MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Trakti antikushtetues, i Ilir Metës

12.08.2020 - 18:07

Nga Artur Ajazi

Në ditën e Rinisë, kryetari në detyrë i shtetit shqiptar Ilir Meta, ka gjetur rastin të dalë hapur me një thirrje sa antikushtetuese, aq edhe antiligjore, që në rastin më të parë, çdo organ prokurorie në cilindo vend tjetër demokratik, do ta kishte marrë në ndjekje penale.

“O sot o kurrë”, u kërkon si kryetar shteti Ilir Meta, rinisë. U kërkon të ngrihen kundër shtetit, kundër qeverisë, kundër rendit kushetues.

Për të “shpëtuar” nga kush, për tu ngritur ndaj kujt, për të përmbysur kë ? Ajo ç’ka kishte shkruar Ilir Meta në fb, ngjaste më tepër me një trakt mirëfilli, të cilin do ta kishin zili edhe komunistët e 1941, apo dhe ata që në vitet ‘50, shtypnin dhe hidhnin trakte kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Në dukje i “ashpër dhe kërkues” Ilir Meta u bënte thirrje  të rinjve, jo sikur është kryetar shtetit akoma në detyrë, por sikur është sekretar i rinisë komuniste. Në fakt thirrjet e tij, janë më tepër segmentale të parafushatës së LSI, se sa “mesazhe të ngrohta me qetësi dhe dashuri” për ditën e Rinisë.

Trakti i Ilir Metës, ishte ndolli mllefi ndaj qeverisjes, ndaj reformave, ndaj drejtësisë së re, e cila nuk do të kursejë asnjë prej atyre që në 30 vjet,e bënë “çorape” të zezë politikën, biznesin, ekonominë, turizmin, financat.

Ndaj atyre që privatizuan, fushat, lumenjtë, malet e larta, duke i kthyer në prona private, sikur ti kishin çifliqe të familjes.

Trakti  i Ilir Metës në fb, duhet të jetë indicje ndaj organeve të reja të drejtësisë. Si ka mundësi, në një shtet anëtar i KE, anëtar i NATO-s, kandidat për tu anëtarësuar në BE, dhe një aleat i fortë dhe i besueshëm i SHBA-së, kryetari i shtetit, nis dhe shkruan trakte antiligjore, nis dhe ndërsen rininë ndaj qeverisjes dhe rendit kushtetues, kur vendi ka mbi 30  vjet, që ka fituar demokracinë, fjalën e lirë, lëvizjen e lirë, dhe të gjitha të drejtat e njeriut.

Shqipëria  zoti Meta, nuk është nën diktaturë, as nën izolim total, pasi ndoshta  ju akoma  nuk e dini, se Enver Hoxha (njeriu që kyçi  floririn  dhe municionet  në tunele betoni) nuk  ekziston më, se “diktatura e proletariatit” nuk ekziston më, jo se e përmbysët ju, por shumica e shqiptarëve të vuajtur. Në traktin tuaj zoti Meta, ju flisni si  me tone  urdhëruese,  sikur të ishit  “komandat brigade”  por  jo  kryetar  shtetit, duke nxitur të rinjtë të “marrin në dorë fatet e tyre dhe të atdheut”.

Shqipëria zoti Meta, nuk është nën pushtimin e ndonjë force të huaj, as në një situate lufte, ndaj  aludimet tuaja, ngjasin më tepër me ato të Doktorit, mikut  tuaj të zemrës. Në qoftë se, kjo hyn tek pjesa e “parafushatës” së LSI apo  Partisë Demokratike, apo tek ambicja  juaj për  të kapur  vendin “vacant” të kryetarit të opozitës së ardhshme, ndoshta  duhesh mirëkuptuar.

Por gjithsesi, thirrjet  tuaja, jam i sigurtë se  nuk  do  ti dëgjojnë  as “të rinjtë” e LRI-së, edhe sikur  ti kishit  sajdisur kësaj vere në Jalë, me “shkuma party”. Dhe, e  dini  pse ?

Sepse  nuk  ju besojnë më  as  ju, dhe as Monikën, pasi  shohin  më tepër nga e ardhmja , se nga e shkuara, dhe  sepse  Shqipëria  është sa e lirë dhe demokratike, aq edhe  e hapur , për  ta  trajtuar  ju  si “ishull të izoluar”.