafajshëm u ekzekutuan dhe masakruan, përfshirë edhe qindra mijëra romë, nga nazistët gjermanë, në krye me diktatorin Adolf Hitler.

Sot, ai kamp është shndërruar në muze, i hapur për vizitorë nga e gjithë bota. Pa dyshim, është i frikshëm për nga ndjenja që përcjell, duke të rrëqethur trupin e mbi të gjitha, duke të rikujtuar që vizita atje, nuk është vetëm një mësim për historinë, por mbi të gjitha është: moment reflektimi mbi përgjegjësinë njerëzore ndaj antisemitizmit, racizmit dhe antigjipsizmit, dukuri këto që kanë jehonë edhe në shekullin tonë.

Sot na ndajnë 75 vite nga data 2 gusht 1945 – “Dita e holokaustit ndaj romëve”… Ku pavarësisht të gjithave, ata arritën të ruajnë, gjuhën, kulturën, traditat dhe zakonet që i identifikojnë. Arritën të ruajnë emrin Rom, emër që mbartë më vete vuajtje, sakrifica, shpresë dhe një shkëndijë drite. Emër ky, që trazohet fatkeqësisht edhe në fraza të tjera, si: (magjyp, gabel, cigan e cigane). Vallë a është e drejtë, ta ndyshojnë identitetin nga ai/ajo që je, pavarësisht që u munduan t’i zhdukin nga faqja e dheut sikur të mos kishin ekzistuar kurrë?

Romët arritën të mbijetojnë, edhe pse nuk kanë një shtet për të jetuar. Po, po nuk kanë një shtet të caktuar, ata mund t’i gjesh kudo… Por, “gjaku nuk është ujë”, sepse me mendje e zemër gjithmonë janë të bashkuar, duke punuar për një të ardhme më të mirë, që në fund të tunelit sado të errët, të shohin dritë!

Thonë që: “Vaji i popullit është kënga” – e kush mund t’i shprehë të gjitha dhimbjet, shtypjet dhe vuajtjet shpirtërore në vargje e melodi, më mirë se kënga rome? Kënga që përveç vuajtjes dhe mjerimit, di t’i këndojë edhe dashurisë e gëzimit, ditëve të bukura që ëndërrojnë t’i shijojnë, edhe pse shpesh herë, larg realitetit të cilin e jetojnë.

Një realitet sado që i hidhur, ata asnjëherë nuk e mohojnë se kush janë dhe kë përfaqësojnë. Dhe jo rastësisht edhe në ditët e sotme, ende është sfidë, integrimi i romëve në komunitetin shumicë – komunitetin tonë.

“Një komb që lë pas dore rininë e tij, vë në rrezik identitetin e tij” – por, jo edhe indentitetin rom, të cilët e ruajtën brez pas brezi e për të cilin, flasin faktet dhe historia.

Përderisa në kohë lufte, ata mbijetuan dhe nuk u asimiluan, në paqe, ne duhet t’i pranojmë dhe t’i respektojmë pikërisht për atë që janë – të qenurit romë.

 

2 Gusht 2020

(2 gusht 1945 – “Dita e Holokaustit ndaj Romëve)

Shkruan: Kiki Rrahmani- OJQ VoRAE

 

***

Kush janë romët?
Minoriteti rom është i përhapur gjerësisht në Shqipëri. Origjina e romëve ka rrënjët në fiset e vendosura para shumë kohësh në Shqipëri. Tirana, Lezha, Fieri, Elbasani janë qytete kryesore ku jetojnë romët. Romët në Shqipëri, janë të organizuar në disa shoqata, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre, ruajtjen e traditave rome dhe integrimin me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare.

Origjina
Mungesa e të dhënave të shkruara, ka bërë që origjina e popullit rom, për shumë kohë të ishte e paqartë. Analiza gjuhësore, që filloi në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe e konfirmuar nga gjuhëtarë të shquar të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ka qenë prova e parë e padiskutueshme, për origjinën indiane të popullsisë rome.

Ardhja e romëve në kontinentin evropian u zhvillua në disa pjesë kohore, si rezultat i një migrimi të madh në mes të shekujve të nëntë dhe të pesëmbëdhjetë. Janë nisur nga veriperëndimi i Indisë dhe falë ndikimit që gjuhët e disa popujve të Azisë dhe të Ballkanit, kanë pasur në gjuhën e romëve, ka qenë i mundur rindërtimi i lëvizjeve të tyre.

Tradita rome
Kultura rome, nuk njeh forma të shkruara, kështu që tradita ka qenë mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit etnik. Transmetimi i traditave është bërë me gojëdhëna nga një brez në tjetrin dhe vendi në të cilin janë të shfaqur më shumë, ka qenë gjithmonë familja. Në mungesë të një shteti ose të një forme tjetër organizimi, njësia bazë e romëve ka qenë familja e zgjeruar./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN