Nga Artur Ajazi
Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është munduar të komentojë gjatë dhe si zakonisht me preferencën dashakeqëse, vizitat e fundit të kryeministrit Rama në Gjermani, Turqi dhe Greqi. Ai ka nxituar të “informojë” mbështetësit e tij dixhitalë se, gjoja “Ramën nuk e ka pritur asnjë zyrtar gjerman, se në Athinë ka ndodhur kapitullimi i tij”, dhe lloj-lloj broçkullash të tjera.
Doktor, Edvin Kristaq Rama, është kryeministri më i suksesshëm i vendit, është mik i Kancelares Merkel, është gjithashtu mik i Erdoganit, Micotaqisit, apo dhe burrshtetasve të tjerë, me të cilët ka patur dhe ka marrëdhënie mjaft korrekte dhe të sinqerta. Këtë e tregoi edhe ndihma e madhe dhe e pakursyer e shteteve anëtare të Bashkimit Europian për pasojat e tërmetit, të Shtatorit dhe pastaj Nëntorit 2019, apo dhe mbështetjen e madhe për të përballuar me sukses pandeminë e COVID-19. Doktor, nuk të “nginjet” zemra dhe shpirti, tek mban syrin hapur dhe veshin ngrehur, gjithmonë kur kryeministri Rama niset drejt ndonjë Samiti, takimi ndërkombëtar, apo si kryetar i prezencës së OSBE, kontakton me kolegë lidhur me çështje delikate të Rajonit dhe Europës. Doktor, fantazma e 1997, Gërdecit, apo 21 Janarit, nuk zhduken kollaj nga memorja e shqiptarëve, kurse për ju janë një “peshë” e madhe që lidhet me diçka tjetër.
Si mund të pretendosh, se Edi Rama “nuk ka mbështetje ndërkombëtare” Doktor, kur dihet se marrëdhëniet e tij me Kancelaren Merkel, Presidentin Makron, apo dhe kryeministrin e Italisë, Greqisë, dhe burrshtetasit e vendeve të tjera të BE, janë në ditën e tyre më të mirë. Edi Rama nuk ka bërë as 1996 (piramidat) as 1997, nuk ka sulmuar as kryeministrinë me kallashnikovë në 1998 me militantët e Bathores dhe Mamurrasit, nuk ka bërë as Gërdecin duke vrarë 26 bij nënash, nuk ka bërë as 21 Janarin e 2011, duke vrarë 4 të pafajshëm dhe dhjetra të plagosur (edhe kur ju i sulmuat institucionet dhe unoformat e shtetit me molotovë). Por në afro 8 vitet e tij si kryeministër, dhe 4 vitet e ardhshme, premton të bëjë shtetin nga themelet, dhe të ulë shqiptarët në “sofrën” e madhe europiane. Doktor, kujdesu më mirë për Lulzimin, tregoi udhët se si, të bëjë “miq” dhe jo armiq në Europë dhe SHBA, se si të ndërtojë “ura” bashkëpunimi me ndërkombëtarët, dhe jo ti shkatërrojë ato me molotovë, dhe më kryesorja, tregoi si të bëhet të paktën “kopja” juaj në politikë, pasi Ramën nuk e arrin dot.