MENU
klinika

"Arti që lëviz"

Gjon Mili, fotografia çast përjetësie…

16.09.2020 - 12:39

       “Le Franc-tireur” ka botuar, të premten e 4 tetorit 1946, në faqen n°2, një intervistë të Gjon Milit, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:


Mbretërimit të kartolinës po i vjen fundi
Gjon Mili, amerikani dhe fotografi i shpejtësisë

— Ju keni lindur në U. S. A., Mili ?

— Jo. Në Shqipëri në 1904. Në Rumani deri më 1923. Pastaj New York City dhe menjëherë në shkollën e Bostonit…

Gjon Mili shtriu këmbët e gjata poshtë tryezës së zyrës, që ndodhej në një ndërtesë dinjitoze në “Place de la Concorde”.

Pamja e tij e ndryshueshme është e efektshme për shpejtësinë, me një hundë aerodinamike, mustaqe të pakta që duhet të jenë në gjendje të tërhiqen si ingranazhi i uljes së një avioni Thunderbolt. Gjon Mili është fotografi më i shpejtë në botë, i cili ju qëllon i gjallë me aparatet e tij të komplikuara. Siç e thotë qartë dhe fatmirësisht z. Jean-Paul Sartre, nuk bëhet fjalë që për të të jesh një i fotografuar “normal”, “një i vdekur i balsamuar, i lyer me hiposulfit…”.

***

Kjo është një histori tjetër…. Dhe Mili, në një gjendje të mirë, është i gatshëm ta na e tregojë.

— Në Boston, unë ndoqa mësime që do të më mundësonin postin e “fotografit inxhinier”. Ju nuk keni asgjë të ngjashme në Francë, besoj. Gjatë disa viteve, në mënyrë metodike mora më shumë njohuri në optikë, teknikë fotografike, energji elektrike, kimi dhe fizikë.

Pastaj hyra në “Westinghouse”, si inxhinier kërkimesh në seksionin e studimeve të dritës. Kam punuar atëherë, me H.-E. Edgerton, i cili sapo kishte shpikur llambat speciale që më lejojnë sot të kem rezultate të jashtëzakonshme.

Procesi është ai që konsiston në prodhimin në një tub të vogël, një blic shumë të fuqishëm, por të një shkurtësie që mund t’ju befasojë.

— 1 / 1.000 e sekondës ? …

— Shumë më shpejt. Këto llamba lejojnë “flashë” (blic) që variojnë nga 1/1.000 e deri në të miliontën e sekondës. Me këtë zbulim shkencor, unë isha në gjendje të shkoja më tej, me kërkimet e mia artistike.

***

— Studioja juaj është në New York, apo Kaliforni?

— Në New-York City: 6 East 23 rd. Është një nga më të mëdhatë në botë. Ne ishim në gjendje të realizonim filma aty, gjashtë vitin e kaluar. Hans Richter po xhiron në të një film surealist.

— Bëjnë ende filma surrealistë, në Shtetet e Bashkuara?

— Sigurisht dhe jam i bindur, se do t’ju pëlqejnë.

Gjon Mili shikon lart dhe ky fotograf i pajisur mirë lëshon disa ide nga të cilat mund të frymëzohen amatorët më të përulur, pronarë të kutive katrore me objektivë akromatikë.

— Fotografia nuk është pikturë. Fotografia është një mënyrë e mrekullueshme për të kapur “çastin”. Fotografia është çasti. Duke shkuar më tej, u përpoqa në disa nga punimet e mia të krijoja “një fjali fotografike”, falë sekuencave të mbivendosjeve të llogaritura.

— Pa dyshim, Mili. Por, në Francë, fotografët tanë më të mirë hasin pengesa. Është e vështirë të shkosh shumë larg, me pajisje të rralla dhe në pamundësi materiale për të marrë mjetet moderne, për të cilat më keni folur.

— E d këtë. I admiroj aq më shumë miqtë e mi në Evropë, të cilët, me pajisje të dobëta shpesh marrin rezultate të shkëlqyera: Bressai (Brasaï), për shembull. Teknika amerikane është shumë e përparuar, natyrisht…

Portrait of Blackie, Gjon Mili’s cat. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection via Getty Images)

Mili, afrohet në dritare dhe shikon dritën delikate, duke luajtur mbi gurët e vjetër të “Place de la Concorde”.

— Në Paris, megjithatë, përfundon ai, ju keni një avantazh të madh: kryeqyteti është një qendër unike, për të krijuar dhe shpikur…

Duhet të shkoni e të shikoni ekspozitën e të fotografuarve të Gjon Milit, që sapo është çelur në “46, rue du Bac”.

Do të zbuloni, se çfarë na rrëfen objektivi i paepur i Milit për z. Paul Boncour, duke bërë thashetheme rreth paqes, të z. Truman, bekuesit “Babitt”, të z. Eden, nxënësit të vjetër të Eton-it, të z. Molotov, duke bindur Kongresin mbi vullnetin e mirë të U. R. S. S. Do të shihni një xhongler me topa, i kapur në mënyrë flagrante, me shpejtësinë e 15 “fleshëve” në sekondë, ku çdo blic përfaqëson 1 / 30.000 e sekondës. Do të mësoni, sesi thika pret ujin, shiu godet çadrën, sesi një zezak luan me daulle, apo një vezë përhapet në tigan…

Do ta kuptoni me Gjon Milin, se fotografia është “arti që lëviz”… André JEAN/ darsiani.com