MENU
klinika

"ISOlation"...

“FOKUS Award” përzgjedh fituese fotografen e re shqiptare

20.09.2020 - 13:49

      Këtë fundjavë, në mjediset e galerisë “Vilson Kilica” në Fier, u çel ekspozita e fotografive në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “FOKUS Award”. Fituese e garës u shpall fotografja Inda Sela, nga Shqipëria.

Organizatorët për këtë edicion kishin paracaktuar temën “ISOlation” (izolimi, ishullimi), duke i dhënë kuptim të dyfishtë, pasi ISO është një kategori teknike e fotografisë që përcakton ndjeshmërinë e filmit/sensorit. Jeta në kohë pandemie, kufizimet, shtrëngesat e ishullimi që ka shkaktuar ajo për qenien njerëzore e qenien krijuese artistike është reflektuar në veprat e ekspozuara.

Drejtori i Festivalit z. Arben Alliaj është shprehur se tema e sivjetme “Është quajtur ‘ISOlation’, për faktin se vetë situata aktuale që po kalojmë jo vetëm ne si Shqipëri, si Ballkan por e gjithë bota na detyroi që të jemi të izoluar. Edhe pse në kushte të tilla, shpirti i artistit, njeriu nuk ka ndenjur duarkryq por ka punuar, ka jetuar, ka vepruar, ka krijuar. Madje, në kushte të vështira artistët historikisht kanë prodhuar kryevepra”.

Kuratorët e Festivalit, Burim Myftiu nga Kosova dhe Osman Demiri nga Maqedonia e Veriut, së bashku me Elton Koritarin, përzgjodhën 46 vepra nga rreth 150 sa kishin aplikuar. Autorët, përveç nga Shqipëria dhe Kosova, vijnë edhe nga: SHBA, Anglia, Franca, Zvicra, Italia, Gjermania, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Irani dhe Rusia.

Osman Demiri ka folur për veprat e përzgjedhura e të ekspozuara: “Në këtë ekspozitë artistët kanë sjellë ndjesinë e tyre duke ngritur në art dhimbjen, vetminë, absurden por dhe optimizmin, shpresën, humorin. Ky izolim nuk është vetëm covidian, ndaj dhe kjo ekspozitë e sjell në gjithë format e shumta të tij”.

Juria e kryesuar nga prof. Rudolf Schäfer, ka vlerësuar si më të mirën, veprën “23”, të autores Inda Sela nga Shqipëria. Festivali “FOKUS Award” sivjet shënon edicionin e 11-të, duke e vënë Fierin, në hartën e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të fotografisë.