MENU
klinika

"Biri", rekuiem për dashurinë

Flutura Açka sjell librin që s’mundi ta shmangë…

22.09.2020 - 16:45

       Dy vite pas humbjes së djalit të vetëm, shkrimtarja e njohur Flutura Açka shkruan librin më të vështirë te jetës së saj. Ai është një rekuiem, një autofiksion qe rrëfen raportin me fëmijën e mahnitshëm që jetoi pak, por e shijoi botën në plotësinë e saj.

“Biri’ është një libër që nuk munda ta shmangia. U përpoqa shumë, por nuk arrita ta shmangia. Nuk arrija të punoja dot me asgjë tjetër. Humbjet e kësaj natyre, janë humbje ku e ke të vështirë të orientohesh, është një hon nga ku nuk do të dalësh” – thotë Açka. Ajo e sheh atë edhe si një udhëtim në kërkim të dritës.

“Ka qenë një udhëtim shumë i vështirë. Ka qenë një terr i madh dhe jam përpjekur të ec për të gjetur dritën” – thotë shkrimtarja.

Ndonëse përbën një hulumtim të zisë së një nëne, ai mbetet krejt larg prej Ajkunes që qan Omerin. Për Açkën, “Biri” është krejt tjetër.

“Biri” është një libër për dashurinë, për dashurinë përmes humbjes. Ti e kupton atë ditë, çfarë frakture i ka ndodhur dashurisë tënde më të madhe. Ka qenë një udhëtim me mijëra pyetje. Përse unë? Im bir, më thoshte ‘përse, jo unë?’. Sepse në jetë, ne jemi të barabartë, si në dramë edhe në gëzime. Nuk jemi dot të përjashtuar. Unë e respektoj tim bir, jo vetëm si bir, por edhe si qenie”.

Faqe pas faqeje libri rrëfen udhëtimet e bisedat, shakatë e mbamendjet, si mënyrë për të ruajtur fort, secilin kujtim, me fanatizmin e atij që i ka të shtrenjta. Biri, Gega ose Mr.J, shpërfaqet i plotë dhe kaq i gjallë në bisedat me nënën, Flutneshën e tij.

“Kam rrëmuar shumë nëpër kujtime, për të mundur të ruaj çdo gjë prej tij. Kam rrëmuar dhe kam gjetur se është shumë i ngjashëm me mua. Duke rrëmuar, unë gjeta te biri, miniaturën time, ai ishte plazma ime dhe kjo është mbase, humbja më e madhe. Ai më mësoi të jetoja pa të, të pranoj humbjen e tij, më mësoi të vazhdoja, madje më urdhëroi të vazhdoja sepse më tha që ‘ti je shkrimtare, duhet të vazhdosh, fatet tona janë të ndara”.

Ne kopertinë është portreti i tij i mbramë, ndërsa në brendi dëshmia e një nënë që rrëfen dashurinë dhe dritën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Panairi i Leipzig-ut

Kuteli dhe Kadare në Gjermani

Biseda e fundit dhe premtimi i pambajtur...

Helena Kadare: Si u njohën Dritëroi dhe Sadija në dasmë