MENU
klinika

"Njësoj janë të gjitha histerike, në mos qofshin budallaçka"

Terezë Deskeiru: Fli me të sot!

19.08.2020 - 06:46

ILNISA AGOLLI

Sigurisht që kishte të drejtë ajo çupëlinë, kur i thoshte Terezës liceiste, plot mend e ironike:

‘’S’e ke idenë sa të lehtë e ndjen veten pasi e pranon fajin e pasi të falin. Se pastrohet vendi e mund ta nisësh jetën nga e para.’’

Kjo i shërben si pikënisje Fransua Moriak në librin e së dielës, Terezë Deskeiru, për të hetuar sjelljen psikologjike të personazheve të tij, në një situatë mes dilemës, paqartësisë, reflektimit, konflikte vetëdijesh dhe pajtimit me realitetin.

Lindur më 11 tetor 1885 në Bordo, ky klasik i letërsisë frënge, mbeti jetim nga babai në moshën dy vjecare. E ëma, mbetur vejushë me pesë fëmijë, e rriti me ashpërsi. Novelist i famshëm, eseist, gazetar, poet si dhe laureat i cmimit Nobel në vitin 1952.

Libri karakterizohet nga monologje , rrëfime dhe kontraste midis paraqitjes së jashtme dhe esencës së njeriut.

‘’Ajo luante këtë lojë; të mos e tradhëtonte veten. Të fejuarit mund t’ia hedhësh kollaj, po burrit si t’ia bësh! Gënjeshtra me fjalë kush s’di të thotë? Po gënjeshtrat e trupit kërkojnë art tjetër. Të bësh sikur po ndien, sikur po vdes nga qejfi sikur ia arrite asaj këputjes së lumtur, kësaj s’ia del kushdo. Tereza diti si ta përkulë trupin në këto shtirje dhe ndjeu një kënaqësi të hidhur.’’

Pjesa më e madhe e personazheve në libër janë njerëz të pakëndshëm. Babai Terezës , është në kërkim të karrierës politike se sa në kërkim të vajzës. Ndërsa portreti Bernardit është përqëndruar vetëm në shërbimin e nevojave të familjes.

– Si je me zemrën?

Mos ma zër në gojë zemrën! Sa ma përmend ti dhe e ndjej prapë. Kjo tregon sic duket që e kam nervore. Si thua ti?
Ajo s’i jepte kurrë përgjigjen që donte.

S’i dihet sec ndjen, atë e di vetë ti. Vërtet yt atë të ka vdekur nga angina e gjoksit, po kjo s’do të thotë gjë. Sidomos për moshën tënde. Po me c’duket , zemra është pika e dobët e Deskeiruve. C’bëhesh kalama Bernar me këtë frikë nga vdekja? A s’të duket ndonjëherë se jemi njerëz të kotë? Hë ? Nuk të shkon ndonjëherë në mendje se jeta jonë ngjan tmerrësisht me vdekjen?
Ai ngrinte supet.

Moriak , vjen me ndjesi të fshehta :

‘’ Me rregull e këmbëngulje ajo kërkonte në të kaluarën e saj fytyra të harruara, buzë që i kishte dëshiruar së largu, trupa të pashquar, që ndonjë takim i rastit…ndonjë rastësi mbrëmësore, do t’i kishte afruar me trupin e saj të dëlirë. Sajonte me mend një lumturi,shpikte një gëzim,krijonte copa-copa një dashuri të pamundur.

Apo me detaje paralajmëruese:

‘’ Edhe mbi një mendje aq të barazpeshuar, aq të shëndoshë si e tija, kjo e marrë kishte një lloj ndikimi. Dhe tani që po ndahej prej saj , ai s’po e shmangte dot një trishtim që s’e kishte honepsur dot kurrë; s’kishte gjë më të huaj për të sesa kjo ndjenjë. ‘’

Ndërsa Les Cahiers Verts , shkruan : Kjo vepër prekëse është një prej më të bukurave që analiza e dhimbjes njerëzore ka frymëzuar këto vitet e fundit.

Terezë Deskeriu, mbetet novela më e famshme shkruar në 1927 në Francë, nga Fransua Moriak.

‘’ Një puthje – mendon Tereza – duhet të ndalë kohën.’’

E, me këtë libër atë e ndal.