MENU
klinika

Filmi “Nëntori i ftohtë”

Ballë për ballë luftës

26.09.2020 - 10:18

Rreth filmit “Nëntori i ftohtë” në regji të Ismet Sijarinës, me aktorët kryesor Kushtrim Hoxha dhe Adriana Matoshi.

  • Ballsor Hoxha

Filmi kosovar, me filmin “Nëntori i ftohtë”, është film që ka gjetur mënyrën e trajtimit, kinematografizimit dhe të rrëfimit të dhembjes së shoqërisë sonë. Në të vërtetë ka një dilemë dhe një tragjedi në shoqërinë tonë, nëse e kemi gjetur mënyrën apo edhe rrëfimin tonë për veten tonë dhe dhembjen tonë përbrenda shoqërisë sonë dhe drejt të tjerëve. Nëse kemi bërë aq sa duhet për të rrëfyer, për të hapur plagët dhe për t’i bashkëbiseduar ato, dhe nëse kemi mundur të kalojmë megalomaninë e patriotizmit tonë të paktë për të gjetur realen e rrëfimit tonë, qoftë në perspektivë të dhembjes dhe qoftë në perspektivë të përpjekjes sonë.

Dilema është nëse rrëfimi ynë, i kinematografizuar deri më tani, ka gjetur shprehjen dhe narrativin e besueshëm, jo vetëm nga sistemi i vlerësimit të filmit ndërkombëtarisht, jo vetëm të trendit të filmit, por edhe për vetë shoqërinë tonë. Nëse vetë kinematografizimi i rrëfimit tonë i flet shoqërisë sonë? Nëse jemi ende në kërkim të një narrativi, të një rrëfimi, të një përmbajtjeje që na hapë plagët që kemi përjetuar vetëm dhe vetëm për t’i komunikuar ato. Derisa komunikimi i plagës/traumës është i vetmi mjekim i tyre.

Si duket, duhet kohë, edhe për të trajtuar e edhe për të rrëfyer realen, dhe jetën në përgjithësi në raport me tërë atë që kemi përjetuar, gjigantësinë e tragjedisë dhe vuajtjes si shoqëri. Filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, ka gjetur një perspektivë krejtësisht origjinale, kosovare dhe krejtësisht reale të të rrëfyerit të kësaj.

Filmi “Nëntori i ftohtë” ka dy pikënisje tejet interesante: fazën e para-luftës në Kosovë, fillimet e rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi; dhe në anën tjetër, zbritjen e perspektivës kinemtografike nga niveli gjithëkombëtar, tragjedisë kolektive, dhe megalomanisë së patriotizimit, në nivelin e një familjeje kosovare në jetët e tyre të zakonshme, në zakonshmërinë e një tragjedie të pazakonshme.

Në zanafillën e parë, faza e para-luftës, apo thënë më saktë të fillimit të luftës shqiptare jugosllave dhe serbe, në filmin e Ismet Sijarinës “Nëntori i ftohtë” është kinematografizuar në tërësinë e saj një periudhë në historinë tonë, pra të të gjithë të përfshirëve – qoftë edhe trupave serbe të ardhura në Kosovë të vrara për shkak të luftës në Kroaci dhe Bosnjë – në tërësinë e kësaj periudhe shpërfaqen prej qirinjëve dhe kusive të rebelimit dhe rezistencës paqësore tanimë të harruar në historinë tonë megalomane, e deri tek përjashtimi nga puna i shqiptarëve dhe fillimi i solidaritetit të pashembullt ndër shqiptarët e Kosovës etj.

Në anën tjetër, në zanafillën e dytë të regjisë së Ismet SIjarinës së filmit “Nëntori i ftohtë” vëzhgohet kalimi i një familjeje nga viti 1991 e deri në krisjen e kratereve të luftës nëpër tërë shoqërinë dhe strukturat e saj. Kjo familje në zakonshmërinë e saj përballet me një fat krejtësisht të pazakonshëm , dhe më të madh se vetë jeta e tyre. Derisa çdo gjë krisë dhe shndërrohet në armiqësi në shoqërinë tonë, regjisori Sijarina e vazhdon jetën e familjes së protagonistëve burrë e grua, Fadilit (Kushtrim Hoxha) dhe Hanës (Adriana Matoshi) me të gjitha përballjet ekszitenciale të tyre; me masturbimin e adoleshentit të

familjes për një serbe; me festimin e ditëlindjes së vajzës së tyre; me përpilimin e këngëve me kitarë të kryefamiljarit; me vazhdimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare (ndërmjet të papërfshirëve në krimet serbe) e më tutje. Është jetë, që nuk ndalet dhe që ndodh pavarësisht tragjedisë dhe katastrofës kudo përreth.

Këto dy zanafilla të filmit “Nëntori i ftohtë” qysh në titull e tutje paralajmërojnë një tragjedi, në fakt, në histori, dhe në imtësitë e jetës së zakonshme. Ndërtojnë një botë, apo thënë më saktë një ndërmjet-botë, që ishte mu pak para krisjes së kraterit të luftës/luftërave jugosllave, dhe pak para krisjes së luftës së vërtetë të viteve nëntëdhjetë në Kosovë. Në të vërtetë regjisori Ismet Sijarina kujdeset që të zbulojë këtë botë, këtë kalim, këtë çarje të shoqërisë kosovare, dhe me këtë të ritheksojë të dy anët e luftës, kalimin e njeriut në pandjeshmëri absurde dhe në anën tjetër, pamundësinë e pastërtisë apo thënë ndryshe gjithëpërfshirjen e njeriut dhe shoqërisë në ëuftë, pa një mundësi veçimi, distancimi apo edhe refuzimi përfshirjeje.

Në këtë, kjo botë shpërfaq, konfliktin e njeriut përbrenda luftës, konfliktin e tij ballë përballë pandjeshmërisë së luftës, konfliktin e tij me të përbindshmen e saj, dhe me brishtësinë individuale. Protagonisti i filmit Fadili, në këtë botë e cila është duke u mbyllur brenda pandjeshmërisë së luftës, kalon nga një qytetar i zakonshëm, që shndërrohet në tradhtar dhe më tutje një prej informatorëve të krimeve serbo-jugosllave në tërë Jugosllavinë. Ky kalim i tij, dhe konflikti i tërë familjes, që vuan ndërmjet ekzistencës dhe patriotizmit; që vuan të ndodhurit në luftë dhe të domosdoshmërisë së vazhdimit të jetës; të shndërrimit të vlerës dhe izolimit të kolektiveve të armiqësuara, janë një realitet i cili krijon një botë të pandjehme, të rrezikshme, e shndërron atë në diçka që është afër vdekjes dhe ku vdekja është në ardhje e sipër. Kjo në të vërtetë është një botë e panjohur, e harruar, dhe e vuajtur nga vetë ne, por që nuk pati një refleksion rrëfimi dhe trajtimi kinematografik dhe më tutje, në tërë kulturën tonë, megjithëse është shumë me rëndësi dhe periudhë rrënjësisht e rëndësishme në qeniesimin tonë qoftë si kolektiv kosovar dhe qoftë si kolektiv shqiptarë.

Ngjarja e filmit është ngjarje e cila është trajtuar me regji të kombinuar, masive, intime, detaijste dhe të realizmit. Është ngjarje e cila përcjellë detaje si milionat e inflacionit jugosllav, “dokumentet blu” të përjashtimit të shqiptarëve nga puna, dhe kusitë dhe cingërimat me to të fillimit të rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi. Është ngjarje e cila përvijon këtë botë përmes të ndodhurit e një familje në tërë zakonshmërinë e jetës së saj, nëpër tragjedi të përmasave të paimagjinueshme. Kjo familje “vuan” domosdonë e të jetuarit qoftë në luftë. Është kohë lufte dhe qoftë edhe patatet e lëna pranë derës së kësaj familje si shenjë e damkosjes si familje tradhtare, duhet zier për t’i ngrënë, për të mbetur mbijetuar.

Familja e protagonistit Fadili i cili duhet të vendos ndërmjet mbijetesës së fëmijëve dhe familjes, për shkak të vendit të tij të punës, me gruan Hana e cila dyshohet për kancer megjithëse lufta ndodh, me dy fëmijët e tyre me gjithë ditëlindjet e tyre dhe dashuritë dhe masturbimet qoftë edhe ndaj një serbeje, dhe babain e tij Muhamed si person me aftësi të kufizuara, personifikon dhe jep të zhveshur jetën e luftës dhe para luftës, pa megalomaninë e patriotizmit dhe pa narcisizmin e viktimës së luftës. Është të qenit ballë përballë me ekzistencën dhe rrezikun e vdekjes nga të gjitha anët, dhe jetës së rrezikuar nga të gjitha burimet e jetës.

Jeta në filmin “Nëntori i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina është dhënë si brishtësi e njeriut, si konflikt i njeriut me të keqen e tij apo kolektivit, i cili shndërrohet në masë të pakokë, dhe revoltë e njeriut ndaj luftës, dhunës dhe të keqes ndaj njëri tjetrit. Në të vërtetë, duke veçuar tri skena; 1. Derisa protagonisti

pastron babain e tij me aftësi të kufizuara, dhe qanë e rrëfehet për “qyqarllëkun” e tij; 2. Derisa protagonisti Fadili i këndon gruas Hana (ADriana Matoshi) e cila fsheh nga ai dyshimin për të pasurit kancer apo tumor në gji; dhe skena derisa protagonisti Fadili jep intervistë në televizionin e Serbisë për shfrytëzimin e shërbimeve serbe si shqiptarë që është, i detyruar dhe i manipuluar dhe i abuzuar për këtë; janë skena që e krijojnë shtresën më të thellë të kësaj jete në luftë. Pamundësisë së ikjes nga lufta dhe dhuna, pamundësisë së njeriut përballë dhunës dhe luftës, dhe pamundësisë së vetë njeriut përballë të ligës së njeriut ndaj njeriut.

Janë skena të filmit “Nëntori i ftohtë” të cilat krijojnë një narrativ krejtësisht origjinal dhe origjinal kosovar, mbi brishtësinë e njeriut dhe mbi pamundësinë e jetës në luftë. Krijojnë një film mjeshtëror i cili del përballë tërë cirkut të megalomanisë së nacionalizmit dhe patriotizmit dhe krijon një përvijim i cili e zhvesh dhunën dhe e humanizon njeriun në luftë, në konflikt me ekzistencën e rrezikuar në njërën anë dhe në anën tjetër me domosdonë për të mbijetuar.

Mjeshtëria regjisoriale e Ismet Sijarinës dhe filmi në tërësi, me lojën e shkëlqyeshme të Kushtrim Hoxhës dhe të Adriana Matoshit, është zhveshja e filtrit dhe motivit të patriotizmit, dhe shprehja e etheve të luftës pa sensacionin e vrasjes vdekjes dhe tragjedisë.

Është psikologji e cila krijon një herë veçimin e kontekstit dhe kolektivit në tërësi ndaj individit, dhe më tutje e vëzhgon krisjen e po të njëjtit individ nën trysninë e kontekstit dhe kolektivit të armiqësuar, të nisur për luftë. Individi, qoftë si kryefamiljar dhe qoftë si person në vete, thyhet gjatë tërë kohës sa zgjatë filmi, është vëzhgim i thyerjes së njeriut në luftë në të vërtetë. Në dramë dhe vëzhgim tejet intim dhe real, deri në krisje të tërës. Është psikologji e ndërtuar me kujdes dhe dorë mjeshtërore origjinale kosovare që duke bartur rrëfimin në perspektivat e jetës kolektive përmes detajeve, hapë tërë humnerën e luftës dhe e shpërfaq njeriun brenda saj. Të pamundshëm, të thyeshëm, dhe të paaftë në njerëzinë e tij përballë luftës. Kjo psikologji e këtij filmi e hapë këtë botë, tanimë të harruar nën dramën permanente të kolektivit kosovar, të para-luftës së Kosovës, dhe vëzhgon njeriun në fatkeqësinë e tij, si p.sh. në skenën e përpilimit të një kënge të re të protagonistit derisa gruaja është nën dyshimin për sëmundjen e kancerit, skenë e cila hapë tutje tërë njerëzinë që ndodh brenda luftës, qoftë në të vazhduarit të njeriut të sëmuret, dhe qoftë në përpilimin e këngëve; qoftë në degradimin e tij shëndetësor, qoftë në shpresën dhe entuziazmin e tij, të pandalshëm dhe të paikshëm, qoftë edhe në luftë.

Duke iu kthyer fillimit, filmi kosovar me filmin “Nëntori i ftohtë” është film i cili flet ballë për ballë me luftën. Jo më si heroizëm dhe ngadhënjim, jo më si narcisizëm viktime, por si reale e cila përpinë një botë të tërë, një shoqëri të tërë, dhe hapë një dilemë të njeriut në universale: cilët ishim ne? Luftëtarët, apo viktimat e njëri tjetrit!