MENU
klinika

Tenis

Zyrtare, Nadal nuk do të jetë në US Open

05.08.2020 - 12:23

Tashmë është zyrtare! Rafael Nadal nuk do të jetë në US Open. Lajmi u konfirmua nga vetë tenisti spanjoll, ku njoftoi tifozët e tij se nuk do të udhëtojë drejt Shba-së për të marrë pjesë në turneun amerikan. Situata e krijuar nga pandemia e Covid-19 ka detyruar kampionin në fuqi të turneut që të njoftojë mungesën, pasi sipas tij nuk ia vlen të rrezikojsh jetën për një ngjarje sportive.

“Pas shumë mendimesh kam vendosur të mos luaj në US Open. Situata është shumë e komplikuar në të gjithë botën, rastet janë në rritje. Duket se ne ende nuk kemi kontrollin e tij. Ky është një vendim që kurrë nuk kam dashur ta marr, por kam vendosur të ndjek zemrën time këtë herë” – shkruan Nadal në statusin e tij.

34-vjeçari humb kështu mundësinë për të barazuar rekordin e rivalit të tij, Roger Federer me 20 tituj Grand Slam, i cili nga ana e tij do të mungojë për shkak të një operacioni në gju. US Open do të jetë Grand Slam i parë që do të zhvillohet që nga pandemia e Covid-19, dhe organizatorët kanë premtuar masa të rrepta për të siguruar sigurinë e pjesëmarrësve.

Prezencën në turneun e parë Slam pas pandemisë e ka konfirmuar numri 1 i renditjes së ATP-së, Novak Djokovic, krahas finalistit të vitit të kaluar Medvedev, Dominic Thiem dhe Alexander Zverev. US Open pritet të mbahet nga 31 gushti deri më 12 shtator.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN