MENU
klinika

Shkarkohet Donika Prela

Kaloi fazën e parë të vettingut, ‘ngec’ në KPA

25.09.2020 - 09:28

KPA ka shkarkuar nga detyra ish-drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prelën.

Njoftimi i plotë:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 18.09.2020, ora 09:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore palët paraqitën konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron ankimit, pasi sipas tij, provat e reja të sjella nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit paraqiti kundërshtimet për secilin prej shkaqeve të ankimit, duke i konsideruar ato, të pabazuara në ligj dhe në prova. Subjekti i rivlerësimit, znj. Prela, i kërkoi Kolegjit mosmarrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 25.09.2020, ora 10.00. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.