MENU
klinika

Votohet qeveria e re në Maqedoninë e Veriut

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti rifillojnë bashkëqeverisjen

31.08.2020 - 12:35

Parlamenti maqedonas ka votuar me 62 vota pro, pak pas mesnatës së të dielës, qeverinë e, e cila do të drejtohet nga Zoran Zaev, i Lidhjes Social-demokrate (LSDM), në koalicion me Bashkimin Demokratik (BDI), partinë e drejtuar nga Ali Ahmeti. Kryeministri i porsazgjedhur Zoran Zaev, në fjalimin para deputetëve tha se prioritet në punën e qeverisë së re do të jetë ngritja e standardit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, përballja me pandeminë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapja e negociatave me Bashkimin Europian, reformat në administratë e gjyqësor, por edhe raporteve të mira me vendet fqinje përmes zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura me Greqinë dhe Bullgarinë. Zaev tha se Maqedonia e Veriut tanimë është shtet i konsoliduar, pa asnjë përplasje ndëretnike, pasi siç tha ai, “është arritur të ndërtohet, është i të gjithëve”.

“Do të angazhohemi për ndërtimin e shtetit demokratik, përballjen me pandeminë, ngritjen e ekonomisë, rritjen e pensioneve dhe të pagave. Do të luftojmë fuqishëm krimin dhe korrupsionin. Jemi të angazhuar me forcimin e shtetit ligjor, sundimin e ligjit, të kemi gjyqësi të pavarur dhe administratë efikase”, tha Zaev. “Ne do të vazhdojmë me zbatimin edhe të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është baza e bashkëjetesës ndëretnike. Përpara nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më tepër, sesa do të japim. Ne jemi të përkushtuar të hapim 80 për qind të kapitujve të negociatave në katër vjetët e ardhshme”, shtoi ai.

Por, deputetët e opozitës në fjalimet e tyre thanë se qeveria e re nuk do të dallojë nga ajo e kaluara, duke e akuzuar për rrënimin e shtetit, të ekonomisë, rritjen e krimit dhe të korrupsionit, por edhe siç thanë për “tradhti kombëtare” duke përmendur ndërrimin e emrit të shtetit. “Qeveria e re e LSDM-së dhe BDI-së është një koalicion gënjeshtrash që do të përballet me protesta masive në vjeshtë. Kjo qeveri është qeveria e krimit dhe e mashtrimit”, deklaroi Aleksandar Nikollovski.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbulohet ndarja e ministrive

Arrihet marrëveshja LSDM- BDI

"Koha zhgënjeu skeptikët duke i dhënë të drejtë..."

Sfida reale e Ali Ahmetit!