Mes ndryshimeve të reja në ekranet televizive, shumë emra moderatorësh që lëvizin kanë nisur të lakohen prej disa ditësh. Edhe Dojna Mema, moderatorja e njohur e Top Channel, ka bërë sot public lajmin se në sezonin e ri nuk do të jetë më pjesë e “Pop Culture”.
Ishte Kelvi Kadilli ai që hoqi dorë nga ky program pas një sezoni, ndërsa tani edhe vetë Dojna e ka lënë pozicionin e saj si moderatore dhe autore.
Në një komunikim me fansat e saj, Dojna ka treguar që në sezonin e ri nuk do të jetë as prezantuese dhe as autore e programit.
‘Jo, nuk do jem më autore dhe moderatore e ‘Pop Culture’, meqenëse është një pyetje në dy. Ka qenë një program që e kam dashur shumë dhe uroj të kem përcjellë të njëjtën gjë edhe tek ju. Gjithçka ka një fillim dhe një fund. E rëndësishme është t’i bëjmë gjërat me vërtetësi dhe dëshirë”.
Ndërkohë, pyetjes tjetër nëse do të jetë në ekran, Dojna i përgjigjet pozitivisht, por ende nuk preferon të zbulojë shumë.
Duket që shumë shpejt, ajo do të zbulojë pas cilës logo televizive do të prezantojë.
Mes zërave që vijnë nga Top Channel, thuhet se Dojna do të drejtojë “E Diell”, programin e së dielës në ekranin e Top-it.