MENU
klinika

ANALIZA/ Por me paralajmërime!

Ekonomistët mirëpresin marrëveshjen Kosovë-Serbi

11.09.2020 - 11:52

Serbia, Kosova dhe rajoni më gjerë mund të përfitojnë ekonomikisht nëse angazhimet e bëra në Shtëpinë e Bardhë realizohen ndonjëherë. Por Serbia mund të tërhiqet nga një përballje kur vjen fjala për prishjen e lidhjeve me Kinën dhe Rusinë.

Nga Sasa Dragojlo

Nëse zbatohet, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mbi “normalizimin ekonomik” midis Serbisë dhe Kosovës mund të jetë e dobishme për ekonomitë e të dy vendeve dhe Ballkanit më gjerë, por mund t’i kushtojë Serbisë për sa i përket lidhjeve të saj me Kinën dhe Rusinë, thonë ekonomistët.

Kjo marrëveshje mund të ndihmojë në zhbllokimin e potencialit ekonomik të një rajoni akoma prangosur nga trashëgimia e konfliktit.

Ekonomistët paralajmërojnë, megjithatë, se dispozitat mbi “diversifikimin e energjisë” dhe “shitësve të pabesë” në teknologjinë 5G janë një goditje për Rusinë dhe Kinën dhe mund t’i kushtojnë shumë Serbisë në frontin ekonomik dhe diplomatik.

“Në ekonomi, asgjë nuk vjen falas. Pas tyre ka gjithmonë interesa”, tha Ljubodrag Saviç, një profesor ekonomie në Universitetin e Beogradit.

Ka pikëpyetje të mëdha nëse dokumentet e nënshkruara në Zyrën Ovale janë ligjërisht të detyrueshme ose të zbatueshme pa vullnetin politik të Serbisë dhe Kosovës për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre rreth çështjes së shtetësisë.

Por, të paktën në teori, të dy vendet do të përfitojnë nga elementët ekonomikë, veçanërisht Serbia.

“Transporti efikas i njerëzve, mallrave dhe shërbimeve si të mos kishte kufij do të ulë kostot e të bërit biznes, do të zgjerojë tregun e punës dhe do ta bëjë të gjithë rajonin më tërheqës për investitorët”, tha ekonomisti serb Sasa Djogoviç.

“Ekonomia lidh”

President kinez Xi Jinping viziton Serbinë në vitin 2016.

Përveç një riangazhimi për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të ringjallur lidhjet rrugore dhe hekurudhore, Kosova dhe Serbia ranë dakord në Uashington që të kryejnë një studim të përbashkët fizibiliteti për lidhjen me infrastrukturë hekurudhore të Beogradit dhe Prishtinës me Adriatikun, që ekspertët gjerësisht mendojnë se kjo nënkupton bregdetin shqiptar.

Lidhjet e reja të infrastrukturës do të krijojnë një zonë të lirë tranziti të modeluar sipas zonës Shengen pa kufij të Evropës, një ide që ka trokitur që nga viti i kaluar, por që gëzon nivele të ndryshme mbështetjeje në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Një program kredie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është gjithashtu pjesë e paketës, e mbikëqyrur nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar, DFC, së bashku me bankën EXIM të SHBA-së.

E krijuar në dhjetor 2019, DFC është një mjet i ri ekonomik i pushtetit të butë në ë konfliktin ekonomik të SHBA-së me Kinën dhe është e përqendruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas marrëveshjes, DFC do të ketë një “prani me kohë të plotë” në kryeqytetin serb, Beograd.

Saviç tha se prania e SHBA-së rriste shanset që projekte të tilla do të realizohen.

“Në ekonomi nuk ka garanci, por tani ato janë më realiste”, tha ai për BIRN. “Gjithashtu, duke qenë se e gjithë marrëveshja ka një karakter paqësor politik në një farë mënyre, ne duhet të presim kushte më të mira kredie se zakonisht.”

Saviç përshëndeti gjithashtu lidhjen hekurudhore me bregdetin shqiptar.

“Në këtë mënyrë mund të lidhet i gjithë rajoni mini-Shengen”, tha ai. “Gjithashtu, bregdeti shqiptar po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investitorët. Pse të mos ishin nga Serbia këta investitorë? Ekonomia i lidh më shumë njerëzit.”

Saviç e vuri gjithashtu në dukje marrëveshjen për një studim fizibiliteti mbi kontrollin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, një burim kryesor i ujit të pijshëm për Kosovën, por që ndodhet pjesërisht në veriun e populluar nga serbët dhe pjesërisht në Serbi.

“Nëse ka negociata për të drejtat e liqenit, kjo do të thotë se ata do të diskutojnë mbi pronësinë”, tha ai. “Dhe kjo është kutia e zezë që duhet të hapet herët a vonë.”

Goditje për marrëdhëniet Serbi-Kinë

Nënshkrimi i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë

Nën mbikëqyrjen e Trump, Serbia dhe Kosova u angazhuan të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga “shitës të pabesueshëm”, një veprim që synonte qartë Huawei-n e Kinës të sanksionuar nga SHBA-ja.

Serbia ende nuk ka teknologji 5G, por ka shumë marrëveshje me Huawei. Gjigandi kinez i teknologjisë është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Telekom Srbija, ndërsa të dy kompanitë së bashku kanë nisur një projekt prej 150 milionë eurosh për vendosjen e kabllove optike të cilat mund të sigurojnë bazën për një rrjet 5G.

Një ankand publik për spektrin 5G në Serbi është shtyrë për në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Vuk Vuksanoviç, një ekspert mbi ndikimin kinez në Ballkanin Perëndimor dhe kandidat për doktoraturë në London School of Economics, tha se lufta midis Uashingtonit dhe Pekinit do të shënjonte shekullin XXI dhe se ishte thjesht çështje kohe para se ajo të arrijë edhe në Serbi.

“E vetmja gjë për të cilën bien dakord republikanët dhe demokratët është qëndrimi i tyre ndaj Kinës”, tha Vuksanoviç për BIRN. “Në Serbi nuk ka ende 5G, por ka shumë projekte të tjera dhe heqja e të gjitha pajisjeve mund të jetë shumë e shtrenjtë.”

Në mënyrë më të diskutueshme, teknologjia Huawei është pas një rrjeti prej 1,000 kamerash mbikëqyrjeje në Beograd të pajisura me softuer për identifikim të fytyrës dhe targave të makinës. Projekti i ashtuquajtur “Qyteti i Sigurt” është përballur me kritika të mëdha nga grupet e të drejtave.

Së bashku me disa projekte të tjera kineze që janë në proces e sipër ose në prag realizimi, disa ekspertë thonë se Serbia ka dalë si vendi më i rëndësishëm në Ballkan për Nismën një Rrip, një Rrugë të Kinës.

Djogoviç dhe Saviç të dy thanë se klauzola 5G mund t’i kushtojë Serbisë ekonomikisht.

“Kjo pjesa e 5G është e dëmshme për interesat e Serbisë, por unë dyshoj se Kina do të bëjë ndonjë lëvizje drastike”, tha Djogoviç. “Ata kanë nevojë për këtë zonë, por nuk mendoj se do të bëhen më marrëveshje të tjera me Kinën pas kësaj.”

Angazhim i zbrazët për diversifikim të energjisë

Ndërsa 5G ishte një goditje për Kinën, referenca për “diversifikimin e energjisë” ishte një shpullë aspak e maskuar për Rusinë.

SHBA-ja e ka shtyrë prej kohësh Evropën të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus. Por në vitin 2008, vitin kur Kosova shpalli pavarësinë dhe Serbia iu drejtua Serbisë për të penguar rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB, Serbia i shiti 51 për qind të monopolit të saj të naftës dhe gazit NIS, Gazpromit të Rusisë me një çmim të ulur së bashku me të drejtat për të eksploruar dhe shfrytëzuar të gjitha rezervat e brendshme të naftës dhe gazit me një vlerë prej shtatë miliardë eurosh.

Ndërsa Serbia po mbështet projektin TurkStream për të sjellë gazin rus në Turqi dhe më gjerë si një alternativë ndaj rrugës aktuale ruse përmes Ukrainës, Uashingtoni është përpjekur të shesë gazin e tij të lëngshëm natyror, LNG, i cili dërgohet me anije cisternë përtej Atlantikut.

Dy terminale LNG në rajon janë në ndërtim e sipër – në ishullin kroat të Krk dhe në Alexandroupoli të Greqisë.

Djogoviç tha se Serbia nuk ka gjasa të diversifikohet në një shkallë të tillë.

“Një burim tjetër është gjithmonë diçka e mirë, por kjo nuk është diçka realiste në këtë pikë duke marrë parasysh pozicionin e Serbisë”, tha ai.

“SHBA-ja po përfiton nga situata”, tha Djogoviç për BIRN. “Kur dy vende janë në luftë, është një i tretë ai që shfrytëzon gjithmonë rastin.” (birn)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë shkruajnë mediat amerikane?

“Marrëveshja e Washingtonit është historike”