MENU
klinika

Ryshfet e fshehje pasurie

SHBA-BE ‘skedojnë’ 12 gjyqtarë e prokurorë që duhet të ikin nga drejtësia

22.08.2020 - 16:45

Gjatë tre viteve të veprimit të ligjit të Vetingut, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut, kanë identifikuar një listë me 12 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët sipas tyre nuk duhet të shërbejnë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Gjyqtarët dhe prokurorët e kësaj liste janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut. Të gjitha rekomandimet e OPNM për largimit e 12 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi, janë pranuar nga Komisioneri Publik, i cili i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkallës së dytë dhe të fundit të Vetingut, shkarkimin e tyre nga detyra.

Tre subjektet e fundit të konfirmuar në shkallën e parë të Vetingut dhe që ONM kërkon të largohen nga drejtësia janë gjyqtarja në Gjykatën Administrative të Apelit, Alkelina Gazidedja, kryeprokurorja e Durrësit Anita Jella dhe prokurori Besim Hajdarmataj. ONM ka hartuar një nga dokumentet më kritike për KPK, pas konfirmimit në detyrë të gjyqtares Alkelina Gazidedja. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit thotë në rekomandimin për gjyqtaren Gazidedja se kjo e fundit duhet të ishte shkarkuar për kriterin e pasurisë si dhe nuk duhej të shpallej e ‘aftë’ në kriterin e aftësive profesionale. Rekomandimi i ONM për gjyqtaren u pranua nga Komisioneri Publik, i cili dy ditë më parë i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit shkarkimin nga detyra.

OMN ka kërkuar shkarkimin e kryeprokurores së Durrësit Anita Jella, me arsyetimin se mangësi në deklarimin e pasurisë, operonte me dy standarde dhe se ka vonuar qëllimisht arrestimin drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pulaj, i cili përplasi qeverinë me prokurorin Arjan Ndoja. Gjithashtu, përfaqësuesit e ONM kanë kërkuar shkarkimin e prokurorit Besim Hajdarmataj, duke shprehur dyshime se prokurori ka marrë ryshfet në këmbim të sabotimit të dosjeve, ndonëse këto dyshime mbetet për t’u provuar. Hajdarmataj akuzohet se gjatë kohës kur ka qenë drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, ka i mbyllur dosjen një grupi që ushtronte veprimtari në fushën e bixhozit. Grupi prej 15 vetash ka ndalur dhe kërcënuar 5 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, duke u marrë me forcë 5 makineri APEX. Nga hetimi ka rezultuar se prokurori ka shkëmbyer mesazhe si dhe ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me personin që i ka mbyllur dosjen.

Po çfarë ka vendosur Kolegji i Posaçëm i Apelimit? Me përjashtim të gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gentian Medja, i cili është konfirmuar në detyrë në të dy shkallët, KPA, në të gjitha vendimet që ka marrë deri më sot, ka vendosur shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra, për të cilët ONM ka rekomanduar largimin e tyre. KPA ka shkarkuar subjektet Adnand Kosova, Besnik Cani, Artur Malaj, Gentian Osmani, Bashkim Dedja dhe Xhezair Zaganjori, që të gjithë të ‘skeduar’ nga ONM. Ndërkaq, KPA nuk ka vendosur ende për fatin e subjekteve Artan Madani, Kastriot Selita dhe Alkelina Gazidedja, Anita Jella dhe Besim Hajdarmataj.

Gjyqtarët dhe prokurorët e ‘skeduar’ nga ONM

1. Alkelina Gazidedja, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, konfirmuar nga KPK, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
2. Anita Jella, kryeprokurore e Durrësit, konfirmuar nga KPK, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
3. Besim Hajdarmataj, prokuror, konfirmuar nga KPK, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
4. Artan Madani, drejtues i Prokurorisë Kavajë, ende nuk është ankimuar nga Komisioneri Publik
5. Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
6. Adnand Kosova, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA.
7. Besnik Cani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA.
8. Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA.
9. Gentian Medja, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ankimuar nga Komisioneri Publik, KPA e ka konfirmuar në detyrë.
10. Gentian Osmani, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA
11. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës së Kushtetuese, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA
12. Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA/ shqiptarja