MENU
klinika

Parisi i ka mrekulluar gjithnjë amerikanët

Si u bë shtëpia e Xhefersonit qendra ku mblidhej elita franceze!

12.08.2020 - 06:25

Parisi i ka mrekulluar gjithnjë amerikanët. Edhe Tomas Xhefersoni në ketë aspekt nuk ishte përjashtim. Përshtypja që la Parisi tek ai, ishte e jashtëzakonshme. Me bulevardet, me urat, parqet, pallatet e tij të bukura, Parisi ishte si një ëndërr artisti apo një parajsë xhentëlmeni. Megjithatë për Xhefersonin që kishte jetuar në plantacionin e tij në Virxhinia, ishte e vështirë të mësohej me dëndësinë e këtij qyteti.

Parisi ate kohe kishte 600 mijë banorë. Nga ata, fare pak majmeshin, kurse shumica jetonte në varfëri të madhe. Fytyrat e tyre të uritura shiheshin kudo në rrugët e Parisit. Por mbi këtë masë njërzish e cila do të shpërthente një ditë, kishte një shtresë njerëzish që bënin një jetë elegante. Vajzën e rregulloi në një shkollë aristokrate franceze me ndihmën e mikut të tij të vjetër markezit Lafajet, heroit të revolucionit amerikan. Lafajeti i dha Xhefersonit kyçin e shoqërise aristokrate franceze.

Rekomandimet e tij i hapën dyert e Parisit. Kur Xhefersoni u vendos me banim në Champs Elysees, shtëpia e tij u bë qendra ku mblidhej elita franceze. Zotërinj me kulturë e shije takoheshin shpesh e flisnin për idera të guximshme, merreshin me thashetheme, flirtonin. Ishte një botë eksituese. Xhefersoni atë kohë ishte 42 vjeç. Detyra zyrtare nuk ishte e vështirë pasi ambasador i qeverisë amerikane ishte Benxhamin Franklin që gëzonte një reputacion të madh në Francë.

Pas ardhjes së Xhefersonit në Paris, kur ministri i jashtëm francez e pyeti: Ju jeni ai që do zëvëndësoni zotin Benxhamin Frenklin?

Xhefersoni u përgjigj: “Askush s’mund ta zëvëndësoje atë, zotëri. Unë jam pasardhësi i tij në këtë post”.

Në Francë Xhefersoni njohu nga afër pasojat e një qeverisje të keqe dhe mizerabilitetin e varfërisë. Ajo çfarë pa ai në Evropë i forcoi bindjen që e ardhmja i takonte Amerikës. Në një letër dërguar Monrosë, Xhefersoni shpërthente : ” O Zot! Njerëzit tanë nuk e dinë se sa të bekuar janë për gjërat kaq të çmuara që kanë në posedim, të cilat nuk i ka asnjë popull tjetër në botë. E pranoj, as unë vetë se kisha idenë… Pasuria e këtij vëndi është e përqëndruar në mënyrë absolute në pak duar. Ata punësojnë lulen e këtij vëndi si shërbëtorë. Shumica e njerzve të varfër nuk mund të gjejnë punë. Pasoja e kësaj pabarazije të jashtëzakonshme prodhon mjerim.”

Sidoqoftë, jo çdo gjë ishte e papëlqyeshme për të. Xhefersonit i pëlqeu arkitektura franceze, artet, si edhe pijet franceze. Atij i pëlqyen shumë qershiat, kumbullat, dardhat që ishin më të mira se ato të Amerikës. Rrushi veçanërisht për të ishte i mrekullueshëm. Ai shkruante me dashuri dhe respekt për qytetarët francezë me vetkontrollin e tyre.”Nuk kam njohur kurrë popull më gjeneroz, mikpritës për të huajt, të ngrohtë dhe të devotshëm për shoqërinë e tyre të zgjedhur“. Në 14 korrik 1789 një turmë e madhe parizianësh të zëmëruar, të armatosur iu sulën Bastijes dhe vranë guvernatorin. Kur Luigji i XVI u njoftua për këtë, ai tha: Po ky është rebelim! Jo, Madhëri, erdhi përgjigja, është revolucion. Një episod i vogël i atyre ditëve tregon se çfarë konsiderate e respekti të madh kishin francezët për Xhefersonin. Arqipeshkopi i Bordosë, i emëruar si shef i komisionit për hartimin e kushtetutës franceze i shkroi një letër Xhefersonit ku i kërkonte ndihmë në hartimin e saj, si specialist në këtë fushë. Tomas Xhefersoni në letrën e tij të përgjigjes duke i uruar sukses komisionit në hartimin e kushtetutës franceze i spjegonte me takt se si i huaj atij nuk i takonte të merrte pjesë në hartimin e saj. Një angazhim i tillë mund të kompromentonte pozitën e tij si diplomat.

Konflikti mbi kushtetutën i përçau anëtarët e Asamblesë franceze dhe u ndje nevoja e një diskutimi të qetë e të mënçur. Markezi Lafajet dinte se ku të drejtohej për këshillë. Ai i shkroi një letër Tomas Xhefersonit duke i kërkuar leje t’i sillte për darkë disa anëtarë të asamblesë. Xhefersoni i tha se ata do të ishin të mirseardhur. Ditën tjetër, tetë nga figurat drejtuse të asamblesë franceze, drekonin me Tomas Xhefersonin. Nga ora 4 pasdite deri në 10 të darkës, burrat vazhduan diskutimin ndërsa Tomas Xhefersoni i dëgjonte me vëmendje e simpati. Shumë vite më vonë në autobiografinë e tij, Tomas Xhefersoni shprehej me respekt për patriotizmin e tyre, shumë prej të cilëve ishin të destinuar të linin kokat nën gijotinën franceze. Në 23 nëntor 1789, kur mbërriti në Norfolk, i ardhur me leje në vëndin e tij, Tomas Xhefersonin e priste një surprizë e madhe. Presidenti Xhorxh Uashington, të cilin ai e admironte në mënyrë të verbër, e kishte emëruar sekretar të shtetit të ri amerikan.