MENU
klinika

"Me axhendë serbe"

Thaçi: Takimi në Bruksel, i rrezikshëm

16.09.2020 - 07:10

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes në Bruksel mes delegacionit kosovar dhe atij serb është i rrezikshëm për shtetin kosovar. Thaçi theksoi se do të ketë një axhendë serbe në këtë takim.

Ai i ka bërë këto komente pas pjesëmarrjes në ngjarjen e organizuar në Prishtinë me rastin e shënimit të Vitit të Ri Hebraik. Thaçi madje ka thënë se takimi i së enjtes është i rrezikshëm dhe, siç është shprehur ai, është agjendë e Serbisë. Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Në to pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.

Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, ka thënë Thaçi para mediave.

Presidenti i Kosovës ka thënë se gjithçka ka përfunduar në vitin 2013 dhe me opinionin e Gjykatës Kushtetute të Kosovës gjithçka që mund të realizohet duhet të bëhet me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese. Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Kaq mjaftoi që të reagonte zyra e kryeministrit Avdulla Hoti. Këshilltari politik i Hotit, Xhavit Beqiri, tha se presidenti synoi të tërheqë vëmendje me këtë deklaratë me qëllimin që të t’i bëjë më të kujdesshëm delegacionin.

“Siç e dini Qeveria e Kosovës i ka hyrë dialogut për njohje reciproke mes dy vendeve me ide dhe platformë të qartë që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pavarësia, integriteti dhe organizmi i brendshëm kushtetues janë çështje që s’diskutohen. S’ka vend për shqetësim sepse dialogu po organizohet në koordinim të plotë nga Brukseli dhe Washingtoni, prandaj s’ka asnjë arsye për shqetësim. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po punojmë që Kosova të bëhet edhe de juro anëtare e BE-së, NATO-s dhe strukturave të tjera euroatlantike. Po flas në emër të kryeministrit Hoti që s’ka vend për shqetësim. Interesat duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe askush nuk mund të bëjë diçka kundër saj Ka koordinim të plotë institucional. Edhe presidenti edhe kryetarja e Kuvendit dhe gjithë qytetarët janë të informuar. Ka qenë vetë Hoti që ka kërkuar një seancë që të raportojë për marrëveshjen që është procesi më i hapur dhe transparent deri më sot”, tha ai.

Beqiri tha se enjtja jo domosdoshmërish sjell njohjen nga Serbia, por se është e sigurt që asnjë marrëveshje që nuk është e vlefshme bëhet funksionale në Bruksel.