MENU
klinika

Markez

Të vdesësh duke pritur postën…

12.08.2020 - 06:32

Gabriel Garsia Markez, është shkrimtari që portretizoi në fletët e tij vetminë dhe pasionin e njeriut. Lindur më 1928, në një qytezë pranë brigjeve të Kolumbisë ai do të mbetej jetim. Por fati zgjodhi që ai të rritej me gjyshërit, prej ku gjyshi do të ishte dhe shtylla bazë e tij.

Një gjysh kolonel prej ku shumë shpejt, Markez do e bënte pjesë të krijimtarisë së tij.

“Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” është romani në të cilin ai pasqyron realitetin e jetesës dhe fatin e këtij plaku. Rrëfimi është kaq hipnotik dhe i ndjerë, aq sa ti e përthith me një frymë pasi tregimtari Markez, ky nobelist befasues, besonte në një botë socialiste dhe kishte bindjen se nëse ky proces nuk funksionon, arsyeja është: Letërsia e keqe. Detyra e një shkrimtari, sipas tij, është vetëm kjo: Të shkruajë mirë.

‘’Për 56 vjet më radhë, qysh kur kishte mbaruar lufta e fundit civile, koloneli s’kish bërë gjë tjetër veçse kishte pritur…’’

Flasim për një çift të moshuarish. Të varfër. Atyre u ka vdekur djali dhe e vetmja gjë që u ka mbetur tashmë prej tij është një gjel. Një gjel dhe një pension, të cilin nëpërmjet një letre koloneli e pret gjithë jetën të vijë.

“Durim prej bualli duhet të kesh për të pritur një copë letre pesëmbëdhjetë vjet rresht, siç ke pritur ti. Prit e prit, na erdhi në majë të hundës – i tha e shoqja.”

Kur e lexon sot, intuita e Markezit zgjon shpresën e protagonistit. Fjala “pret” përsëritet disa herë për të treguar absurdin e jetës. Ai luan me gjelin. Luan me kontrastin, duke zgjuar në këtë ide humaniste “virtytin” i cili domosdoshmërisht qëndron në anën e të fuqishmit, por që mund ta gjesh dhe tek njerëzit e thjeshtë apo të varfrit.

“Varfëria është ilaçi më i mirë kundër diabetit”.

Duke i parë gjërat sipas një rendi kronologjik, doemos rryma që dominon kohën në këtë roman është postmodernizmi. Kjo letërsi, e përcaktuar nga kornizat filozofike, thyen kufinjtë midis realitetit dhe ëndrrës, elitares dhe popullores. E cila reflekton parodi, paranojë, pesimizën, dhimbje apo kaos.

” -Nuk hahen ëndrrat , tha gruaja.

Për t’u ngrënë s’hahen, po për të ngopur, të ngopin – ia ktheu koloneli. ’’
Ndërsa përshkrimi i fragmentit më poshtë është aq real saqë ne kuptojmë që e duam stilin tipizues dhe përgjithësues të Markezit. Pikat e tij dramatike kthehen në kulmore, duke i lënë hapësirë monologu lexuesit.

” – Pres një letër urgjente, tha. Sot duhej të kishte ardhur patjetër.

Përgjegjësi mblodhi supet.

Vetëm vdekja vjen me patjetër, kolonel.”
Ky model koloneli me këtë disiplinë jetëse pa fat, është gati vaji i një burri, të cilin autori me një stil të ngritur retorik na e përqas mbi dëshmi të gjalla.

” – Çadrat…se përse të kujtojnë vdekjen – tha. Koloneli nuk ia vuri veshin. Të gjithë e parapërfytyrojnë vdekjen si grua – vazhdoi të fliste gruaja. Ishte e bëshme. Por mua s’më duket si grua. Unë them se duhet të jetë një kafshë me thundra.

Edhe mundet , – pranoi koloneli. Ç’nuk bën vaki!
Një skenë tjetër reale është dhe fund i këtij romani, të cilin ju mund ta shkarkoni falas nëpërmjet portalit tonë. Mjeshtëria artistike e autorit shoqërohet me nëntekste në formë thirrjeje. Dialogu ngrihet në një nivel të lartë sinqeriteti, i cili alternon lutjen, mënyrën urdhërore dhe intonacionin përshkallëzues që nis me fiton dhe përfundon me humb. Markezi kalon në një kurbë të caktuar: Nga kërkesa ekzistenciale tek kundërvëniet e forta. Ç’ndodh nëse shitet gjeli?

Ta zëmë se humb.
Kemi dhe 45 ditë për ta menduar këtë, tha koloneli. Gruas iu sos durimi.
Po ne ndërkaq ç’do të hamë, – pyeti dhe e mbërtheu kolonelin nga jaka e fanellës. E shkundi fort.
Fol, ç’do të hamë.
Kolonelit iu deshën 75 vjet. Plot 75 vjet të jetës së tij, minutë për minutë që t’ia mbërrinte këtij çasti. E ndjeu veten të kthjellët, të qartë e të pamposhtshëm, ku u përgjigj:

Një mut!
Për ta mbyllur, do të doja të sillja fuqinë e madhe të këtij shkrimtari kolumbian, i cili dorëzohet duke dokumentuar në prag të 80-vjetorit të tij këtë sentencë magjike: ” Kam 30 vjet që jetoj me një papagall që nuk më flet kurrë. Me durim të madh, përpiqem ta nxit…’’

Ai ndërroi jetë në Meksikë në moshën 87-vjecare.