MENU
klinika

Pasion, seks dhe vetmi

Saga e dashurive legjendare

01.08.2020 - 06:35

Përherë e më shumë po shtohet bindja se ka vdekur një epokë ku prapa krijuesit fshihet një filozof. Ku prapa filozofit fshihet një muzë, ku prapa muzës fshihet një koncept dhe pas konceptit një vepër arti. Nuk ka më kësi kohe. Një kohë që i përkiste miteve. Sepse mitet jetojnë ndryshe. Shprehen ndryshe, duke fshehur pas frymëzimit çështje gjeniale si dashuria apo seksualiteti i sjelljes së njeriut. E mandej, për të interpretuar përmes saj lumturinë, shthurjen, ëndrrën, mbresën apo qoftë fotografinë e një kujtimi.

Shumë shkrimtarë a piktorë thyen gjithë rregullat, duke e bërë më problematike jetën e tyre përmes bukurisë që shpesh e gjenin duke rrëmuar mes grave. Kështu, artistë të mëdhenj, sidomos në shek XX, gjetën një afri të habitshme në atmosferën që krijonin nga lidhjet romantike dhe seksuale.

Pa njohur kështu kufizime të moralit dhe duke shkrehur fletëve gjithë zemrën, dashurinë, tradhtinë, urrejtjen. Duke identifikuar kështu frymëzimin e kësaj bote. Dhe gjithçka që pjell ky akt me të, i cili në fakt, çdo herë ndryshon, sepse ajo është sërish një tjetër. Një tjetër me sy të tjerë, buzë, flokë dhe të qeshur. Një tjetër, që kur vjen apo ikën, është ndryshe nga e para. Një tjetër që këta burra i kanë lënë në historië e artit aty. Me gjithë varganin e peripecive të dashurisë që në fakt ta jep vetëm një grua. Duke i bërë kështu dhe ato të famshme, me gjithë vramendjet apo kronologjinë e ndjenjës. Për ta derdhur në fund poezive, romaneve dhe veçanërisht në pikturë deri në perversitet.

Po kush janë disa prej femrave dhe meshkujve që i falën artit përjetësinë e shpirtit dhe intimitetin e kënaqësisë së mëkatit? Burrat e guximshëm që profetizuan gjithçka në veprat e tyre? Këto gra që zbuluan thelbin e ekzistencës së nevojës për tjetrin duke iu nënshtruar temperamentit të tyre dhe njohur dashurinë si mikesha, bashkëshorte, të dashura apo kalimtare nëpër kortezhe erotike?

Picasso, ky Kazanova i padiskutueshëm, zbuloi shumë shpejt karakteret që do të donte të nxitnin talentin përmes penelit. Uria e ktheu në koleksionues. Do të ishte qershori i vitit 1904 kur Fernande Olivie do të hapte dhe galerinë e madhe të lidhjeve, erosit, kureshtjes dhe domosdoshmërisë së të shprehurit të kësaj nevoje që ai e quante ‘’Perëndesha ose hasra këmbësh. Në fakt, Fernandën e dallon prej të tjerave kuptimi i vetmisë që mbeti si kujtim prej piktorit të madh. Ajo shprehet: ‘’Ky burrë aq i trishtuar e sarkastik nuk është ngushëlluar kurrë. Sepse ai është dukur gjithmonë sikur mbante në vetvete një dhimbje të madhe, të cilën e harron në dashurinë për punën e vet’’. Gjithashtu Ollga, Mari Terezë, Dora, Fransuazë, Zhaklinë.

Nëna e Olgës pyeste shpesh: Një piktor, a është serioz?

Duket se Picasso nuk e tregoi kurrë të vërtetën dhe pse i shpërfillte gratë…por na e la përgjigjen pikturave.

Një tjetër histori mban emrin e Emilie Floege. Përveç shoqe e ngushtë, ishte dhe e dashura e rregullt e Klimt. Emilie ishte e përfshirë në lëvizje në rolin e stilistes dhe më pas u bë një nga stilistet dhe rrobaqepëset më të mëdha dhe më të famshme të Vjenës së asaj periudhe. Puna e saj thuhet se ka ndikuar edhe në tekstilet me të cilat janë krijuar shumë punë të Klimt, ndër të cilat edhe e famshmja e tij, “The Kiss”.

Kjo grua ishte vetëm një nga të dashurat e shumta të artistit. Edhe pse ai njihej si një njeri me reputacion prej të ndrojturi, ai dashuroi shumë gra në jetën e tij dhe pas vitit 1990 i përdorte në mënyrë të vazhdueshme si modele të tija. Dhe bëhet fjalë për piktura kryesisht nudo dhe erotike, në të cilat ai nënvizonte me të madhe sensualitetin e tyre dhe lumturinë e përjetimeve të veta seksuale. Në vitin 1905 ai publikoi tri ese në lidhje me teorinë e seksualitetit, një libër që përbënte një sfidë të madhe dhe të thellë në këtë fushë.

Një tjetër gjenial ishte Henry Miller, pagëzuar si pornografi gjenial. Ai shkruan: Ka vetëm tri gjëra që mund t’i bësh një gruaje. Mund ta duash atë, mund të vuash për të, ose mund ta kthesh në letër. Duke rrëfyer intimitete seksuale faqeve, ai dokumenton me gjuhën e trupit gjithçka që të përshkon mendjen dhe identifikon lirinë. Miller, ky ndërmjetës i emocionit, na verifikon identitetin apo kuptimin filozofik të atij akti të fshehtë që ndodhet brenda nesh.

Rrugës që bëri në këtë botë, ai jetoi shumë herë dhe vdiq vetëm një herë, thotë Simenon-i.

Kurse shkrimtarja që do të prodhonte eros është Anais Nin, duke përfshirë marrëdhënien e saj me shkrimtarin Henri Miller dhe të shoqen, Xhunin. Në fund të vitit 1931, Nin kupton se është e pakënaqur me jetën e saj si një grua e ndrojtur dhe besnike e bashkëshortit të saj bankier Hju Parlker Giler në librin ‘’Henri dhe Xhuni’’. Ajo kishte një të metë për shumëkënd: i pëlqente e panjohura. Kjo vihet re thuaj në gjithë personazhet e saj, pasi i ngopte me aventura.

Në një shkresë nga dimri i viteve 1949-1950 të gjetur në Ditarin e Anaïs Nin, vëllimi V 1947-1955, në të cilin ajo jep një kundërhelm të çuditshëm ndaj jetës qytetare dhe meditime prekëse për karakterin dhe përgjegjësitë personale, Anaïs Nin thotë :

Revolti artistik, inovacionet, eksperimentet, nuk duhet pritur me armiqësi. Ato ndoshta mund të shqetësojnë rregullat e krijuara nga konvencionalitetet artificiale, por, ama, mund të na shpëtojnë nga vdekja për së gjalli, nga jeta robotike, nga mërzia, nga humbja e vetëvetes, nga skllavërimi dhe nënshtrimi i vetes.

Për të vazhduar me Voltaire, Alina Reyers, Umberto Notari, Kadrie Hanëm, Modigliani.

E në fakt janë të shumtë ata që nuk do të pranoheshin thjesht si shkrimtarë a piktorë, por si krijues të një kthese revolucionare në sjelljen e njeriut pa rënë pre në kockat e pendesës.

Duke zbuluar kështu harenë e dëfrimit dhe rrymave të instiktit të tyre, të cilat i kënduan, pikturuan duke na rrëfyer çdo përjetim dashuror.

Pa fshehur asgjë.

Sepse me disa gjëra, zor se mundesh.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit