MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Fryma të çon në fund të garës, jo makina llogaritëse

23.09.2020 - 18:04

Nga Skënder Minxhozi

Në fund të ditës është çeshtje fryme, jo hilesh. Të faktuara apo të pretenduara. Që të fitosh zgjedhjet parlamentare, duhet të bindësh shumicën e popullit që i drejtohet kutive. Dhe kur ndodh kjo, s’ka formulë që të të ndalë. Kaq e thjeshtë (por edhe e vështirë) është për opozitën në 25 prill të vitit të ardhshëm. Një aksiomë që vjen nga qindra procese elektorale brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku kanë fituar kauzat e jo llogaritë pas perdeve.

Kush kujton zgjedhjet e vitit 2013, do ta mbajë mend patjeter sesi ai proces elektoral u menaxhua dhe më pas u certifikua, për herë të parë dhe të fundit në historinë tonë politike, nga një Komision Qëndror Zgjedhjesh i përbërë i gjithi nga komisionerë të propozuar nga qeveria e kohës.

Dhe me qeveri nënkuptohej Partia Demokratike, pasi LSI kishte ndërruar krah. Të mendosh sot, shtatë vjet më pas, se mund të votojmë fjala vjen, në pranverën e ardhshme, me një administratë zgjedhore të emëruar vetëm nga qeveria e Edi Ramës, do të thotë t’i vije zjarrin edhe një herë bulevardit qëndror të Tiranës, megjithë çka brenda. Në fund, edhe kjo rrethanë nuk e shpëtoi dot nga rënia Sali Berishën. Komisionerët e tij i dhanë dëftesën e fitores Edi Ramës!

Tjetër precedent që tregon se fitohet me frymë, e jo me numra: në vitin 2017 Lulzim Basha mori në tavolinë, në 17 maj, ministrat e brendshëm, të drejtësisë, të financave, të arsimit, të shëndetësisë, burgjet e disa institucione të tjera kyçe. PD u shtri brenda ditës në gjysmën e shtetit, por rezultati nuk ndryshoi.

Madje kjo bashkëqeverisje prodhoi humbjen më të thellë të një opozite në historinë e pluralizmit shqiptar. Sepse Edi Rama fitoi i vetëm me partinë e tij kundër gjithë spektrit politik, duke vendosur një precedent të papritur dhe të paparashikuar.

Ndërsa në 2013 opozita kishte pas vetes frymën dhe entusiazmin e fitores, në 2017 fryma opozitare mungoi dhe inercia e qeverisjes fitoi garën.

Sot, shtatë vjet pas rotacionit të fundit të pushtetit, nebuloza e partive të opozitës është e zhurmshme, e shumtë në sigla dhe fytyra, por ende anemike dhe e ndrojtur në synimin e pushtetit. Endja kaq e gjatë pas formulës së koalicioneve dhe sherret hipokrite për listat e hapura (të cilat Basha i do faktikisht të mbyllura), na tregojnë se opozita mendon më shumë sesi do të justifikohet në rast humbjeje, sesa që t’i japë formë një vizioni dhe fryme që do të mbledhë pas vetes shqiptarët në kutitë e votimit.

Lulzim Basha ka frikë të fitojë. Edi Rama nuk ja lejon dot vetes të humbë. Kjo është dilema në të cilën në fund fare, mesa duket, do të fitojë kalkulimi, e jo programet që do të sjellin ndryshimin e vërtetë. Përtej taksës së sheshtë, të cilën Basha e predikon që nga zgjedhjet e shkuara, zhurma e mbetur politike e Tiranës rezervon vetëm sherre formulash zgjedhore, por jo debate thelbësore mbi politikat e drejtimit të shtetit.

Ka shumë retorikë studiosh televizive me batuta e fyerje shpesh personale, por ka pak, shumë pak debat të qetë dhe me argumenta mes palëve, për ekonominë, arsimin, bujqësinë, shëndetësinë e turizmin apo politikën e jashtme. Klaustrofobia e debatit politik, ashpërsia e akuzave dhe sharjeve shpesh vulgare, shoqëruar me kërcënimet e tipit “kur të vijmë ne në pushtet…”, pasqyrojnë të gjitha mungesë vizioni dhe vogëlsi mendjesh.

Gara elektorale ku kemi hyrë nuk ka lidhje me meskinitetin e llogaritarëve të vegjël partiakë. Ajo lidhet me madhështinë e liderëve politikë. Duhen mendje e kthjellët dhe mushkëri të forta për ta fituar këtë maratone, jo makinë llogaritëse.

Rama: Nuk kemi çfarë të diskutojmë!

A do ketë negociata me opozitën për vettingun?

Qëndrimi i Bashës/ "Ja pse vendimi për Berishën nuk është personal"

Salianji: Ka ardhur koha që disa të vërteta të thuhen!

Rama: Nuk shkohet në auditore si në lotari!

Çfarë do ndodhë nëse studentët refuzojnë vaksinimin?

ARRSH njofton se si do të bëhet lëvizja

Devijohet qarkullimi i automjeteve tek Unaza e re