MENU
klinika

Sezoni i ri

Kush ikën dhe kush vjen në emisionet e mbrëmjes!?

11.09.2020 - 13:20

Disave u mbyllet kariera ndërsa të tjerë zgjerojnë hapsirat. Edhe këtë vit sezoni i ri televiziv nuk vjen pa surprizat e zakonshme. Ndryshimin më të madh duket se e ka bërë Top Channel, i cili e ka kaluar “Open” të Eni Vasilit 4 herë në javë, në ora 21 00. Lëvizja është bërë për të shtuar konkurencën me Opinion-in e Fevziut, duke thithur të martën dhe të mërkurën audiencën një orë para TV Klan. Por, dëm kolateral i kësaj lëvizjeje ka qenë emisioni tradicional i Topit, “Top show” i Alban Dudushit, i cili është larguar nga ekrani. Ende nuk ka asnjë njoftim se çdo të bëjë Dudushi, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Bieta Sulo, do vazhdojë emisionin e pasdites “Ftesë në 5”.

Tërmet ka ndodhur edhe në ABC, në fillimin e sezonit të ri pas ndryshimit të pronësisë. Risia e këtij sezoni do të jetë një emision nga Baton Haxhiu, data e fillimit nuk është komunikuar ende, që do të trajtojë afërsitë dhe diferencat kulturore Shqipëri-Kosovë. Nga ana tjetër, ABC i ka dhënë fund emisionit “Byro politike” që drejtohej nga Juli Xhokaxhi, e cila ka deklaruar se mënjanimi i saj është bërë pa asnjë paralajmërim.

Edhe Mirela Milori është larguar nga drejtimi i edicionit të lajmeve të mbrëmjes. Sipas disa burimeve drejtuesit i kanë kërkuar asaj të shkëputet nga TV, gjë që gazetarja që nuk i është ndarë kurrë medieve të Aleksandër Frangajt, nuk e ka bërë kurrë. Ajo do mbajë emisionin e mesditës në Klan dhe mendohet të kalojë në një TV të ri informativ që Frangaj pritet të hapë në platformën e tij. Vendin e Milorit në ABC e ka zënë menjëherë Jonida Shehu, e cila i rikthehet informacionit pas drejtimit të debateve kulturore.

Çudi në mjedis ka bërë mosfillimi i emisionit nga Sokol Balla në Nevs 24, ndërkohë që konkurrentët e tij direkt kanë startuar. Disa zëra pretenduan se Balla synon konkurimin si drejtor i përgjithshëm i RTVSH, por nga Nevs 24 e përgënjeshtruan këtë info duke e argumentuar vonesën me ndërtimin e studios të re. E sigurt është se pas një kontradikte financiare me Skënder Minxhozin dhe Agron Gjekmarkajn, ky i fundit është larguar nga Real Story.

Ai që duket se do ti mungojë ekranit të Ora News këtë sezon do të jetë edhe Artur Zheji me 360 gradë. Ndonëse formalisht i pezulluar, Ylli Ndroqi, që ka gjetur rrugët të paguajë punonjësit, nuk ka dashur ta ripërtrijë kontratën e Zhejit, si pasojë e mosmbështetjes prej gazetarit kur prokuroria sekuestroi televizionin.