MENU
klinika

Episodi para ndeshjes me Shkëndijën e Tetovës

I plotëson amanetin gazetarit, gjest prekës i Mourinhos

23.09.2020 - 19:01

Për shumë dashamirës të sportit ndoshta Jose Mourinho është kontravers, por portugezi e tregoi edhe sot se ka një zemër të madhe, ashtu sic e ka treguar në dhjetëra raste kur i është dhënë mundësia.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Shkëndijës së Tetovës, për çështje sigurie sanitare, tekniku portugez zhvilloi konferencën e sotme nëpërmjet platformës Zoom dhe aty një gazetar maqedonas Igor Aleksandrovic, i bëri kërkesë të veçantë.

Gazetari në fjalë nuk arriti që të bënte një pyetje brenda kohës dhe ishte dukshëm i mërzitur që nuk komunikoi me Murinhon, pasi babai i tij kishte qenë një tifoz i flaktë i portugezit.

Zyra e shtypit e Totenhemit mësoi për këtë gjë dhe ktheu përsëri Mourinhon në dhomën e konferencave, që të bisedonte me Aleksandrovic, t’i bënte dy pyetje dhe pastaj t’i kërkonte një nder.

“Përshëndetje bos, kjo është një mundësi unike për mua që të të bëj dy pyetje dhe të kërkoj një nder. Më duhet të të kërkoj diçka në emër të babait tim. Fillimisht përshëndetjet e mia nga ai, por ai është tashmë në parajsë.

Në një nga momentet kur ishte i sëmurë, ai më tha se nëse do të kem ndonjëherë mundësinë që të të takoj, të kërkoj të bëj një foto me ju, pasi ai gjithmonë më ka rritur ashtu siç e drejtoni një ekip futbolli, si në fitore dhe në humbje. Ai kishte shumë respekt për ju.

Nëse do të më lejoni një foto me ju, unë do ta vendos në kornizë dhe do ta çoj në vendin ku prehet. Nëse ndeshja përfundon mirë për ju dhe skuadrën tuaj, a do të ma jepni këtë mundësi?”, ishin fjalët e gazetarit nga Maqedonia e Veriut.

Mourinho u prek nga këto fjalë dhe i premtoi gazetarit se mund të bënin bashkë fotografinë: “Faleminderit shumë, fotoja nuk ka të bëjë me rezulatatin e ndeshjes nesër. Fotoja do të bëhet, le ta bëjmë. Nëse mund të takohemi para ndeshjes, ose ndoshta në hotel, do të jetë më e thjeshtë, nëse mbetet për pas ndeshjes, do ta bëjmë pas ndeshjes.

Kjo nuk ka të bëjë me rezultatin. Është kënaqësia ime të bëj një foto me ju. Dhe të nderoj babain tuaj dhe të respektoj atë që ai ndjente rreth meje. Nuk e meritoj diçka të tillë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Qava për herë të parë”

Humbja që Mourinho u përlot pas ndeshjes…