MENU
klinika

Kërkon zgjidhje prej pandemisë

SHBA mban tarifat e Airbus në 15%, çfarë mendon BE?

13.08.2020 - 12:14

Qeveria amerikane deklaroi se do të mbajë tarifat prej 15% ndaj avionëve Airbus dhe 25% ndaj mallrave të tjera europiane, pavarësisht përpjekjeve nga Bashkimi Europian për të zgjidhur konfliktin 16-vjeçar mbi subvencionet e avionëve. Përfaqësuesi tregtar, Robert Lighthizer, tha se BE nuk është ende në përputhje me vendimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Washingtoni do të nisë një process të ri për të arritur një zgjidhje afat-gjatë.

Ai shtoi se do të modifikohet lista prej 7.5 miliardë dollarë produkte europiane të ndikuara nga tarifat, duke hequr mallra të caktuar nga Greqia dhe Britania dhe shtuar sasinë ekuivalente nga Gjermania dhe Franca. Lëvizja vjen pavarësisht thirrjeve nga zyrtarët europianë dhe disa politikbërës amerikanë për të hequr tarifat ndaj produkteve ushqimore europiane, por nuk u shtuan tarifa ndaj vodkas, ginit dhe birrës, pavarësisht kërcënimeve. Megjithatë, zyrtarët europianë thonë se vendimi i Washingtonit për të mos rritur tarifat, do të ndihmojë në parandalimin e konflikteve.

Komisioneri tregtar në BE, Phil Hogan, do vazhdojë negociatat me Lighthizer për të arritur një zgjidhje, pasi kriza aktuale ekonomike vë në dukje urgjencën e përfundimit të konfliktit. Muajin e kaluar, Airbus bëri të ditur se do të rrisë ripagesat e kredisë ndaj Francës dhe Spanjës, në një përpjekje përfundimtare për të hequr tarifat amerikane.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se janë në përputhje të plotë me zbulimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, pasi Washingtoni hoqi lehtësimet tatimore në industri, që ishin përfituese për Boeing. Airbus deklaroi se “beson që Europa do përgjigjet si ç’duhet për të mbrojtur interesat e veta dhe interesat e të gjithë kompanive dhe sektorëve, përfshirë Airbus”. Komisioni Europian pranoi vendimin e Shteteve të Bashkuara, që nuk përkeqësoi konfliktin duke vendosur tarifa të reja dhe shtoi se kërkon të negociojë një zgjidhje së shpejti, pasi pandemia ka goditur rëndë industrinë e aviacionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN