MENU
klinika

The Wall Street Journal: Pjesa e vështirë fillon tani

Analizë: Ekonomike globale bën hapa mbrapa

13.09.2020 - 12:23

Të dhënat e Mbretërisë së Bashkuar forcojnë pikëpamjen se kthimi në nivelet e prodhimit para-koronavirus do të jetë një process i gjatë dhe me dhimbje për shumicën e botës së pasur.

Ekonomia globale po tërhiqet fuqimisht nga kolapsi që pësoi në pranverë, por të dhëna të reja sugjerojnë se fitimet e hershme nga heqja e bllokimeve të koronavirusit janë shteruar tashmë, duke shtuar provat se shërimi i ekonomisë botërore mund të zgjasë shumë muaj, në mos vite.

Të dhënat e reja zyrtare nga Britania e Madhe tregojnë një pasqyrë të vlefshme për gjendjen e rimëkëmbjes së vazhdueshme ekonomike. Vendi është një prej ekonomive që gjeneron statistika të rritjes ekonomike çdo muaj dhe është gjithashtu vendi më i madh për ta bërë këtë, duke ofruar një pamje më të freskët sesa sigurojnë shifrat tremujore të produktit të brendshëm bruto.

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u rrit me 6.6% në korrik nga qershori, pasi u zgjerua me 8.7% në muajin precedent (qershor). Kjo e vë Mbretërinë e Bashkuar në rrugën e duhur për një rritje prej 15% të PBB në tremujorin e tretë, pas një rënie prej 20.4% në të dytin.

Sidoqoftë, prodhimi mbeti 11.7% më i ulët sesa ishte në shkurt, muajin e fundit para se pandemia të fillonte të godiste ekonominë. Prodhimi në sektorin e shërbimeve, i cili mbështetet më shumë në kontaktin ballë për ballë, ra me 12.6% nga shkurti, ndërsa prodhimi industrial me 7%.

Shifrat forcojnë pikëpamjen e shumë ekonomistëve se kthimi në nivelet e prodhimit para-koronavirus do të jetë një proces i ngadaltë, me dhimbje dhe i gjatë në pjesën më të madhe të botës së pasur, pasi koronavirusi demoralizon këdo dhe gjithçka, nga udhëtimi te argëtimi e deri te puna në zyrë.

Të dhënat ekonomike që kanë një rekord të mirë të parashikimit të rritjes tregojnë se rritja e fortë në tremujorin e tretë ka të ngjarë të pasohet nga një zgjerim më modest teksa kompanitë, punëtorët dhe qeveritë përshtaten me atë që mund të jetë një periudhë e zgjatur e pasigurisë mbi evolucionin e pandemisë dhe disponueshmërinë e një vaksine të mundshme.

“Për sa kohë që ekonomitë e mëdha nuk kanë nevojë të futen sërish në një bllokim të përgjithësuar, ekonomia duhet të vazhdojë të ndreqet, por nuk mund të mbështesë reagimin spektakolar siç ndodhi rihapjen e bizneseve disa muaj më parë,” tha Gilles Mowc, kryekonomist në kompaninë e sigurimeve Axa . “Pjesa e vështirë fillon tani.”

Ekonomistët nuk presin që ekonomia britanike të kthehet në përmasat e saj para-pandemie deri në vitin 2022. Britania e Madhe pësoi rënien më të rëndë të prodhimit mes vendeve të pasura gjatë tremujorit të dytë, por tabloja mujore e rënies dhe rimëkëmbjes ka qenë gjerësisht e ngjashme me vendet e tjera, përfshirë SHBA-të.

Banka Federale e Rezervave të Atlantës vlerëson se ekonomia amerikane është në rrugën e duhur për një zgjerim prej 7% në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje prej 9.1% në tremujorin deri në qershor. Ekonomistët presin që ajo të zgjerohet me vetëm 1.25% në tremujorin e katërt dhe të rikthehet në nivelet e prodhimit para-pandemie vetëm në fillim të vitit 2022.

Ekonomia globale u tkurr për një tremujor të dytë radhazi në tremujorin deri në qershor, me bllokime të përhapura dhe përpjekje individuale për të shmangur infeksionin duke i dhënë një goditje të rëndë aktiviteteve ekonomike.

Në të gjithë Grupin e 20 ekonomive kryesore, rënia prej 3.4% e prodhimit të regjistruar në tre muajt e parë të vitit ishte tashmë më e madhja që prej 1998, por rënia e tremujorit të dytë ishte e paprecedent ndër dekada që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Momentet e kthesës në aktivitetin ekonomik gjatë pandemisë kanë qenë çështje muajsh, jo tremujorësh. Jashtë Kinës, rënia në prodhim u përqendrua në Mars dhe Prill, duke u rikuperuar në shumë vende duke filluar që nga maji dhe duke u forcuar ndjeshëm në Qershor dhe Korrik teksa bllokimet u hoqën.

Sipas shifrave të publikuara javën që po lëmë pas, ekonomia e Norvegjisë – e cila u tkurr më pak se disa nga fqinjët e saj europianë këtë pranverë – u zgjerua 1.1% në korrik, më e ngadaltë se norma e rritjes së qershorit. Prodhimi në korrik ishte vetëm 4.7% nën nivelin e tij të shkurtit.

Në një postim (blog) të premten, kryekonomisti i Bankës Qendrore Europiane, Philip Lane, dha një mendim të kujdesshëm në lidhje me rimëkëmbjen anemike ekonomike të Europës dhe normën e dobët të inflacionit, duke lënë derën e hapur për një stimul të ri në muajt e ardhshëm.

Sondazhet e biznesit tregojnë se rimëkëmbja globale vazhdoi për të pestin muaj radhazi në gusht. Një matje kyç e aktivitetit të biznesit në 45 vende, e përpiluar nga firma e të dhënave IHS Markit në emër të J.P. Morgan dhe bazuar në përgjigjet e menaxherëve të blerjeve, arriti nivelin më të lartë të shtatë muajve.

Por kishte shenja të brishtësisë pasi shpërthimet e reja të virusit nxitën kufizime të reja dhe kujdes shtesë midis konsumatorëve, me rënie të aktivitetit të regjistruar në Japoni, Indi, Australi, Kazakistan, Spanjë dhe Itali. Mes tyre, ato vende zënë 15% të prodhimit botëror. ( Wall Street Journalist, SI)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Politikëbërësit theksojnë rrezikun

Rritja e euros shqetëson Bankën Qëndrore Europiane