MENU
klinika

Dy ari dhe një e bronztë

Ballkaniada U-20, tri medalje për Shqipërinë

21.09.2020 - 17:07

U zhvillua Kampionati Ballkanik për kategorinë U-20 në atletikë, event ku morën pjesë edhe disa atletë të rinj nga Shqipëria dhe garuan në Stamboll të Turiqsë. Atletët kuqezinj bënë një paraqitje të mirë, teksa siguruan dy medalje të arta dhe një të bronztë në përfundim të garave.

Ky turne u zhvillua pa tifozë për shkak të pandemisë Covid-19. Te femrat, atletja e re Redia Dauti, mori medaljen e artë në garën e 3000 metrave me pengesa. Ajo dha kohën 10’34”86, duke bërë një paraqitje të mirë. Ndjekësja e saj më e afërt mbërriti në nish pas 9 sekondash.

Dauti duket se do të jetë pasuesja e denjë e Luiza Gegës, teksa garojnë në të njëjtën disiplinë. Ky rezultat i atletes 17-vjeçare shqiptare është rekord kombëtar për moshat U-18 dhe U-20, çka tregon se po lind një talent i ri. Po te femrat spikat edhe vendi i tretë i atletes Erisa Rrasa në në kërcim së gjati. Ajo kërceu 5.79 metra, duke u klasifikuar e treta dhe siguroi medaljen e bronztë.

Te meshkujt, medalja e vetme ishte ajo e atletit Heldi Valikaj në kërcim së gjati. Ai kërceu 7.63 metra, duke zënë vendin e parë dhe mori medaljen e artë. Një formë e shkëlqyer e atletit kuqezi në këtë turne. Shqipëria, në klasifikimin e përgjithshëm të Ballkaniadës, u rendit në vendin e 6-të mes 13 shteteve pjesëmarrëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN