MENU
klinika

Arrestohen dy persona

Goditen dy raste të kultivimit të drogës në Vlorë

27.09.2020 - 09:44

Policia e Vlorës vijon punën për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Në një aksion të koduar “Selenica”, policia ka goditur dy raste të kultivimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike, duke sekuestruar rreth 11 kg kanabis dhe duke arrestuar dy person.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë finalizuar me sukses një tjetër operacionin antikanabis të koduar “Selenica”.

Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrollit masiv të territorit në zbatim të Planit Operacional për mbajtjen e situatës kriminale nën kontroll, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative është ushtuar kontroll në banesën e shtetasit L. B., 28 vjeç, banues në fshatin Amonicë, Selenicë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 11 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Gjithashtu, në vijim të këtyre kontrolleve, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë është arrestuar shtetasi Z. H., 48 vjeç, banues në Mesaplik, Selenicë, pasi gjatë kontrollit në territorin përrreth banesës së tij janë konstatuar të kultivuara disa bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit L. B. dhe për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit Z. H.