MENU
klinika

105 njerëz të drejtësisë të shkarkuar

KPK nis sesionin e tretë, gjyqtarja e Apelit të Shkodrës në vetting

02.09.2020 - 10:28

Ka ngritur sot siparin e vettingut Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në sesionin e tretë. Në seancën e sotme para KPK ka dalë gjyqtarja e Apelit të Shkodrës Vojsava Osmanaj.

Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrative për Osmanajn përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.

Vojsava Osmanaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitet 2013-2016, Osmanaj ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Osmanaj nuk ka deklaruar asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 6.4 milionë lekëve. Ajo zotëron familjarisht pasuri të patundshme prej 3 milionë lekësh, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, automjete me vlerë 1.2 milionë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14 milionë lekë, nga të cilat 75% burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe 10% nga shitja e pasurisë së patundshme. Gjyqtarja Osmanaj deklaron gati 9% të të ardhurave nga angazhimi i saj në mësimdhënie.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me një huamarrje, shitjen e një shtëpie si dhe burimin e munguar të një prone të deklaruar nga bashkëshorti.

Në vitin 2012, subjekti ka përdorur si burim financiar për blerjen e një apartamenti në Pogradec një hua prej 1 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013, ajo deklaron shitjen e një apartamenti të përfituar nga prindërit përmes privatizimit, e cila nuk rezulton e deklaruar në vitet e mëparshme.

Në deklarimin periodik të vitit 2017, bashkëshorti i subjektit deklaron një autoveture me vlerë 8700 dollarë dhe një shtëpi dhe një truall prej 500 m2 në Tiranë, e legalizuar në vitin 2017 –pronë së cilës i mungon vlera dhe burimi i krijimit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se KPK gjatë muajve të fundit ka vetuar kryesisht njerëz të drejtësisë nga Apelet dhe në shumicën dërrmuese ka vendosur shkarkimin e tyre. “221 njerëz të drejtësisë janë vetuar. 116 janë konfirmuar dhe 105 janë shkarkuar. Sipas ligjit, KPK ka afat 5-vjeçar për të përmbyllur gjithë vettingun për gjyqtarët e prokurorët. Nëse nuk e përmbyll brenda afatit i takon KLP dhe KLGJ ta përfundojë.

Shkarkimet nga ana e KPK, krahas problematikave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, të cilat janë jo funksionale duke çuar drejt kolapsit, gjykatat e Apelit, siç është rasti i Gjykatës së Apelit Tiranë ku stoku i dosjeve që presin në radhë për t’u gjykuar ka shkuar në 14 mijë, ndërkohë që numri i gjyqtarëve është reduktuar ndjeshëm. Referuar faqes zyrtare të KPK rezulton se në radhë për t’u vetuar janë po ashtu anëtarë të tjerë të kësaj gjykate”, raportoi Lala.