MENU
klinika

Çfarë zotërie!

Vedat Kokona, kozmopoliti i letrave shqipe

07.08.2020 - 14:07

       Kryeministri, përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar shqiptar, Vedat Kokona. Rama e cilëson atë, si “një nga personalitetet më kozmopolite të letrave tona të shekullit XX”.

“Na lundron me një këpucë zonjëje në dallgët e etherit. Mikrokozmosi ynë nuk i pëlqen aq shumë dhe preferon të shëtisë nëpër stratosferë në bishtin e ndonjë ylli të këputur, që vjen rrotull në vetmi pa iu bindur ligjit të gravitetit. Kur mërzitet së dëfryeri nëpër komete e yje, i ka ënda të jetojë në gjirin e nymfave e të nereidave. Pra, anakronik se anakronik”.

Duke cituar këto pasazhe nga Vedat Kokona, Rama tha, se “kështu e shihte vetveten me përkëdheli, autori autoironik i këtyre rreshtave, kur ende nuk i kishte mbushur të tridhjetat”.

“I lindur 107 vjet më parë në Izmir të Anatolisë, në një familje kadilerësh prej Gjirokastre, Vedat Kokona ishte edhe një nga personalitetet më kozmopolite të letrave tona të shekullit XX”, tha Rama.

Rama tha se “sot ai fle në paqe mbi dafinat e merituara të Urdhrit të Arteve dhe Letrave e mbi Palmat Akademike, me të cilat u nderua nga Franca mirënjohëse, mëma e arteve dhe e letrave siç e quante i madhi Ronsard”.

“Natyrë e parapjekur, “précoce” siç do ta thoshte vetë në frëngjishten e tij sublime, Vedat Kokona, i pajisur me një “bac philo” nga Liceu i Korçës dhe një diplomë në drejtësi në Paris, u ushqye nga kultura franceze, por si gjirokastrit i mirë nuk ia fali asaj të tërë pjesën e luanit”, tha Rama.

Shkruajti në shqip romane, poema dhe artikuj, përktheu vepra botërore nga anglishtja dhe rusishtja e u dhuroi lexuesve të huaj, në gjuhët e tyre, thesaret e Naimit, Nolit, Lasgushit e me radhë.

Themelues i Revistës Letrare, me Kutelin e të tjerë, Rama tha se “Vedat Kokona ishte mëkuar qysh i ri nga universi i paanë i fondeve leksikore, e kësisoj ky fanatik i Larousse-it numërohet sot mes hartuesve më të suksesshëm të disa fjalorëve dhe metodave të artit të të shkruarit, sikundër edhe një nga pedagogët më të admiruar nga brezat”.

“Mjafton edhe vetëm kjo foto e këtij princi të gjuhëve, për t’u joshur në zbulimin e jetës së tij romaneske dhe zhytur në leximet e letrave që ai la në thesarin e kulturës sonë. Çfarë zotërie”, – shkruan, Rama.

 

***

 

Vedat Kokona mban titullin doktor “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, si dhe është nderuar me titujt e dhënë nga Republika Franceze: “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, më 1995 dhe “Oficeri i Urdhrit të Palmave”, më 1996. Ai mbetet një figurë akademike me shumë kontribute në jetën e vendit, i cilësuar shpesh edhe si ati shpirtëror i frankofonisë.

Profesor Vedat Kokona kishte nostalgji për Francën, vendin ku kishte studiuar për jurisprudencë. Madje, ai shkoi në Paris pas gati 50 vjetësh. Herën e dytë, pra, në vitin 1998, ai shkoi përsëri për të marrë dekoratën, që i kishin akorduar francezët. Është interesant fakti se gjatë fjalimit të tij, Vedat Kokona iu tha francezëve se në gjuhën shqipe, La Fonteni përkthehej më mirë se në gjuhën italiane, sepse gjuha shqipe është shumë e pasur. Në një bisedë të Vedat Kokonës, ftuar në një televizion francez, me të mirënjohurin Bernard Pivot, në emisionin “Bouillon de culture”, binte në sy intelektualizmi i profesorit tonë. Pasi e falënderoi Pivon, Vedat Kokona i foli teleshikuesit francez për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë për gjuhën shqipe.

…Mbaj akoma pranë letrën e tij të fundit që më dërgonte së largu, midis shumë të tjerave, ku më shkruante me dashuri: “I dashur Alfred. Të uroj nga zemra, pak me vonesë ç’është e vërteta, për dhuratën që më pate bërë shumë kohë më parë dhe për të falat që më ke dërguar disa herë. Nuk të kam shkruar, por ta dish se të kujtoj shpesh me dashuri. Je nga fort të paktë ish-studentë të mi, që të kam pranë shpirtërisht dhe shpesh e kujtoj shëtitjen në Dajt, 30 vjet më parë dhe fjalët që shkrove për profesorin flokëbardhë. Me rastin më të parë që do të gjej, do të të çoj një botim, me disa sonete të Shekspirit. Këtu gramatika thuajse s’po shitet. Shqipot s’kanë nevojë për gramatikën e gjuhës së tyre, të cilën e njohin shumë mirë. Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri dhe Krishtlindjen ’96. Të përqafoj me mall. I Yti Vedat

“Sa më i vjetër bëhem,- kujtonte profesor Kokona,- aq më shumë e kuptoj se përkthimi është punë shumë e guximshme dhe e rrezikshme. Duket si uji i akullt i një pellgu, ujë tërheqës, i këndshëm, me sa duket i cekët, gjë që ju bën të ndiheni mirë, endem dhe duket se do të të thotë: ‘Ejani i dashur, ejani të bëni një banjë të mirë. Dhe ju, të etur për të marrë banjën tuaj, zhyteni, por kini kujdes nëse nuk mund të notoni!”.

“Sa më e lehtë ishte për mua atëherë, në rininë time, kur mezi më pëlqeu poezia, ose një pjesë e prozës dhe menjëherë e kapa lapsin ose stilolapsin dhe faqja u mbush mrekullisht vetvetiu! Dhe pasi lexova me kënaqësi atë që sapo kisha krijuar, u kënaqa shumë me punën time, të përfunduar në një periudhë të shkurtër kohe, si ju poet i ri!.. Mbaj mend orët kur u ngrita nga shtrati im në mes të dimrit, në mes të natës, në dhomën e ngrirë, sepse zjarri kishte qenë jashtë për një kohë të gjatë, për të shkruar me nxitim një fjalë … një shprehje që më kishte rënë në mendje. Ah! Ku është ajo kohë kur aroma e rinisë sfidoi të ftohtin, ku fakti i gjetjes së fjalës së duhur, një figure, një mbiemër më dha kënaqësi, e cila nuk përsëritet më në jetë… Ku është entuziazmi i buzëqeshur që ju shtyn të bëni projekte të tilla, të cilat janë vetëm produkt i vizionarëve. Ku janë mëngjeset triumfuese që duket se duan të vazhdojnë një jetë të tërë kur, vetëm pas mesditës, e pastaj vjen nata…” – do të kujtonte ish-studenti i tij, Alfred Papuçiu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


100 vjet histori

Epopeja e një liceu…


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit