MENU
klinika

I akuzuar për ngacmim seksual ndaj një 16-vjeçari

Gjykata e Beratit liron të moshuarin Romeo Oço

16.09.2020 - 12:34

Gjykata e Beratit jep masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për pedofilin 66-vjeç Romeo Oço.
66-vjeçari Romeo Oço, i arrestuar për “ngacmim seksual” ndaj një 16-vjeçari ka dalë sot në Gjykatën e Rrethit të Beratit për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Ai ka mbërritur në gjykatë nën masa të rrepta sigurie dhe seanca e dhënies së masës së sigurisë ndaj tij është kryer me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve.

Prokurori i çështjes Tasim Puci i ka kërkuar gjykatës vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Prokurori i ka argumentuar kërkesat e tij para gjykatës me dëshminë e dhënë në polici e prokurori nga 16-vjeçari K.J., që ka rrëfyer të gjithë kalvarin e ngacmimeve seksuale prej disa muajsh dhe në bazë të raportit mjeko-ligjor që ka konstatuar shenja të dukshme të ngacmimit seksual tek djali 16-vjeçar.

Gjyqtari Durim Hasa, pasi ka dëgjuar palën akuzatore dhe atë mbrojtëse ka vendosur ta lërë të lirë 66-vjeçarin, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Romeo Oço u arrestua nën akuzën e “ngacmimit seksual” ndaj një 16-vjeçari. Ka qenë ky i fundit që e ka denoncuar Oçon në polici mbrëmjen e së shtunës, duke treguar gjithë historinë disa mujore të ngacmimeve seksuale që kishte ushtruar ndaj tij Romeo Oço, që rezulton të jetë komshiu i tij.

Prokurori Tasim Puci ka deklaruar se prokuroria kërkoi lënien e Oços në burg, ndërkohë që në sallën e gjyqit Romeo Oço ka thënë se ditën e ngjarjes ishte i pirë dhe se ishte në një marrëdhënie me pëlqimin e të dyve me 16-vjeçarin, prej disa kohësh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN