MENU
klinika

Turi i dytë eliminator i Europa League

Granada nuk fal, Teuta kapitullon në Durrës

17.09.2020 - 16:57

Teuta dorëzohet në turin e dytë eliminator të Europa League. Durrsakët janë mposhtur 0-4 në fushën e tyre nga spanjollët e Granada-s, ekip që militon në La Liga. Djemtë e detit nuk bënë asgjë përballë spanjollëve dhe eliminohen nga Europa.

Teuta ka kapitulluar që në 30 minutat e para. Në minutën e pestë është Soldado që shënon. Pas një aksioni nga krahu i majtë, Kenedy dërgon topin tek ish-sulmuesi i Spanjës, i cili e shtyn në rrjetë. Pas 5 minutash ka tjetër kombinim i tij me Soldadon, këtë herë Kenedy gjuan vetë në portë, për të çuar shfirat në 2-0.

Në minutën e 30-të vjen goli i tretë pë miqtë. Pas një topi të gjatë nga thellësia, Kenedy ul topin për Herreran, i cili me një gjuajtje tokazi mposht përsëri portierin Frashëri. Me të nisur pjesa e dytë spanjollët e thellojnë avantazhin në 0-4. Është sërish Herrera që realizon, por kësaj radhe me kokë. Mbrojtja durrsake thuajse nuk ekziston.

Teuta është e pafuqishme për të shënuar një gol nderi, ndërsa në minutën e 80-të mbetet me 10 futbollistë, pasi Fabian Beqja merr kartonin e dytë të verdhë. Durrsakët dorëzohen në turin e dytë përballë skuadrës së La Liga-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN