Dy muaj pasi u sëmur me Covid-19, Julie pati halucinacionin e parë të saj.
“Filloi ngadalë. Po përpiqesha të ndiqja një emision në televizion e më pas nuk mund të lexoja më fjalët në ekranin e telefonit tim. Gjërat u përkeqësuan më tej. E di që ngjan e çuditshme, nuk di as si ta përshkruaj, por dukej sikur diçka po pushtonte trurin dhe trupin tim”, thotë ajo.
36-vjeçarja nga Minnesota, u dërgua në spital nga familja. Kur ata i thanë mjekëve se ajo po shërohej nga Covid-i, ata thanë se ishte e mundshme që ky të ishte një efekt anësor por nuk kishin ndonjë trajtim për të sugjeruar. Dhe Julie nuk është e vetme. Efekte të ndryshme dhe afatgjata të Covid-it mbi shëndetin fizik po shfaqen e po ashtu edhe pasoja në shëndetin mendor.
Shërbimi kombëtar i shëndetit në Britani ka bërë të ditur se stafi po trajnohet të trajtojë njerëzit me çrregullime stresi post traumatike për të qenë të gatshëm për një rritje të mundshme të kërkesës për shërbimet e shëndetit mendor si rezultat i krizës së koronavirusit.
Kërkimet në Itali, dolën në përfundimin se më shumë se gjysma e të shtruarve në spital me Covid-19 kishin çrregullime psikiatrike një muaj më vonë, me 28 për qind që tregonin shenjat e çrregullimeve të stresit post traumatik, 31 përqind depresion dhe 42 përqind ankth.
Pagjumësia dhe simptomat obsesive-kompulsive ishin po ashtu të zakonshme. Një studim i kërkuesve në Londër po ashtu nënvizon problemet psikiatrike dhe neurologjike pas infektimeve me Covid.