MENU
klinika

Dëshmia e oficerit që tentoi vetëvrasjen

“Unë njeriu i Sigurimit që provoja ushqimin e Enverit dhe familjes”

17.08.2020 - 11:16

       Publikohet historia e panjohur e Sefedin Jonuzit nga fshati Vranisht i Vlorës, i cili me rekomandimin e Hysni Kapos në ’44-ën, u caktua pranë Shtabit të Përgjithshëm, ku kontrollonte dhe provonte ushqimet që gatuheshin për Enver Hoxhës, gjë të cilën e vazhdoi edhe disa kohë pas mbarimit të Luftës pranë “familjes së Komandantit” në Bllokun e udhëheqjes në Tiranë.


Emërimi më pas në organet e Ministrisë së Brendshme, me detyra të ndryshme, ku ai pati “peripeci” të shumta saqë tentoi edhe vetëvrasjen dhe pasi u shërua e u rehabilitua me urdhërin e Mehmet Shehut, u caktua me Forcat e Ndjekjes në zonën e Mirditës, ku mori pjesë në arrestimet e “bandave” që akuzoheshin për vrasjen e Bardhok Bibës. Largimi i Sefedinit nga Ministria e Punëve të Brendëshme pas “lëshimeve” që kishte bërë gjatë hetuesisë së Dom Engjell Kovaçit dhe dërgimi në Vlorë pranë Ndërrmarrjes së Ndërtimit “Perlat Rexhepi”, ku ai punoi deri sa doli në pension në ’57-ën si invalid i Luftës.

Kthimi i tij në Tiranë dhe puna si kasap në një dyqan mishi pranë Rrugës “Bardhyl” ku ai “aktivizohej” nga Ministria e Brendshme me detyra të ndryshme, si shoqërimi i turistëve dhe internimi i tij familjarisht në Shëngjergj të Tiranës në 1975-ën pas letrës që i bëri Enver Hoxhës për Sigurimin e Shtetit. Rehabilitimi i tij në ’83-in, duke ia kthyer të gjithë dekoratat e “meritat” pasi Prokurori, Rrapi Mino, e kërkoi që të dëshmonte në gjyqin ndaj “armiqve” Kadri Hazbiu e Feçor Shehu.

“Në muajin korrik të vitit 1975, kur unë vazhdoja të punoja si kasap dhe akoma nuk i kisha shkëputur lidhjet dhe bashkëpunimin me organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat më aktivizonin me shërbime të ndryshme në raste festash apo me shoqërimin e turistëve të huaj që vinin si vizitorë në Shqipëri, u ula dhe i bëra një letër Enver Hoxhës. Në atë letër prej 23 faqesh, unë i kërkoja Enverit që ai të merrte masa dhe të dënonte Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvëndësin e tij, Feçor Shehun, pasi ata të dy e kishin futur Sigurimin në rrugë pa krye, duke përdorur metoda të egra represioni mbi njerëzit e pafajshëm dhe shkelnin në mënyrë të vazhdueshme të drejtat më elementare të njeriut. Pak ditë pas asaj letre, më thirri në zyrë, Nusret Dauti, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës dhe më pas më bënë disa mbledhje demaskuese në lagje dhe në organizatën e Partisë ku militoja. Pasi në ato mbledhje më quajtën dhe më akuzuan si “njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar si agjent i lidhur me Perëndimin”, në muajin korrik të atij viti, më internuan familjarisht në fshatin Shëngjergj të Tiranës.

Kështu shprehej mes të tjerash Sefedin Jonuzi, me origjinë nga fshati Vranisht i Vlorës, dhe ish-roje personale i Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës me më pas oficer i Sigurimit të Shtetit, i cili rrëfente të gjithë peripecitë e tij gjatë kohës që ka shërbyer në ato organe, derisa sa u internua në vitin 1975.

Po kush është Sefedin Jonuzi, cila është e kaluara e tij dhe çfarë kujtonte ai nga ato ngjarje të përjetuara gjatë kohës që punoi pranë Enver Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Përse u detyrua Sefedini të bënte vetëvrasje në vitin 1946 dhe si shpëtoi ai nga vdekja?! Cilat ishin detyrat e tij pranë Ministrisë së Brendshme dhe çfar misionesh kreu ai që nga operacionin për arrestimin e personave që qëlluan mbi Bardhok Bibën, e deri në vitin 1975 kur e internuan pasi i dërgoi një letër Enver Hoxhës? Lidhur me këto dhe mistere të tjera nga jeta e tij, Sefedin Jonuzi, i tregonte ekskluzivisht për Memorie.al që publikohen në intervistën e më poshtme.

Zoti Sefedin, kush ju dërgoi të shërbenit pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm?
Pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, unë u dërgova me rekomandimin e Hysni Kapos, i cili më njihte shumë mirë.

Çfarë detyrash kryet në Shtabin e Përgjithshëm?
Pasi shkova në Shtabin e Përgjithshëm, itendenti personal i Enver Hoxhës, Sterjo Gjokoreci dhe komandanti i Kompanisë Speciale që merrej me sigurimin fizik të jetës së anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Axhem Abazi, më caktuan që të merresha me kontrollin e ushqimeve dhe gatimeve që konsumonte Enveri dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes që ishin pranë tij në Shtab. Sipas rregullores së Shtabit, për ruajtjen e shokëve të udhëheqjes, asnjë lloj ushqimi apo gatimi që konsumohej prej tyre, nuk duhet të servirej pa e kontrolluar unë më parë dhe pa e provuar në gojën time.

Sa kohë shërbyet në atë detyrë?
Unë shërbeva jo vetëm gjatë periudhës që Qeveria e përkohshme ishte në Berat, por edhe disa kohë pas mbarimit të Luftës pranë familjes së Enver Hoxhës, po me të njëjtën detyrë.

Cilat janë përshtypjet tuaja për Enverin, gjatë kohës që ju keni shërbyer pranë tij?
Ndonëse unë shërbeva për disa kohë pranë Enver Hoxhës që nga koha e Luftës, duke kontrolluar ushqimin dhe gatimet që konsumonte ai dhe anëtarët e tjerë të Shtabit, po ashtu edhe pas Luftës në shtëpinë e tij po me të njëjtën detyrë, unë asnjëherë nuk kam pasur rastin të takohesha dhe të bisedoja me Enverin.

Pse ju larguan nga ajo detyrë?
Nga kjo detyrë nuk u largova për punë të keqe, por ashtu ishte atëhere, ne ishim ushtarakë dhe do të shkonim atje ku na urdhëronin eprorët tanë, apo siç thuhej atëhere “ku të na kërkoj partia dhe atdheu”.

Ku u caktove pasi u largove nga Enver Hoxha?
Pasi u largova nga shërbimi që bëja pranë Enver Hoxhës, mua më dërguan si shoqërues të Ministrit të Drejtësisë, Manol Konomit.

Çfarë përshtypjesh ruani për ish-shefin tuaj Konomin?
Manol Konomi ishte me virtyte të rralla dhe ai e familja e tij, mua nuk më konsideronin thjeshtë si shoqërues, por si vëllain e shokun e tyre.

Gjatë asaj periudhe që shërbeje pranë shokëve të udhëheqjes, a keni njohur nga afër ndonjë nga personalitetet e tjera të larta të asaj kohe?
Gjatë asaj kohe kam njohur nga afër Sejfulla Malëshovën, i cili në atë kohë mbante postin e Ministrit të Shtypit dhe të Propagandës. Sejfullai ishte shpirt njeriu dhe më i kulturuari e më i miri nga të gjithë shokët e udhëheqjes që kam njohur unë. Ai më donte e më respektonte shumë dhe herë pas here më thërriste në dhomën e tij ku banonte, në Hotel “Dajti”. Aty të dy këndonim labçe, këngët të cilat ai i shkruante vetë. Nuk di ç’të them tjetër për Sejfullain, se ai nuk kishte të sharë dhe e donin të gjithë. Sejfullai ishte një njeri me mendime të kthjellta dhe dinte të orientohej si me politikën e Perëndimit ashtu dhe me Lindjen. Prandaj dhe u godit.

Pasi shërbeve pranë Manol Konomit, ku ju çuan?
Në vitin 1946, pasi kisha shërber si shoqërues i Manol Konomit, mua më transferuan si Sekretar i Rinisë të Divizionit të Mbrojtjes Popullore, që komandohej nga nënkolonel Zija Kambo. Në atë Divizion nuk qëndrova shumë, pasi më transferuan përsëri, pranë Seksionit të Mbrojtjes në qytetin e Vlorës. Seksioni i Mbrojtjes në atë kohë quhej Sigurimi i Shtetit.

Po aty sa kohë shërbyet?
Në atë detyrë që më caktuan, unë nuk shërbeva për asnjë ditë, sepse ndërsa pritej që unë të filloja punën, bëra vetëvrasje.

Si dhe përse ndodhi kjo, që ju të tentonit vetëvrasjen?
Në atë kohë që unë shkova në Vlorë dhe prisja të merrja detyrën, aty kishte ardhur një letër e firmosur nga Koçi Xoxe, ku unë cilësohesha si nipi i eksponentit të Ballit Kombëtar, Rrapo Mete Premtajt, (dajo i nënës sime), i cili ishte nacionalist dhe mik i ngushtë i Hysni Lepenicës. Po në atë letër që unë arrita ta lexoja, kishte orientim që unë të torturohesha dhe të trajtohesha si të gjithë të tjerët, antiparti dhe armik. Pra me një fjalë kërkohej eleminimi im fizik. Pasi e lexova atë letër, unë u trondita pa masë dhe shkova e u mbylla në dhomën time që t’i jepja fund jetës. Para se të tentoja vetëvrasjen, shkrova një letër të cilën ia adresova Enver Hoxhës.

Çfarë shkruaje në atë letër?
Në mes të tjerash unë i shkruajta: “Duke qenë i tronditur nga kjo masë, unë po vras veten, sepse nuk e shikoj dot vetem time jashtë Partisë. Për këtë mos akuzoni njeri tjetër. Rroftë Partia”. Pas kësaj qëllova veten me automatik, por munda të shpëtoja se për fat ngeci automatiku dhe mora vetëm një plumb afër zemrës.

Ç’ndodhi më pas me ty?
Pasi unë kisha rënë pa ndjenja përdhe nga plumbi i automatikut, në dhomën time erdhën njerëzit e Sigurimit të Shtetit me në krye Shefin e Seksionit të Vlorës, Qatip Dervishin dhe më dërguan në spital.

Sa kohë qëndruat në spital?
Megjithëse mjekët ma kishin hequr shpresën se unë mund të përmirësohesha e të kthehesha në jetë, fatmirësisht unë u shërova dhe në spital nuk qëndrova më shumë se një muaj.

Çfarë reagimi pati ndaj teje lidhur me tentativën e vetëvrasjes?
Pasi u shërova dhe dola nga spitali, udhëheqja e lartë e Partisë në Tiranë, dërgoi në Vlorë një ekip për të verifikuar dhe analizuar xhestin që kisha bërë unë. Në krye të atij ekipi erdhën Pandi Kristo me Petraq Magjistarin. Ata më pyetën se pse e kisha bërë atë veprim, pra vetëvrasjen dhe unë i tregova të gjithë të vërtetën, duke ju thënë se: ‘më mirë i vdekur se sa jashtë Partisë’. Pas kësaj u mor vendimi dhe më liruan nga ushtria e më përjashtuan edhe nga Partia.

Pas këtyre masave, ku ju dërguan për të punuar?
Pas kësaj unë dola vullnetar dhe shkova për të punuar në hekurudhën Durrës-Peqin. Nga që punova mirë aty, mu dha e drejta dhe më dërguan në një shkollë Teknike në Jugosllavi. Në atë shkollë qëndrova deri kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe në atë kohë u ktheva në Shqipëri e i kërkova takim Ministrit të Brendshëm Mehmet Shehut, i cili më priti në zyrë, sepse më njihte shumë mirë. Pas atij takimi, Mehmeti dha urdhër që unë të rikthehesha në ushtri dhe në atë kohë unë u caktova pranë “Repartit 200” të Sigurimit të Shtetit. Pasi punova disa kohë aty, më transferuan në një kompani speciale që merrej me ndjekjen e bandave të diversantëve, ku komandanti i saj isht Medi Bilbili.

Keni marrë pjesë në kapjen e ndonjë “bande diversantësh”?
Në atë kohë ne bëmë disa operacione për kapjen e bandave të diversantëve në Veri të Shqipërisë, por ai më kryesori dhe më i rëndësishmi në atë kohë ka qenë operacioni për kapjen dhe eliminimin e personave që organizuan dhe vranë Sekretarin e Parë të Mirditës, shokun Bardhok Biba, që ishte zgjedhur edhe deputet në Kuvendin Popullor.

Ç’mund të na thoni për terrorin që u ndërmor pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe sa vetë u arrestuan lidhur me atë ngjarje?
Pas vrasjes së Bardhok Bibës, në ditët e para të gushtit të vitit 1949, Kompania Speciale ku bëja pjesë dhe unë, mori detyrën që të ndërrmerte operacionin në shkallë të gjerë për kapjen dhe eliminimin e personave që kryen atë vrasje. Në atë kohë unë personalisht kam arrestuar rreth 150 vetë, ndërsa gjithsej nga e gjithë kompania jonë u arrestuan rreth 500 vetë. Por dua të them se në atë kohë unë kam bërë dhe lëshime të shumta, sepse kishte njerëz që iu kishin dhënë bukë diversantëve pa i njohur ata. Për ato lëshime që bëra, pata dhe koncekuenca, por për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në atë kohë u arrestuan dhe shumë të pafajshëm. Që me atë ngjarje, për herë të parë unë krijova bindjen se organet e Sigurimit të Shtetit po arrestonin njerëz të pafajshëm dhe ajo më brente në vetvete vazhdimisht.

Çfarë konsekuencash patët për lëshimet që bëre me arrestimet?
Në atë kohë mua më thirri Kryetari i Sigurimit për Qarkun e Shkodrës, (nga varej rrethi Mirditës në atë kohë), major Zoi Themeli dhe më bëri presion të madh se pse nuk i kisha zbatuar të gjitha urdhrat që më ishin dhënë për arrestimet. Ai më tha: “Që kur qenke bërë ti Ministër i Brendshëm”? Pas kësaj u bënë disa mbledhje ku ndaj meje u bënë kritika shumë të ashpëra dhe si përfundim, morën masë duke më hequr nga ajo kompani dhe më dërguan në një brigadë të Sigurimit të shtetit në rrethin e Pukës.

Po në Pukë, me çfarë pune u more dhe sa qëndrove atje?
Në brigadën e Sigurimit të Pukës unë punova si hetues dhe punëtor operativ, por atje nuk qëndrova shumë, sepse Komanda e Sigurimit nga varesha unë, propozoi shkarkimin, dhe lirimin përfundimisht nga radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke më përjashtuar edhe nga Partia përsëri.

Po përse ju shkarkuan nga ato detyra dhe ju përjashtuan nga partia?
Kjo gjë ndodhi sepse gjatë hetuesisë që unë i bëra një prifti katolik, Dom Engjëll Kovaçit, që akuzohej për agjitacion e propagandë e strehim diversantësh, e lirova atë si të pafajshëm. Kjo gjë bëri bujë të madhe, por unë i qëndrova deri në fund bindjes sime, që ai prift nuk kishte asnjë rrethanë rënduese për ta lënë në burg. Gjatë hetuesisë që i bëja, Dom Engjëll Kovaçi mu shpreh në mirëbesim, duke më thënë se feja e kishte si pikë të parë antikomunizimin, por ai nuk kishte bërë asnjë lloj propagande antikomuniste dhe ishte marrë vetëm me punët e fesë. Natyrisht që unë nuk e padita priftin e shkretë, ndonëse pata të gjitha ato koncekuenca.

Po pas atij propozimi, a ju liruan nga detyra?
Jo, sepse masën e dhënë për mua, nuk e pranoi Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, i cili më thirri në zyrë dhe më caktoi të punoja në rrethin e Sarandës. Por unë nuk e pranova atë transferim dhe qëndrova për rreth një vit në dispozicion, duke mos u paraqitur asnjë ditë në detyrë. Por me ikjen e Mehmetit si kryeministër dhe ardhjen e Kadri Hazbiut në vrnd të tij, mua më liruan përfundimisht nga detyra.

Pas largimit nga radhët e Ministrisë së Brendshme, ku punuat?
Në atë kohë megjithëse më liruan nga detyra, dega e Kuadrit e Ministrisë së Brendshme, i dërgoi një karakteristikë pozitive Komitetit Qëndror dhe mua më thirri Llazi Stratobërdha, i cili më caktoi të punoja në Drejtorinë e Kuadrit në Ndërmarjen e ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë. Në atë detyrë unë qëndrova deri në vitin 1957 dhe në atë kohë u ktheva në Tiranë, duke dalë në pension si invalid i Luftës.

Po pas kësaj me se u morët në Tiranë?
Pasi u ktheva në Tiranë, menjëherë më aktivizuan si bashkëpunëtor në rradhët e organeve të Ministrisë së Brendshme, duke më lënë në dispozicion edhe të gjithë armatimin personal që kisha pasur që kur isha oficer efektiv. Pas kësaj, mua më gjetën punë si kasap në një dyqan mishi të Ndërmarrjes së Tregtisë në rrugën “Bardhyl”.

Sa kohë punuat aty si kasap dhe çfarë detyrash keni kryer gjatë asaj kohen ë radhët e organeve të Sigurimit?
Në atë dyqan mishi punova deri aty nga viti 1975, kur më internuan familjarisht në Shëngjergj të Tiranës. Ndërsa organet e Ministrisë së Brendshme gjatë gjithë asaj kohe më aktivizuan me detyra të ndryshme, kryesisht në raste festash, por detyra kryesore që bëja vazhdimisht, ishte shoqërimi i turistëve të huaj që vinin si vizitorë në Shqipëri. Në atë detyrë unë përsëri pata divergjenca me eprorët e mi, sepse ata më kërkonin raporte për turistët që kishin ardhur si agjent në Shqipëri. Por unë nuk ua dërgoja ato raporte, sepse faktikisht nuk kisha konstatuar ndonjë turist që të kishte ardhur për qëllime spiunazhi.

Vetëm se nuk çoje raporte, të internuan në Shëngjergj?
Jo, kjo ishte njëra anë e divergjencave që pata atëhere, por internimim im erdhi pasi në majin e vitit 1975, i bëra një letër prej 23 faqesh Enver Hoxhës.

Çfarë ishte kjo letër dhe çfarë i shkruajte Enverit?
Në atë letër të gjatë të cilën unë ia nisa me postë Enver Hoxhës, në mes të tjerash i shkruaja: “Shoku Enver, Sigurimi i Shtetit, nuk ka për detyrë vetëm për të vënë hekurat, por në radhë të parë ata duhet të marrë masa parandaluese dhe të parandalojë e të shpëtojnë qytetarët nga gabimet dhe fajet që mund të bëjnë”. Kjo gjë si të thuash, ishte thelbi i asaj letre, ndërsa unë aty akuzoja direkt ministrin e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun, (në atë kohë mbante edhe postin e Drejtorit të Sigurimit). Ata të dy i akuzoja se e kishin futur Sigurimin në një rrugë pa krye dhe përdornin masa represive ekstreme, me të cilat shkelnin në mënyrë të vazhdueshme të drejtat më elementare të njeriut.

Konkretisht, çfarë shkruanit për Feçor Shehun?
Për Feçorin i shkruaja se ishte një njeri mjaft immoral dhe hakmarrës, i cili rriste në mënyrë artificiale përgjegjësitë e tij gjoja në mbrojtje të Diktaturës së Proletariatit dhe për këtë gjë, ai kishte si mburojë vetë Kadri Hazbiun. Në fund të letrës, unë kërkoja dënimin e tyre, sepse ata të dy me atë që po bënin, po diskretitonin jo vetëm Ministrinë e Brendshme, por dhe Partinë që i kishte besuar në atë detyra të larta.

Ishte hera e parë që ju i ngrinit ato probleme për dy titullarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit?
Këto gjëra unë ua kisha paraqitur më parë edhe vetë Kadriut e Feçorrit dhe jo vetëm se nuk kisha marrë asnjë përgjigje prej tyre, por ata filluan presionet ndaj meje, me qëllim që të më fusnin në burg. Kjo ishte dhe një ndër arsyet kryesore që unë i bëra letrën, Enver Hoxhës. Pra, se isha fare pranë burgut.

Po kush ishin arsyet e tjera?
Arsyeja kryesore që unë bëra letrën në atë kohë, ishte ajo që shikoja përditë, se ndryshe jepeshin orientimet nga Partia dhe ndryshe zbatoheshin ato nga Sigurimi i Shtetit, i cili në plan të parë kishte vetëm terrorin që ushtrohej në mënyrë të heshtur me arrestime njerzish të pafajshëm, për gjëra që fare mirë mund të korigjoheshin nëpërmjet këshillimeve siç ishte dhe orientimi i Partisë i sanksionuar kjo në platformën e Sigurimit të Shtetit të miratuar nga Byroja Politike prej kohësh.

Më konkretisht, për çfarë terrori bëhej fjalë tek letra që ju shkruanit në adresë të Enver Hoxhës?
Po ja, nëqoftëse nga një familje dilte një person që bënte gabime ose faje, merreshin masa ndaj të gjithë familjes dhe nuk veçohej individi. Por ç’faj kishte prindi që kishte luftuar e punuar gjithë jetën, të përfundonte në internim, vetëm se djali i tij ndiqte modën apo linte flokët e gjata.

Çfarë ndodhi me ty pas asaj letre që bëre?
Menjëherë pas letrës që i nisa Enver Hoxhës, mua më thirri në zyrë Drejtori i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, Nusret Dautaj, (kushëri i parë i ministrit Kadri Hazbi Dautaj) i cili më bëri presion që t’i tërhiqja ato që që kisha ngritur nnë atë letër dhe të kërkoja falje, duke thënë se isha nxituar dhe Partia do më falte.

U tërhoqët ju?
Unë isha i vendosur dhe nuk tërhiqesha nga ato që kisha shkruar në asnjë lloj mënyre, çfarëdo presionesh që të më bëheshin, pasi e dija se dënimi im pas asaj do ishte i sigurtë. Dënim për dënim, unë vendosa t’i mbahesha atyre që kisha shkruar në letër.

Ç’ndodhi më pas me ju?
Pas asaj u bë Konferenca e Partisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme për Tiranën, ku mua më akuzuan dhe paraqitën si “njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar si agjent i Perëndimit”.

Po përse “agjent i Perëndimit’, ku mbështetej ajo akuzë?
Kjo akuzë bëhej për arsye se mua më vinin vazhdimisht pako nga turistët e huaj me të cilët kisha ruajtur raporte miqësore e njerëzore. Në atë konferencë u kritikuan dhe disa kuadro të lartë të Ministrisë, si Lake Topallaj, Lirim Pëllumbi (zv/Drejtori i Sigurimit) Abedin Elmazi, (Shefi i Policisë i Tiranës) etj.

Po ndaj tyre çfarë akuzash u ngritën?
Sepse gjoja më kishin mbajtur mua afër dhe më mbronin. Po kështu atyre u thanë se: “me punën e tyre kishin bërë që unë të depërtoja deri në problemet më kardinale të Sigurimit të shtetit”. Pas kësaj u dha urdhër që të shiheshin të gjitha arshivat për punën time dhe u bënë edhe disa mbledhje të tjera demaskuese në lagje dhe në organizatën e Partisë ku militoja.

Po në ato mbledhje, çfarë u tha kundër jush?
Ndonëse në të dy ato mbledhje unë u mora në mbrojtje, Manush Myftiu i hodhi poshtë ato duke i quajtur oportunistë dhe pas kësaj u mor vendimi e unë u internova familjarisht në fshatin Shëngjergj të Malësisë së Tiranës.

Sa kohë qëndruat në internim dhe si ju trajtuan atje?
I internuar në fshatin Shëngjergj, unë kam qëndruar familjarisht nga muaji gusht i vitit 1975 e deri në shtatorin e vitit 1983, kur më thirrën si dëshmitar në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut e Feçorr Shehut.

Para se të dalim te gjyqi Kadri Hazbiut, si u trajtuat gjatë kohës që ishit në internim në Shëngjergj të Tiranës?
Kur vajta fillimisht në Shëngjergj, fëmijën e vogël e kisha tre vjeç. Gjatë gjithë atyre viteve që qëndrova atje, jam trajtuar njëlloj si gjithë të internuarit e tjerë, duke punuar në punët e bujqësisë me gjithë familjen. Por dua të them, se aty kisha dhe ndonjë lehtësi apo ndihmë nga punëtori operativ i zonës, Ndue Frrok Gega, djali i ish-zv/Ministrit të Brendshëm, Frrok Pjetër Gega. Po ashtu unë mund të lëvizja që andej vetëm me leje dhe paraqitesha rregullisht në apelin që bëhej për të internuarit. Kur më duhet të vija në Tiranë, duhet të kërkoja leje ku të deklaroja se ku do shkoja dhe kë do të takoja. Kur më vdiq babai, Feçorr Shehu nuk më dha leje të shkoja për ta varrosur.

Pse ju thirrën në gjyqin e Kadri Hazbiut dhe çfarë dëshmuat atje?
Pas arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në vitin 1982-‘83, me kërkesën time unë u paraqita tek Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino. Në atë takim ai më tha: “Ti je dënuar kot, pa fakte” dhe i dha urdhër Shefit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Ligjishmërisë, Jorgo Dhramit, që të merrej me problemin tim. Pasi ai i analizoi të gjitha dokumentet e mia, ato iu bënë prezent Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili vendosi dhe mi ktheu të gjitha të drejtat që më ishin mohuar, si pensionin e invaliditetit të Luftës dhe gradat, e më liruan nga internimi.

Kur ua dhanë të gjitha këto, para gjyqit të Kadri hazbiut, apo pasi dëshmuat aty?
Të gjitha këto mu dhanë vetëm në muajin gusht-shtator të vitit 1983, pasi dola si dëshmitar në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, i cili u zhvillua në ambientet e brendshme të Burgut të Ri (reparti 313).

Çfarë dëshmuat atje për Kadriun e Feçorin?
Sapo hyra në sallë, Kryetari i gjyqit, Aranit Çela dhe Prokurori, Rrapi Mino, më thanë se a i njihja ata të dy dhe ç’kisha për të thënë. Unë ju përgjigja menjëherë: “Unë këta të dy i njoh ashtu sikurse u njoh edhe juve. Por ato që kam pasur për të thënë për këta të dy, ia kam thënë hapur Partisë dhe shokut Enver, në atë kohë kur këta ishin në detyrë dhe tundnin malet. Tani nuk kam për të thënë asgjë për ta. Nuk jam marrë dhe nuk merrem me pula të ngordhura. Po doni të dini mendimin tim për ta, lexoni letrat që kam shkruar atëhere”. Pas kësaj u ula në vend dhe Araniti me Rrapi Minon muk më thanë asnjë fjalë.

Po Kadri Hazbiu me Feçorrin, si reaguan pas fjalës tuaj?
Kadriu dhe Feçorri nuk u ndjenë farë, ata vetëm ulën kokat, si pula të lagura.

Komisari i Brigadës së V-të, Hysni Kapo, njeriu që rekomandoi partizanin 16-vjeçar, “Picirruku”-n, të shërbente pranë Enverit në ’43-in

Sefedin Jonuzi u lind në maj të vitit 1927 në fshatin Vranisht të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Familja Jonuzi, apo siç njihet ndryshe edhe me mbiemrin, Ramadanaj, ka qenë një nga familjet e para vlonjate që në nëntorin e vitit 1912, ka pritur në shtëpinë e saj, Plakun e Vlorës, Ismail Qemalin. Dy burrat e kësaj familje që pritën në shtëpinë e tyre kryeministrin e qeverisë së përkohshme të Vlorës, ishin Haxhi Jonuzi dhe Pasho Ramadanaj. Edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare famnilja Jonuzi që njihej në të gjithë atë krahinë për të kaluarën e saj patriotike, u lidh ngushtë me Lëvizjen dhe shumë nga djemtë e saj u rradhitën në brigadat e formacionet e tjera partizane.

Babai i Sefedinit, Vehip Jonuzi, ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, ndërsa kryetar ishte kushëririri i tij, Hazbi Ramadani. Po kështu, Vehip Jonuzi morri pjesë në Luftën e Drashovicës, kundër forcave gjermane bashkë me shumë djem të tjerë të fisit të tij. Vetë Sefedin Jonuzi pasi mbaropi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, në Vranisht, nuk pati mundësi të ndiqte më tej ndonjë shkollë tjetër dhe iu përvesh punëve në ndihmë të familjes për të siguruar bukën e gojës. Ashtu si shumë pjestarë të tjerë të fisit të tij, edhe Sefedini, që në vitin 1943, kur nuk ishte më shumë se 14–15 vjeç, u angazhuan në Lëvizjen Antifashiste dhe shkak për këtë u bënë Maman Saliu, Jonuz Mersini dhe kushëriri i tij, Hysen Çino (“Hero i Popullit”).

Në gushtin e vitit 1943, me formimin e çetës partizane “Sali Murati”, Sefedini u rradhit si partizan i saj dhe nga që ishte më i vogli i çetës, ia ngjitën pseudonimin e Luftës “Picirruku”. Në atë çetë partizane, Sefedinin e ngarkuan me detyrën e flamurtarit të saj dhe ai qëndroj aty deri në kohën që u krijua Bataloni partizan, “Halim Xhelo Tërbaçi”. Në atë formacion, Sefedin Jonuzi qëndroi deri nga viti 1944 kur u formula Brigada e V-të Sulmuese e komanduar nga Shefqet Peçi, e komisar, Hysni Kapo.

Në atë brigade, Sefedini u rreshtua në batalionin e IV-të dhe mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ai formacion partizan, ku u plagos gjatë një beteje kundra forcave gjermane në afërsi të malit të Korabit. Pasi qëndroi disa kohë në një spital partizan në fshatin Bellovë të Peshkopisë, ai u dërgua në qytetin e Beratit, ku mori mjekimet e nevojshme deri sa u shërua.

Në atë kohë ai u transferua pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga gjeneral-major Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha, ku u caktua në kompaninë që bënte sigurimin fizik të Shtabit me komandant Axhem Abazin dhe skuadërkomandant, Qazim Mali.

Pas disa kohësh që Sefedini shërbeu si partizan roje, me rekomandimin e Hysni Kapos dhe itendentit personal të Enver Hoxhës, Sterjo Gjokoreci, bashkë me Axhem Abazin, e caktuan me detyrën e kontrollit të ushqimeve të Shtabit dhe personalisht të Enver Hoxhës. Me ardhjen e Shtabit të Përgjishem në Tiranë, më 28 nëntorin e vitit 1944, Sefedin Jonuzi u caktua për të bërë shërbim pranë shtëpisë së Enver Hoxhë, po me të njëjtën detyrë, atë të kontrollit të ushqimeve që konsumonte Enver Hoxha dhe familja e tij/Memorie.al/

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit