MENU
klinika

Kriza e Covid-19 te mikrofinanca

Shkurtime të vendeve të punës dhe ulje të pagave

05.08.2020 - 15:21

Vala e parë e infeksionit të Covid-19 solli probleme të konsiderueshme për sektorin e mikrokredisë në vend. Sipas një anketimi të kryer nga Shoqata Shqiptare e Mikrokredisë (AMA), rreth 38% e kompanive të anketuara raportuan probleme serioze likuiditeti, të shkaktuara nga shtyrja pothuajse tremujore e kësteve të kredisë.

Pasojat u ndjenë sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokonin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune. Disa prej tyre raportojnë ulje të numrit të punonjësve me 38% krahasuar me periudhën e parakrizës. Gjithashtu, shumica e kompanive vendosën ulje të pagave mujore me rreth 30%.

Sipas të dhënave për institucionet financiare anëtare të AMA, moratoriumi i kredive i vendosur në muajin mars çoi në shtyrjen e kredive që përbënin rreth një të tretën e volumit total. Numri i kredive të shtyra arriti në më shumë se 39 mijë, ndërsa vlera e tyre në afërsisht 76 milionë euro.

Anketimi tregoi se kërkesa për kredi pranë institucioneve anëtare pësoi një rënie të ndjeshme me 56% për periudhën mes marsit dhe majit, gjatë të cilës ekonomia u vendos nën masat e mbylljes.

Megjithatë, gjatë qershorit rënia vjetore e aplikimeve për financime është zbutur ndjeshëm, pranë nivelit të një rënie vjetore me 10%. Përmirësimi në qershor erdhi edhe falë një kërkese të akumuluar gjatë muajve të mbylljes së ekonomisë.

Institucionet anëtare të AMA shprehen optimiste se në tremujorin e tretë kërkesa për kredi do të kthehet në ritme normale për individët, por segmenti i bizneseve do të kërkojë një kohë më të gjatë për t’u rimëkëmbur dhe mund të kërkojë deri në një vit.