MENU
klinika

Lokalet e natës vijojnë të mbyllur

Elton Deda: Artistëve u mungon organizimi

28.09.2020 - 09:22

Në një intervistë për Euronews Albania këngëtari Elton Deda u shpreh i shqetësuar për indiferencën që po tregohet sa i përket situatës së artistëve gjatë periudhës së pandemisë.

Ai tha se duhet marrë parasysh që edhe në këto lloje biznesesh të cilët u mbyllën të parët dhe do të hapen të fundit ka njerëz që punojnë dhe që dëmtohen duke shprehur se zërin e tij e ka ngritur aq sa ka mundur nëpërmjet statuseve në Facebook.

Mes të tjerash këngëtari sqaroi se komunitetit të artistëve u mungon një organizim institucional mes të tjerash.

“Disa përfaqësues të qeverisë do të ishte mirë të merrnin kontakt me ne ose ne me ata, duhet bërë një qark I shkurtër këtu në mënyrë që tu themi problematikën tonë sepse ngado që ta rrotullosh industria e artit në përgjithësi është më e dëmtuara”,- tha ai.

Në fjalën e tij Elton Deda shprehu se artistët kanë dorëzuar gjithashtu një letër zyrtare në Ministrinë e Kulturës por askush nuk ka kthyer përgjigje e këtë e ka konsideruar si diçka jo të re.

“Arti nuk vret, arti e shëron shoqërinë”,- tha Deda teksa solli në vëmendje edhe njëherë se duhet bërë patjetër diçka për përmirësimin e situatës.

Sipas tij njerëzit duan që në fundjavë të çlirohen nga streset dhe për këtë nuk ka opsion më të mirë se arti.

Ndërkaq këngëtari theksoi se për artistët që kanë tetë muaj pa të ardhura nuk vë re se po bëhet diçka për të ndryshuar gjendjen e situatës.

“Kjo është një kategori e vogël njerëzish të cilës nuk mendoj se qeverisë i rëndon shumë ta ndihmojë në këto momente të vështira”,– përfundoi Elton Deda