MENU
klinika

Një regjisor në kërkim të një teatri

Edmond Budina sjell “Profetin e kokoshkave”, por… në Presidencë

29.09.2020 - 14:56

          “Profeti i kokoshkave”, monodrama e Edmond Budinës, shfaqet mbrëmjen e sotme në Presidencë. Katër muaj pas shembjes së teatrit dhe tre muaj heshtje ndaj kërkesës që regjisori i drejtoi Kryeministrit, që shfaqja të vendosej në truallin e teatrit të shembur, profeti satirik do të marrë jetë në godinën e kreut të shtetit.

“Ne kërkuam ta jepnim shfaqjen në sheshin e Teatrit Kombëtar. Kërkova leje, meqë ata janë zotër të këtij vendi. Çdokush që mendon se unë bëra një gjest paqtues me Kryeministrin, duke i kërkuar leje, gabohet,.. sepse unë e dija që ai nuk do ta jepte këtë përgjigje, por doja të dilte në pah meraku i tij për artin. Ndaj, kërkova një vend tjetër për shfaqjen, një vend që të jetë i lirë, i pazaptuar nga PPP-të, i pazaptuar nga ky sekt që ka okupuar gjithçka dhe pa kërkuar leje prej tyre. Dhe i vetmi vend publik që është i lirë në Tiranë, është Presidenca e Republikës” – thotë për mediet, regjisori Edmond Budina.

Për të gjithë që mund të jenë kundërshtarë politikë të Ilir Metës ose ata që kthimin e presidencë në skenë teatrit të munguar, e shohin si mbështetje të regjisorit ndaj Presidentit të vendit, Budina e ka një përgjigje.

“Unë nuk jam këtu, për t’i dhënë pikë askujt as përt t’i marrë pikë dikujt. Këtu nuk ka asnjë tokë të lirë, janë të gjitha të zaptuara nga ky sekti rilindas se socialiste nuk shoh ndonjë gjë tek ata. Dhe dua të kujtoj këtu, që këtë President Republike, nuk e kam vënë unë, me këtë President Republike nuk kam firmosur marrëveshje unë dhe me këtë President, nuk kam qenë unë ai që kam bashkëqeverisur. Presidenti i Republikës ka qenë një nga mbrojtësit e flaktë të Teatrit Kombëtar. Të mos harrojmë, se ka kthyer dy herë ligjin special, e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese”.

Një shfaqje me ftesa, çka të diktohet nga mungesa e hapësirës, Profeti i Budinës, vë në lojë delirin e një personazhi.

“Kjo nuk është një shfaqje kundër dikujt, është një monodramë satirë. “Profeti i kokoshkave”, është një njeri delirant, i mbyllur në bunkerin e tij që është i mbuluar me letra higjienike” – thotë Budina.

Letra higjenike është elementi bazë i shfaqjes, që përdoret si kostum, çallmë, timon dhe skenografi. Regjisori është njëherësh, autor dhe aktor.

***

Pak ditë më parë, Budina ka shkruar kështu në ‘Facebook’, për krijimin e tij të fundit:

Një ambient i zakonshëm shtëpie, a mund të shndërrohet në teatër? Përderisa gjithçka në jetën e përditshme është shndërruar në teatër, përse ai të mos zhvillohet edhe në një mjedis shtëpiak? A nuk luhet teatër në parlament? Politika a nuk bën shpesh teatër? Deri të huajt, a nuk luajnë teatër me ne? Të gjithë këta bëjnë një teatër të angazhuar, politik, që shpesh vë në rrezik jetët tona, pasojat e të cilit pasqyrohen në tragjeditë e përditshme njerëzore. Atëherë, a nuk do të ishte më mirë një teatër dhome, i paangazhuar, jo politik, i pafinancuar, në vend të një kaçamaku a mëmëlige, që i mban ison pushtetit?

Një tryezë e përmbysur, që shërben si foltore, një karrige e rrëzuar, një tjetër si fron patriarku, shirita letrash higjienike, që mbulojnë objektet shtëpiake, ose të hedhura në dysheme, gazeta të grisura, si të brejtura prej minjsh dhe ja, si për magji, lind një mjedis teatror, disi i çuditshëm, por edhe i veçantë. Ah, duhet edhe “çatia”, që strehimi të jetë i plotësuar dhe i sigurtë. Një litar i hollë lidh llampadarin me kornizën e perdeve. Shiritat e letrave higjienike kalohen mbi të dhe fiksohen mbi bibliotekë e divan me libra. Kështu ambienti i një njeriu delirant është gati. Ai vërtitet në atë hapësirë hollake i lumtur, sepse e mendon atë si bunkerin e tij të sigurtë, i mbrojtur nga gjithkah e prej gjithkujt. Fantazia në veshje nuk mund t’i mungojë. Ajo duhet të jetë origjinale e t’i përshtatet atmosferës, kunstruksionit të bunkerit të tij, pra me letra higjienike. Tashmë ai ndihet i plotësuar. Mund të rrëfejë mangësitë e tij, komplekset, ëndrrat për të ardhmen, perversitetet. Mund të ligjërojë edhe pa fjalë, mund të këndojë, mund të tregojë për lëpillapsat, bythdredhsat, puthtrapsat, rradakekufkat, fshikëmbësit, thikëngulësit, çkëthët, zorzopët, zdërret, zdromsat. Për pak harruam: ai është edhe fallxhor, nuk jua rrefejmë, se ku hedh fall ai, por që ai ka paraparë edhe një ngrehinë të laaartë me… portretin e tij, këtë nuk mund ta mbajmë më të fshehtë. Etja e tij për pushtet e përjetësi është e pakufishme.

Nuk po ju tregojmë më tej, për të mos ju hequr kuriozitetin, por kjo shfaqje është në vazhdimësi të atij festivali të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, që u shqye atë 17 maj. Ne shpresojmë, që ashtu si Feniksi i rilindur prej hirit, edhe ai do të ringrihet, sikundër janë rindërtuar sivëllezërit e tij: “Globus” i Londrës, “La Fenice” i Venecias, “Petruzzeli” i Barit e sa të tjerë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Budina vlerësohet në Itali

“Të thyer” me 2 çmime prestigjioze

"Qenke më e bukur se unë..."

Kur Irene Papas i tha Margarita Xhepës